Çështja “McGonigal”, grupimi i Berishës kërkesë në Kuvend: Mocion me debat pa limit kohor

1 February 2023, 19:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çështja “McGonigal”, grupimi i Berishës
Grupimi i Berishës kërkon heqjen e limitit kohor

Grupimi i Sali Berishës ka depozituar në Kuvend një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës në seancën plenare të së enjtes. Këta deputetë kanë kërkuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla që debati me mocion të mos jetë me limit kohor.

Dy ditë më parë, konferenca e Kryetarëve pranoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal.

Krahas kësaj, konferenca miratoi kalendarin dhe programin e punimeve të Kuvendit. Në seancën e së enjtes nuk do të jenë të pranishëm kryedemokrati Sali Berisha dhe katër deputetë të PD-së të cilët janë të përjashtuar për dhjetë ditë pas trazirave që u krijuan në kuvend seancën e kaluar.

Kërkesa e depozituar në Kuvend:

Zonja Kryetare e Kuvendit

Ditët e fundit opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar është tronditur prej një skandali te përmasave ndërkombëtare që ka përfshirë edhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), Departamenti i Drejtësisë Amerikane dhe media amerikane e ndërkombëtare, më 21.01.2023 është arrestuar zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal, i akuzuar për shkelje të sanksioneve ndaj oligarkut rus Oleg Deripaska, me lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, si dhe për fshehje, manipulim dhe falsifikim të të dhënave për kontakte të papërshtatshme me shtetas te huaj, ku përfshihet edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij që nuk mbajnë poste zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Në padinë e ngritur ndaj z. McGonigal pranë Giykatës së Distriktit të Kolumbias (Uashington), renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes Kryeministrit Rama dhe z. McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të z. Rama, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

Kjo ngjarje e rëndë është bërë publike pas një hetimi të thelluar dy-vjeçar nga zyra e FBI në Los Angeles ndaj dy zyrave të FBI në Neë York dhe Uashington, duke iu nënshtruar tashmë një procesi giyqësor në gjykatat e këtyre dy shteteve.

Njëkohësisht, duke patur parasysh se oligarku Oleg Deripaska duhet të ishte i sanksionuar edhe nga Shqipëria që prej 8 Prillit 2023, si vend kandidat që baton sanksionet e Bashkimit Europian, rezulton se ai vazhdon të zotërojë biznese të licensuara dreitpërdrejt nga Qeveria shqiptare, në shkelje të drejtpërdrejtë të këtij detyrimi politik dhe ligjor.

Duke patur parasysh përmasën e jashtezakonshme te këtij skandali të paprecedentë, ku Kryeministri shqiptar Edi Rama përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, minimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe cenimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës, si dhe bazuar në Nenin 31 pika 2 dhe Nenin 98 te Rregullores së Kuvendit, një grup deputetësh kërkon:

1. Ndryshimin e Rendit të Ditës të seancës së datës 02.02.2023, ora 10.00;

2. Në përputhje me pikën 1, përfshirjen si pikë e parë e Rendit të Ditës të një  Mocioni me Debat për çështjen e mësipërme.

3. Kërkojme që Debati të mos ketë limit kohor, duke i dhënë mundësinë çdo deputeti të shprehet.

Kryetarja e Kuvendit të mbledhë menjëherë pas dorëzimit të kësaj kërkese, Konferencën e Kryetarëve, para fillimit të Seancës Plenare datë 2 Shkurt 2023, ora 10.00, për të bërë ndryshimin e Rendit të Ditës te kësaj seance sipas kërkesës së mësipërme.


Video