Berisha dhe Meta janë nën hetim nga SPAK, Kraja tregon se çfarë po ndodh me lobimin e LSI dhe Gërdecin

25 November 2022, 14:38Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha dhe Meta janë nën hetim nga SPAK, Kraja tregon se
Në foto: Arben Kraja, Sali Berisha dhe Ilir Metaj

Kreu i SPAK, Arben Kraja u shpreh në një intervistë për Euronews se ish-kryeministri, Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Metaj po hetohen për dosjet që gjenden në SPAK.

Lidhur me Ilir Metën, Kraja tha se kreu i Partisë së Lirisë është në hetim për dosjet që janë dorëzuar për financimet në parti.

“Po janë çështje nën hetim, vazhdojnë hetimet edhe për ato. Janë disa çështje që lidhen me financimet e partisë dhe lobimin, nuk mund të them më tepër janë nën hetim. Ne po hetojmë faktet, se kush do të dalë përgjegjës është histori e hetimit”, u shpreh Kraja.

Ndërsa lidhur me kreun e PD-së, Sali Berisha, ai tha se çështja e kompleksit Partizani, si edhe ajo Gërdecit janë nën hetim, ndërsa shtoi se hetimet për ish-kryeministrin kanë nisur përpara se ai të shpallej non grata.

“Çështja është nën hetim, e kam deklaruar dhe në disa raste të tjera. Janë duke u kryer të gjitha veprimet që duhen kryer për të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Në fund, padiskutim që do të analizohen provat dhe kushdo që do të ketë përgjegjësi, do përgjigjet. Çështja e Gërdecit është një çështje e vjetër, e cila është hetuar, gjykuar, ka një vendim përfundimtar nga Gjykata e Tiranës, kaluar edhe në Apel.

Ndërkohë, pjesa që i takon zotit Mediu ishte mbetur pezull në Gjykatën e Lartë, për arsye të imunitetit. Është bërë një betejë e gjatë ligjore midis SPAK dhe avokatëve, nëse duhej rihapur apo jo kjo çështje. Ka shkuar rasti deri në Gjykatën Kushtetuese dhe ka thënë po, duhet të vazhdojnë hetimet. Çështja është nën hetim. Se çfarë do bëhet, është çështje që i dinë prokurorët e çështjes”, tha ndër të tjera Kraja.

 

 


Video