
Enkelejd Alibeaj me statusin e nënkryetarit të Partisë Demokratike dhe në emër të Partisë Demokratike tha se ka dorëzuar në Apel ankimimin kundër vendimit të gjykatës së Tiranës, që i dha vulën Sali Berishës. Tani, po në emër të Partisë Demokratike flet Rithemelimi, që thotë se Alibeaj nuk ka legjitimitetin për të ankimuar këtë vendim.
“Së pari, sqarojmë se askush nuk mund të ndërmarrë veprime në emër të Partisë Demokratike. Kuvendi Kombëtar i PD dt.11 dhjetor 2021, ka mandatuar si të vetmin organ drejtues të Partisë Demokratike Komisionin e Rithemelimit të Partisë. Gjithashtu, Kuvendi ka shkarkuar Z. Alibeaj si nënkryetar i Partisë Demokratike. Pra, nuk përfaqëson PD në asnjë marrëdhënie me të tretët”, thuhet në deklaratën e shpërndarë përmes WhatsApp nga Floriana Garo.
Së dyti, përsa i takon kërkesës ankimore, Rithemelimi thotë ajo është paraqitur nga persona të palegjitimuar të bëjnë ankim kundër vendimit të mësipërm të gjykatës.
“Vetëm palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proçes mund të bëjnë ankim. Askush tjetër. Me “palë“ kuptohet i padituri dhe personi i tretë. Me “pjesmarrës te tjerë” kuptohet Avokati i Shtetit, i Popullit ose Prokurori atëherë kur ligji ua detyron pjesëmarrjen në një proces civil. Ankimuesi, në këtë rast, nuk ka qenë as palë e as pjesëmarrës në proçes dhe nuk plotëson asnjë nga kriteret legjitimues për tu ankuar”, sipas deklaratës.
Në reagim thuhet se gjykimi është zhvilluar komform proçedures pa të paditur, pa persona të tretë dhe pa asnjë pjesmarrës tjetër. Vetem me “kërkues” Komisionin e Rithemelimit të PD. Njëlloj si në të gjitha rastet e tjera të këtij tip procesi.
“Në këto kushte, Sekretaria e Gjykatës ku është paraqitur kërkesa ka detyrimin tua kthejë mbrapsht atë komform kritereve të Kodit të Proçedurës Civile. Së fundmi, PD denoncon aktin Basha - Alibeaj si përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës për të mbajtur peng vulën e PD kundër vullnetit të shumicës së demokratëve të shprehur qartë në kuvendin e tyre më 11 Dhjetor 2021 dhe të çertifikuar në kutitë e votimit më dt. 6 mars 2022”, mbyllet deklarata.