Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, mëngjesin e kësaj të marte është paraqitur pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mësohet se Ruli do të merret në pyetje në lidhje me aferën e privatizimit të Kompleksit Partizani, si person që ka dijeni në lidhje me aferën e privatizimit të ish-klubit Partizani.
Në lidhje me ketë aferë një ditë më parë u mor në pyetje nga SPAK dhe ish-drejtuesi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të FA, Vladimir Qiriazi.
Ndërkohë, më herët për të njëjtën çështje dëshmoi në SPAK edhe ish-ministri i Mbrojtjes Famir Mediu.
Kujtojmë se ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ai i cili i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë aferën në privatizimin e pronave të “Klubit Partizani”.
Balla akuzoi dhëndrin e ish-kryeministrit Berisha, i cili është futur si aksioner tek kompania Homeplane dhe kjo kompani sipas tij në bashkëpunim edhe me Kontakt kanë aplikuar për leje ndërtimi në zonën e ish-kompleksit.
Sipas informacionit, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kërkuar këto dokumente nga këto 2 ministri:
– Shkresën Nr. 280/1, datë 31.10. 2005 të Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, me objekt: Propozim për privatizimin e Kompleksit “Partizani”.
– Shkresë-Përgjigjen Nr. 9549, datë 14.11.2005 të ministrit Fatmir Mediu, kthyer ministrit Genc Ruli, me objekt: “Pranimin e propozim- kërkesës për heqjen e kompleksit “Partizani” me sipërfaqe 33 mijë m2, nga inventari pronave të ushtrisë dhe privatizimin e tij.
– Shkresat Nr. 638/2, Nr. 638/3 e Nr. 638/4, datë 29.08.2007, që Bamir Topi, 1 muaj pas marrjes së detyrës, i ka dërguar kryeministrit Berisha dhe ministrave Mediu e Ruli, që kompleksi “Partizani” hiqej nga “Plani i përhapjes Ushtarake”, për efekt privatizimi sipas kërkesë së tyre.
– Urdhrin Nr. 50/1, datë 3.09.2007 të ministrit Genc Ruli, për miratimin e privatizimit të kompleksit.
– Shkresat që Gjeneral Vladimir Qirjazi i ka dërguar ministrit Mediu, kryeministrit Berisha e presidentit Topi, me refuzimin e privatizimit, si akt i paligjshëm e me letra pronësie false.
– Listën e përfituesve të truallit të kompleksit “Partizani” dhe dosjen e paraqitur prej tyre, si ish-pronarë trashëgimtarë, ku në numrin 22 është edhe emri i Jamarbër Malltezit, i cili kishte 1/64 pjesë të 33 mijë m2, ndërsa 1 javë pas privatizimit rezultoi pronar me 35% të sipërfaqes.