Putini ndryshon komandantin në Ukrainë, fut në lojë “Kasapin e Sirisë”

9 April 2022, 22:57Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Putini ndryshon komandantin në Ukrainë, fut në lojë

Një zyrtar Perëndimor ka konfirmuar se Rusia ka riorganizuar komandën drejtuese të ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, raporton BBC.

Gjenerali Aleksandër Dornikov, i cilësuar si “Kasapi i Sirisë”, është urdhëruar nga Kremlini që të marrë në kontroll të gjithë rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës.

Nga viti 2016, Dornikov ka drejtuar ndërhyrjen brutale të Rusisë në Lindjen e Mesme duke ndihmuar presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad të mundë kundërshtarët në luftën civile.

Gjatë kësaj kohe, armët kimike dhe bombardimet pa kufizime janë përdorur duke shkaktuar mijëra civilë të vrarë.

Gjenerali 60-vjeçar besohet se qëndron pas sulmit me raketa në stacionin e trenit në Kramtorsk, ku u vranë të paktën 52 civilë në përpjekje për t’u larguar drejt pjesës perëndimore të Ukrainës.

Dornikovit gjithashtu i është dhënë përgjegjësia për kontrollin e Detit të Zi dhe Krimesë, që u aneksua nga Rusia në 2014.

Raportet tregojnë se Putini kërkon që forcat e tij të marrin në kontroll pjesë të mjaftueshme të Ukrainës deri më 9 maj, që të deklarojë fitoren në përvjetorin e dorëzimit të nazistëve gjermanë në 1945, raporton ‘Daily Mail’.

Kundër parashikimeve, forcat e Kievit ia kanë dalë t’i bëjnë ballë ushtrisë ruse në disa rajone të vendit.

Me dobësimin e forcave ruse, ka dyshime se Moska nuk do të mundet dot të mbajë në kontroll pjesë të mëdha të Ukrainës për shkak të kryengritjeve lokale dhe kundër sulmeve ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës përllogarit se 19 mijë trupa janë vrarë që prej nisjes së pushtimit më 24 janar.


Video