Jo vetëm dialog - Rama në "kundërsulm", nxjerr socialistët në terren dhe bën gati miratimin e ligjit kundër tubimeve

27 October 2026, 16:54Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Jo vetëm dialog - Rama në "kundërsulm", nxjerr

Kryeministri Rama jo vetëm që nuk do të dorëhiqet, por ka vendosur që t’i shtyjë socialistët e tij të jenë sa më aktivë, me kundërargumente për protestën që hyri në javën e tretë.

Ndërsa në shesh, ku herë me dhunë e herë pa dhunë i kërkohet largimi nga posti, mban ende të shtruar sofrën e gurtë me ftesat për dialog, brenda zyrës ndau porositë për ministrat dhe drejtuesit politikë, se si duhet të kundërpërgjigjen në këtë valë tubimesh.

Burimet i thanë A2 se mazhoranca qeverisëse do të ndërmarrë një aksion duke zbritur në terren, në përgjigje të protestave dhe pakënaqësive.

Në takimet me qytetarët, socialistët do të flasin për hapjen e “thesit” të qeverisë. Me dosjet e tyre do të shpjegojnë se si një pjesë e mirë e buxhetit të vitit të ardhshëm dhe paketa e strehimit do të shkojnë për shtresat më në nevojë të shoqërisë.

Strategjia e të majtëve nuk përfshin vetëm rrjetet sociale. Ata duhet t’i bindin shqiptarët nga afër se paratë e taksapaguesve për vitin 2027 do të shkojnë në shërbim të tyre.

Nga “thesi” i buxhetit të vitit të ardhshëm do të dëmshpërblehen edhe bizneset që janë dëmtuar nga protestuesit.

Drejtuesit politikë kanë për detyrë të shpjegojnë në bazë edhe paketën e masave, ku e para që parashikohet të marrë fuqi do të jetë kufizimi i tubimeve deri në 72 orë. Ky vendim pritet të kalojë me akt normativ në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Në këtë takim, socialistët, përveç miratimit të ligjeve të domosdoshme për integrimin në BE, do t’i heqin pluhurin edhe nismës ligjore për sponsorizimet.

Ajo pritet të përcaktojë parimet, rregullat dhe procedurat e sponsorizimit të veprimtarive me interes publik në Shqipëri. Ky projektligj, që deri tani ishte kyçur në sirtar, duket se tashmë ka marrë “OK”-in nga Ministria e Financave. 


Video