Mazhoranca zyrtarizoi sot si kandidaturë për presidentin e ri, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Bajram Begaj.
Mazhoranca i ka mjaftueshëm votat për ta zgjedhur në seancën e nesërme atë si kreun e ri të shtetit, por para se të shkoj në votim, emri i tij është në dorën e presidentit Ilir Meta.
Bajram Begaj aktualisht mban postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe pa u liruar nga kjo detyrë ai e ka të ndaluar të kandidojë për postin e Presidentit të Republikës.
Lirimin e tij nga detyra e ka në dorë presidenti aktual Ilir Meta, ashtu siç e përcakton pika 3 e nenit 169 në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
"Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore," thuhet në Kushtetutë.
Përveç kësaj, presidenti Ilir Meta duhet ta lirojë Bajram Begajn dhe nga grada Gjeneral Major duke e kaluar në gjeneral në lirim, që ai të ketë mundësinë të kandidojë për President dhe të votohet nesër në Kuvend.
Nëse presidenti Ilir Meta nuk merr këto hapa, sipas ligjit, Bajram Begajt nuk i lejohet të kandidojë për t'u zgjedhur në postin e kreut të shtetit.
Nëse do zgjidhet pa dekretin e Metës, zgjedhja e Presidentit do të futet në një problem kushtetues dhe do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.