Pedofili anglez Robin Arnold, i dënuar me 15 vite burg për përdhunimin e një 13-vjeçari në një fondacion bamirës në Tiranë, është burgosur sërish në Britaninë e Madhe.
Mediat britanike raportojnë se Arnold ishte liruar me disa kushte nga burgu dhe ishte regjistruar si abuzues seksual i fëmijëve.
Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ai kishte krijuar afrimitet me disa familje emigrantësh afrikanë dhe me fëmijët e tyre pa u vënë në dukje se ishte i dënuar më parë për abuzim seksual ndaj të miturve.
Shkelja e këtij detyrimi ka bërë që një gjykatë në Britani ta dënojë tashmë 71-vjeçarin me 10 muaj burg. Sipas prokurorëve, fëmijët afrikanë e thërrisnin atë “dajo Bobi” ndërsa ai i joshte duke u berë dhurata të ndryshme.
Arnold ishte pjesë e një misioni të krishterësh kur abuzoi një 13-vjeçar në Tiranë. Ai u dënua në vitin 2010 me 15 vite e gjysmë heqje lirie, por në vitin 2012 u ekstradua për vuajtjen e dënimit në Birtaninë e Madhe.
Gjykata në atë kohë dënoi edhe Dino Kristodulun dhe David Braun pjesë e fondacionit të krishterë “Fëmijët e tij”, si dhe i shpalli “non-grata” nga Shqipëria.