Një rreze drite për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri, e vlerësoi Sali Berisha procesin e primareve që është duke u zhvilluar në mbarë vendin, nga ku do të dalin kandidatët e opozitës që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në fjalën e tij pasi hodhi votën për kandidatin e Tiranës, kreu i PD akuzoi edhe njëherë Edi Ramën se ka vrarë votën e lirë dhe i cilësoi primaret si një ditë të rëndësishme për hapjen e mëtejshme të partisë.
“Një ditë e madhe për PD. Është një kryeditë për demokracinë shqiptare. Dhjetëra mijëra anëtarë votojnë për qytetarin e parë të bashkisë. Ky është një zhvillim i rëndësishëm veçanërisht rëndësia bëhet më e madhe pasi vota e lirë ka në Shqipëri një armik të egër të saj , një armik që përpunoi dhe zhvilloi mekanizmat e plaçkitjes së saj. Një armik që e përzuri votën nga partia e tij dhe e shndërroi PS, e riktheu në origjinë si parti pa votë. PS voton si komunitet mafioz. Edi Rama është i vetmi në Evropë që ka përjashtuar votën e lirë nga partia. Në këtë kontekst ky zhvillim është një rreze shprese për rivendosjen e saj në Shqipëri", tha Berisha.
Por duket se Sali Berisha se është tërhequr nga mbajtja e protestës në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
“Nuk ka rrugë që mund të bllokohet përveç zonës se ku mblidhen që ne nuk kemi ndërmend, jemi më të interesuar për sigurinë e lidershipit europian, ne jemi kudo zotër të qytetit në zona të tjera, mjerë Rama dhe Cuci, demokratët protestojnë në qytet në shesh, por e dinë mirë që burimi i të zezave është në Surrel. Aty burojnë të zezat e kësaj vendi. Policia nëse është e porositur që do të përballet me opozitën e ka gabim, opozita nuk ka betejë që nuk fiton”, tha Berisha.