Projektligji për Bankën e Shqipërisë ka shkaktuar diskutime në Komisionin e Ligjeve, ku në qendër të tyre ishte mundësia e arrestimit të Guvernatorit për vepra penale që lidhen me ushtrimin e detyrës.
Neni 72 i projektligjit parashikon mbrojtje nga arresti në burg, arresti në shtëpi dhe masa të tjera shtrënguese, kur akuzat lidhen me funksionin e Guvernatorit.
Sipas zv.guvernatores së parë, Holta Zaçaj, kjo dispozitë synon të garantojë pavarësinë e institucionit dhe të shmangë presionet e mundshme ndaj tij.
Zaçaj sqaroi se, në rastet kur vepra penale nuk lidhet me detyrën, si për shembull një aksident rrugor me pasojë vdekjen, arrestimi mund të kryhet. Ndërsa për veprat që lidhen me funksionin, sipas saj, duhet të vlerësohet lidhja e akuzës me detyrën.
“Ne në nenin 72 kemi propozuar që arresti i guvernatorit nëse do të kërkohet duhet të verifikohet nëse ka prova të qenësishme dhe nëse vepra penale për të cilat kërkohet arresti ka lidhje me detyrën. Nuk është imunitet por dispozitë garantuese. Arsyeja pse mbrohet guvernatori, nuk mbrohet për shkak të të qenies së tij guvernator, mbrohet për shkak të elementit që të funksionojë i pavarur pa frikën që një ditë një organ i një pushteti tjetër vjen dhe e pengon për një arsye ose për tjetër për të ushtruar detyrën. Nuk mbrohet guvernatori si person. Ne mbrojmë institucionin duke mbrojtur guvernatorin”, tha Zaçaj.
Deputeti socialist Damian Gjiknuri kundërshtoi këtë parashikim, duke argumentuar se Guvernatorit po i jepen garanci që nuk i parashikon Kushtetuta. Ai paralajmëroi se një mbrojtje e tillë mund të kufizojë veprimtarinë e drejtësisë.
“Po i japim guvernatori me ligj ca garanci që nuk i ka askush veç presidentit… kjo është e tepërt. Ne pranojmë dështimin e drejtësisë, garancinë ta jep gjykata. Duhet të jetë në nivel kushtetues, por jo t’i jepet garanci që nuk e përcakton norma kushtetuese. Rasti i vetëm që bëhet bypass”, tha Gjiknuri.
Edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ngriti shqetësime lidhur me vështirësitë që mund të hasë prokuroria në mbledhjen e provave, nëse kufizohen kontrollet personale apo ato në banesën e Guvernatorit.
“Po në rastet kur kontrolli i banesës dhe kontrolli personal, kufizojmë hetimin? Si do ti gjejë provat prokurori?”, u shpreh Manja.