Ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë është shkarkuar pasi deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës nuk duhet të quhet "luftë". Stefan Yanev shkaktoi një reagim pas një postimi në Facebook, në të cilin ai u bëri thirrje njerëzve "të mos përdorin lehtë termin "luftë"".
Në vend të kësaj, ai sugjeroi që të etiketohej një "operacion ushtarak", duke i bërë jehonë gjuhës së Presidentit rus, Vladimir Putin.
Yanev, i cili kishte shërbyer si kryeministër i përkohshëm i Bullgarisë vitin e kaluar dënoi megjithatë "agresionin e papranueshëm" të Moskës.
Por, kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov konfirmoi të hënën se Yanev ishte shkarkuar nga posti i tij.
Vendimi duhet të ratifikohet në mbledhjen e Qeverisë dhe më pas nga parlamenti të martën.
“Asnjë ministër në këtë qeveri nuk ka të drejtë të ketë politikën e tij të jashtme, veçanërisht në Facebook”, tha Petkov në një deklaratë.
“Asnjë ministër nuk mund t’i thotë qeverisë se qëndrimi i tij është në funksion të stabilitetit të kabinetit”, shtoi kryeministri.
“Kjo qeveri nuk do të ndjekë stabilitetin, do të ndjekë veprimet dhe qëndrimet e duhura parimore”, shtoi ai.
OJQ-të kishin bërë thirrje për dorëheqjen e Yanev prej disa ditësh për sjelljen e tij "të papërshtatshme", ndërsa një peticion në internet kishte mbledhur mijëra nënshkrime.
Petkov shtoi se nuk ishte në interesat kombëtare të Bullgarisë të "heshtet" ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe tha se qeveria duhet "të shprehë qartë një qëndrim që dënon këto politika dhe veprime".
"Kur shohim se një vend sllav po sulmon një vend tjetër sllav në një luftë vëllavrasëse, pa një arsye të vërtetë, duhet të themi qartë, kjo luftë duhet të ndalet," u tha Petkov gazetarëve të hënën.
“Ne, si BE, duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për t'i dhënë fund kësaj”, shtoi ai.
Në dhjetor, Yanev kishte hezituar të mirëpriste trupat e NATO-s në tokën bullgare, duke argumentuar se "kjo do të rriste tensionet në rajon".
Ish-gjenerali ushtarak është gjithashtu një aleat i ngushtë i presidentit bullgar Rumen Radev dhe kishte shërbyer më parë si zëvendëskryeministër, përpara se t'i jepej posti i kryeministrit kujdestar prillin e kaluar për disa muaj.