Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se Serbia synon të marrë nën kontroll Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën, ndërsa sulmin në veri të Kosovës e quan si “akti i parë” i këtij plani.
Basha tha se Beogradi synoi të ndajë Veriun e Kosovës, por dështoi falë punës profesionale dhe reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Planet e Serbisë, ndihmohen nga Kremlini, u shpreh Basha në emisioni “Open” të gazetares Eni Vasili.
Basha tha më tej se shpallja e ditës së zisë nga Serbia për terroristët e vrarë në Kosovë, tregon qartë se Serbia merr përgjegjësinë për këtë sulm.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
Ngjarja është një skenar sekret për të bërë ndarjen de-facto të veriut të Kosovës. Skenari është i qartë, atë që nuk arritën dot ta bëjnë me një tentativë pseudo-diplomatike para disa vitesh, po tentojnë ta bëjnë tani me paramilitarë. Është një plan i “botës serbe”. Synimi është edhe Mali i Zi të vihet nën kontroll pjesërisht apo plotësisht me faktorët serbë atje. Kjo shkon kundër politikës së NATO-s në Ballkan. Është shkatërrimi i arkitekturës së NATO-s. Ky është një plan dhe strategji e mirëfilltë e Kremlinit dhe synon destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Akti i parë i këtij skenari ishte marrja me forcë e veriut të Kosovës, për të vijuar më pas me Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi. Dështimi i këtij skenari është falë punës profesioniste të Policisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Shpallja e ditës së zisë në Serbi. Çdokush e kupton që kjo është marrja e përgjegjësisë nga Beogradi. Në vend që të distancohej, vendosi t’u bëjë ndërtimet më të larta viktimave të mbetura nga ky sulm terrorist.