'Porti i Durrësit', Berisha ngre tonet në Kuvend: Edi Rama, do të përfundosh te Porti i Marinës

24 Nëntor 2022, 10:28Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha

Ashtu siç pritej, Sali Berisha ka folur me tone të ashpra për Projektin e Portit të Durrësit, të cilin qeveria kërkon të kalojë me procedurë të përshpejtuar. Në fjalën e tij, Berisha e konsideroi si një nga megaaferat më të mëdhaja në vend, madje edhe në Evropë.

Sipas Berishës, kjo që po i bëhet shqiptarëve me Portin e Durrësit është një plaçkitje e pronës publike. Ai u shpreh se pronën publike të shqiptarëve qeveria kërkon të shndërrojë në pronë publike të “klanit Rama” dhe të një arabi.

Sot këtu diskutohet për plaçkitjen më të madhe të një prone publike nga një grup i kryesuar nga Edi Rama, i cili kërkon të shndërrojë në pronë dhe pasuri personale, pronën publike më të çmuar që kanë shqiptarët sot , Portin e Durrësit.

Në këtë akt të kësaj megaafere, kërkohet tu kufizohet fjala të deputetëve të Parlamentit. Me marrëveshjen që votuan në 2020 edhe me atë me procedurë të përshpejtuar, ju në kundërshtim me kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare i krijuat grupit të Edi Ramës të gjitha favoret dhe garancitë ligjore të kësaj plaçkitje.

Sot ju kërkoni të varrosni portin mijëra vjeçar të Durrësit si pronë publike të shqiptareve dhe ta shndërroni në pronë private të klanit Rama dhe të ndonjë arabi okazional. Ndonjë arabi që u zotua për 4 mld euro investim buzë Danubit në Beograd dhe përfundoi në 20 mln euro të tjerat i morën vëllezërit Karric.

Thirrini ndërgjegjes nëse keni, hidheni poshtë këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje shkel me të dyja këmbët MSA dhe Kushtetutën tonë, pasuron Edi Ramën dhe klanin e tij. Kjo marrëveshje shpall kompani sigurimi kompaninë në Dubai, nuk respekton asnjë ligj apo marrëveshje.

Edi Rama, i bindur të jesh se te Porti i Marinës do të përfundosh dhe nuk do të dalësh kurrë prej tij. S'ka burg që të mban. Ndërsa ti zonjë që ndan buxhetet në kategorinë e parë dhe të dy, unë e kuptoj kohën por ti je e vetmja në botë që në urdhërat e një vasali ndan parlamentin në këtë mënyrë. Kjo do të marrë fund, ju garantojë”, theksoi Berisha.

Video