Vula e PD-së/ Apeli rikthen çështjen për rigjykim, partia i mbetet Alibeajt

3 March 2023, 18:55Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vula e PD-së/ Apeli rikthen çështjen për rigjykim, partia

Gjykata e Apelit Administrativ ka pranuar kërkesën e përfaqësuesit të grupit të Enkelejd Alibeajt, duke rikthyer për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë çështjen e statuve të PD-së, se kujt i përket partia, Sali Berishës apo Enkelejd Alibeajt.

Apeli ka zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili kishte pranuar ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Çështja do të rigjykohet në shkallën e parë me një tjetër trupë gjykuese.

Gjykata pranoi kështu një prej kërkesave të grupimit Alibeaj, që kishte kërkuar ose vendim për rrëzimin vendimit të Shkallës së Parë, ose rikthim për rigjykim. Ndërkohë, grupimi Berisha kishte kërkuar që të mos legjitimohej ankimi i bërë nga Enkelejd Alibeaj.

Në këtë mënyrë, në zgjedhjet lokale të 14 Majit Partia Demokratike do të përfaqësohet nga grupi i Enkelejd Alibeajt, teksa kandidatët e Berishës, pritet të futen në zgjedhje si koalicion me Partinë e Lirisë.

Avokati Indrit Sefa deklaroi pas dhënies së vendimit se brenda këtyre ditëve Partia Demokratike e Alibeajt do të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. I pyetur nëse vendimi i Gjykatës së shkallës së parë mund të jetë i njëjtë me atë të Zhukrit, ai tha se nuk ka asnjë mundësi të jetë i njëjtë.

“Sot gjykata vendosi rikthimin e cështjes në shkallën e parë, kërkesë e jona. Praktikisht u pranua ankimimi i Alibeaj kjo do të thotë që çështja do rikthehet në gjykatën e shkallës së parë dhe do ketë një tjetër trup gjykues. Do regjistrohemi në komisionin qendror të zgjedhjeve brenda këtyre ditëve."

Pyetje: Çfarë ndodh nëse merret i njëjti vendim si Zhukri nga Gjykata e Tiranës?

"Gjykata e Tiranës nuk ka asnjë mundësi të marrë të njëjtin vendim si Zhukri. PD ka organe legjitime të saj.”- tha Sefa.  


Video