Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur deklaratës së deputetit demokrat, Gazment Bardhi, i cili tha ish-kryeministri nuk i përmend oligarkët me emra.
Në emisionin “Now”, Berisha u shpreh se ai nuk është selektiv në lidhje me denoncimet për oligarkët.
“Absolutisht, jo. Unë nuk jam selektiv. Afera e Portit të Durrësit është afera më gjigande në të gjithë Evropën dhe botën madje. Është aferë që i kalon 5 miliardë. Jam i përqendruar totalisht te Porti i Durrësit. Është aferë e paimagjinueshme. Jam marrë intensivisht me dosjen e Durrësit”, theksoi Berisha, por pa përmendur sërish emra.
Lidhur me këtë pjesë, analisti Andi Bushati është përplasur me Berishën, duke i thënë këtij të fundit se po bën pakt me personat që furnizojnë me para kryeministrin Edi Rama.
Berisha i është kundërpërgjigjur duke i thënë se kjo nuk është e vërtetë pasi ai nuk ka asnjë pakt me asnjë njeri, por sërish nuk ka denoncuar apo përmendur ndonjë oligark.
Pjesë nga diskutimi
Bushati: Berisha me fushatën që erdhi në pushtet në 2005 nuk bënte vetëm Nano. Në atë kohë Berisha dukej që ishte më i lirë, ndërsa tani të gjithë jemi të kapur
Berisha: Të garantoj se njeriu mbi tokë nuk i kam detyrimin minimal. Nuk jam as i kapur. Unë jam marrë intensivisht me dosjen e Durrësit dhe dyshoj se dosja e Durrësit është kryedosja e të gjithë dosjeve.
Bushati: Është e vështirë të ndeshesh njëkohësisht dhe me Amerikën dhe me regjimin e Ramës dhe me kapitalistët më të mëdhenj në të gjithë vendi. Nuk mund të mbijetosh në politikë duke bërë një pakt me ata që furnizojnë me para Edi Rama.
Berisha: Asnjë pakt nuk kam me Edi Ramën, këtë ta garantojë.