Në 6 dhjetor, do të mbahet për herë të parë në Tiranë, Samiti i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku do të vijnë liderët e të gjithë Europës. Kjo ngjarje e rëndësishme do t’i kushtojë shtetit shqiptar 450 mijë euro.
Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin sot që Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, do t’i shtohet fondi prej 50 milionë lekësh për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”. Siç edhe bëhet e ditur, “fatura” e Samitit BE-BP, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
“Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë, në datën 6 dhjetor 2022.
Efekti financiar, prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022”, thuhet në vendim.