
Kryetari i parlamentit, Niko Peleshi, ka përjashtuar nga seanca kreun e grupit parlamentar të PD-së, deputetin Gazment Bardhi për ndërprerje të vazhdueshme të seancës dhe fjalës si dhe për fyerjen “je i paaftë”.
Gjithashtu vërejtje mori edhe deputeti tjetër demokrat, Klevis Balliu.
Bardhi mbajti fjalën e tij duke kërkuar zbatimin e rregullores, ku deputetët të mbanin fjalën për të shpjeguar pyetjet që kishin bërë ndaj Komisionerit për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, Robert Gajda.
Por teksa ky i fundi po mbante fjalën, Bardhi këmbënguli, fillimisht ndaj nënkryetares Spahiu dhe më tej ndaj kryetarit Peleshi që erdhi më vonë për të marrë drejtimin e seancës.
“Zoti Bardhi, në bazë rregullores, ju heq drejtën e fjalës për të gjithë ditën e sotme. Përjashtoheni nga seanca, po marr masën e katërt ndaj jush”, tha Peleshi.
Por Bardhi refuzoi të dilte nga salla. “Nuk përjashtohem, fare nuk përjashtohem…”, tha ai mes të tjerash.
Në këtë moment ka ndërhyrë edhe deputeti Balliu, duke ndërprerë fjalën e shkaktuar debat të forta bashkë me Bardhin.
Peleshi njoftoi masë edhe ndaj tij: “Zoti Balliu, po ju jap masën tjetër, vërejtje në bazë të rregullores…”.