Dy shqiptarë janë dënuar me nga 20 muaj burg, pasi u kapën në prill të këtij viti duke kultivuar kanabis në një banesë në Bangor të Uellsit.
Bëhet fjalë për 31-vjeçarin Indrit Balliu dhe 32-vjeçari Fatjon Tarja u dënuan me nga 20 vite burg secili, vendim që u dha nga gjykata e Caernarfon ditën e sotme.
Mediat britanike shkruajnë se dy shqiptarët ndodheshin në banesën e shndërruar në fermë kanabisi gjatë aksionit të policisë në 27 prill, dhe tentuan të arratiseshin duke dalë në tarracë, por përfunduan të rrethuar nga forcat e shumta të policisë.
Në banesë u gjetën plot 700 rrënjë kanabisi, të cilat sipas ekspertëve, nëse do të ishin kultivuar plotësisht, do të kishin prodhuar 50 kilogram drogë me vlerë 460 mijë paund.
Prokurorët argumentuan se dy shqiptarët kishin hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe dhe kishin zgjedhur me vetëdje të plotë të kultivonin kanabisin. Balliu dhe Tarja nuk kishin qenë viktima të grupeve kriminale, e për këtë arsye nuk përftuan nga rrethanat lehtësuese.