Vetëm 5 ditë para zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti ka marrë një goditje të fortë nga Shtetet e Bashkuara.
I dërguari i Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, i njohur dhe për përplasjet me Albin Kurtin, ka përgënjeshtruar pretendimet e kryeministrit të Kosovës se raportet e qeverisë së tij me administratën e re në Uashington janë shumë të mira.
Në një mesazh të ashpër, me të cilin Grenell duket se synon të ndikojë në zgjedhjet e së dielës në Kosovë, ai e cilëson Kurtin si një partner jo të besueshëm, që ka ndërmarrë veprime të njëanshme. Sipas Grenell-it, komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe në Shqipëri dhe shumë miq në Serbi dhe përreth rajonit. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen në Ballkan. Por na duhen partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump e as gjatë administratës Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrjen e hapave të njëanshëm që po destabilizojnë rajonin. Kështu edhe BE edhe NATO. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit”, shprehet Grenell.
Grenell shton më tej se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë. Dhe kjo, po ndodh për shkak të Kurtit, thotë Grenell.
“Retorika e përdorur tani nga Kurti, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, thotë Grenell.
I have many friends in Kosovo and Albania…and many friends in Serbia and throughout the region.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) February 3, 2025
The Trump Administration has worked and will continue to work towards peace for everyone in the Balkans.
But we need trustworthy partners.
The Kurti Government was not…
Sipas diplomatit amerikan, kryeministri i Kosovës ka kundërshtuar çdo ide të propozuar nga presidentët Klinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump.
Richard Grenell, i cili në administratën e parë të Trump ka qenë i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor ka kritikuar qasjen e kryeministrit Kurti. Sakaq, ai ka mbajtur marrëdhënie të ngrohta me Serbinë dhe është nderuar me çmim nga presidenti Aleksandër Vuçiç.