
Këngëtari shkodran Luiz Ejlli, edhe pas përfundimit të "Big Brother Vip", vazhdon të jetë një ndër personazhet më të komentuar të showbizit shqiptar.
Por, jo vetëm në showbiz, por ai ka qenë në qendër të vëmendjes edhe nga politika. Luizi doli hapur në mbështetje të kryebashkiakut socialist të sapozgjedhur të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe në fushatën elektorale të tij për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Më pas, ai u ftua në "podcast" edhe nga kryeministri Edi Rama.
Ditën e sotme nga fama e Luizit duket se ka dashur të përfitojë dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ky i fundit ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku shfaqet bashkë me Luizin dhe vajzën e tij të vogël.
Por, disa prej komentuesve i kanë vënë në dukje se dikur Taulant Balla e ka sulmuar këngëtarin shkodran nga foltorja e Kuvendit, në lidhje me emërimin e tij si Sekretar i Parë për Kulturën dhe Turizmin në Ambasadën Shqiptare në Paris në vitin 2010.
Balla deklaronte në vitin 2014 se Luizi u emërua si Sekretar i Parë për Kulturën dhe Turizmin në Ambasadën Shqiptare në Paris me ndërhyrjen e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, pasi në atë kohë vajza e saj shkoi me studime në Francë dhe ishte e fejuar me Luizin. Po ashtu Balla i përmend Topallit dhe emërimin e vëllait të saj si diplomat.
Sipas socialistit, edhe Festivalin e Këngës, Luizi e ka fituar me ndërhyrjen e Topallit, por ai bën një lapsus pasi përmend vitin 2011, ndërkohë që Luizi e ka fituar Festivalin e Këngës në vitin 2006 dhe në atë kohë ai ka deklaruar se nuk ishte lidhur ende me vajzën e Jozefina Topallit.
"Ngurove pak në lidhje me emërimet në Ministrinë e Jashtme dhe në Diplomaci, por koha jote ka mbaruar Jozefinë dhe kohë e Saliut po ashtu. Historia e vëllait në konsullatë në Milano dhe të dhëndrit që nuk duhet të linte vetëm gocën në Francë ka mbaruar. Po të doni po e lexoj një listë pa fund: Lorena Gjana, vajza e Jemin Gjanës; Albion Bogdani, vëllai i Gerti Bogdanit, Gjon Çoba, vëllai i Jozefina Topallit; Nausika Spahia, vajza e Ali Spahisë; Sokol Beja, djali i Fatos Bejës; motra e Aleksandër Frangajt, djali i avokatit të Lulzim Bashës, djali i Neritan Cekës, dhëndri i Jozefinës. Se më doli nga mendja pak më parë, në CV-në e vet diplomatike kishte shkruar jam këngëtar dhe kam fituar Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar të vitit 2011, edhe atë e kishte fituar me mik sepse ndërhyu kjo." - deklaronte në vitin 2014 Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit.
Më poshtë dhe deklarata me video: