
Brazili ka marrë një kthesë në të majtë pasi ish-presidenti Luiz Inácio Lula da Silva mundi në zgjedhjet presidenciale presidentin aktual të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro.
Pas një fushate përçarëse, e cila pa dy rivalë të hidhur në anët e kundërta të spektrit politik, të shkojnë kokë më kokë, Lula fitoi 50.9% të votave. Mjaftoi të mposhte Jair Bolsonaro, mbështetësit e të cilit kishin qenë të sigurt për fitoren.
Është një rikthim mahnitës për një politikan që nuk mundi të kandidonte në zgjedhjet e fundit presidenciale në 2018 sepse ishte në burg dhe i ndalohej të kandidonte për postin. Ai ishte shpallur fajtor për marrjen e ryshfetit nga një firmë ndërtimi braziliane në këmbim të kontratave me kompaninë shtetërore të naftës braziliane Petrobras. Lula kaloi 580 ditë në burg para se t'i anulohej dënimi dhe t'i rikthehej sërish politike.
"Ata u përpoqën të më varrosnin të gjallë dhe ja ku jam," tha ai, duke nisur fjalimin e tij të fitores.
“Duke filluar nga 1 janari 2023, unë do të qeveris për 215 milionë brazilianët, jo vetëm ata që votuan për mua. Nuk ka dy Brazil. Ne jemi një vend, një popull, një komb i madh”, tha gjithashtu Lula da Silva.
Sondazhet sugjeruan që në fillim se ai do të fitonte zgjedhjet, por kur epërsia e tij në raundin e parë ishte shumë më e ngushtë se sa parashikohej, shumë brazilianë filluan të dyshonin në saktësinë e tyre.
Ai do të marrë qeverisjen në një kohe kur vendi ende po përpiqet të rikuperohet nga pandemia Covid-19. Përafërsisht 9.6 milionë njerëz ranë nën kufirin e varfërisë midis vitit 2019 dhe 2021, dhe shkalla e arsimimit dhe ndjekjes së shkollës ka rënë. Ky do të jetë mandati i tij i tretë, pasi më parë ka qeverisur Brazilin për dy mandate radhazi midis 2003 dhe 2010.