
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky hodhi poshtë një ofertë të Uashingtonit për ta larguar nga vendi. Sipas mediave amerikane, Zelensky në vend të biletës së shpëtimit u ka kërkuar amerikanëve municione dhe armë.
“Kam nevojë për municione e armë, jo për bileta udhëtimi", thotë Associated Press se ka qenë përgjigja e Zelenskyt, duke cituar një zyrtar të lartë të inteligjencës amerikane.
Washington Post citoi gjithashtu zyrtarë amerikanë dhe ukrainas të cilët thanë se qeveria amerikane kishte gati një plan evakuimit për Zelenskyn. Ndërkohë, mediat ruse kanë shkruar gjatë pasdites së të premtes se Presidenti ukrainas ishte larguar nga vendi.
Artikujve të tyre, Presidenti iu përgjigj duke i përgënjeshtruar me video nga rrugët e Kievit bashkë me kabinetin qeveritar dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. “Ne jemi këtu të gjithë për të mbrojtur Kievin, për të mbrojtur Ukrainën!”, thotë ai.
Не вірте фейкам. pic.twitter.com/wiLqmCuz1p
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) February 26, 2022
Megjtihatë, Presidenti ukrainas është shprehur i gatshëm të negociojë me Vladimir Putin. Një zëdhënës i tij, tha se vendi është i përgatitur të ulë armët dhe të bisedojë me Rusinë menjëherë.
Ai tha se zyrtarët rusë dhe ukrainas po diskutojnë aktualisht për kohën dhe vendin ku do të zhvillohen bisedimet.
Zëdhënësi ka përgënjeshtruar se Ukraina ka kundërshtuar një ofertë ruse për bisedimet për paqe.
“Më duhet të mohoj deklaratat se ne kemi refuzuar të zhvillojmë bisedime. Ukraina ishte dhe mbetet e gatshme të flasë për përfundimin e luftimeve dhe për paqen. Ky është pozicioni ynë i pandryshuar. Ne ramë dakord me ofertën e presidentit rus, pikërisht në këtë moment palët janë duke u konsultuar për vendin dhe kohën e zhvillimit të procesit të negociatave. Sa më shpejt të fillojnë bisedimet, aq më shumë do të ketë shanset për të rivendosur jetën normale”, tha zëdhënësi i Presidentit ukrainas, Serhiy Nykyforov.