Institucionet që prodhojnë, transmetojnë dhe tregtojnë energjinë elektrike janë vënë “në radhë” nga dy oligarkët Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka. Në një konflikt të hapur interesi, firma GSA merret me tregtimin e energjisë elektrike, ku pasi e blen nga operatorët rajonalë, ia shet më pas KESH-it. Por, edhe kur ka “tepricë” në prodhim në Shqipëri, ajo bën rolin e ndërmjetësit.
Por e njëjta firmë, GSA, merret edhe me sistemin kontrollues të matjes së energjisë elektrike në OST, apo edhe me vendosjen e matësave të energjisë elektrike në banesa. Ajo ka fituar lehtësisht tendera të shpallura nga OSSH, OSHEE dhe OST, të cilat janë kompani shtetërore. Të gjitha tenderët i ka fituar pa garë dhe me dyshime të forta të paracaktuara.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar redaksia e VoxNews, dy oligarkët që renditen në top 10-shën e njerëzve më të pasur në Shqipëri, për 3 vite kanë marrë nga këto institucione plot 10 milionë euro. Dokumentet e hartuara nga këto institucione duket se i janë përshtatur më së miri GSA-së, e cila dita-ditës po zgjerohet edhe në fusha të tjera, duke u kthyer në një “lavatriçe” të mëdha të parave.

Specifikime si “punë të ngjashme” apo materiale të “certifikuara”, kanë skualifikuar të gjitha firmat e tjera që vetëm sa bëjnë rolin e vëzhguesit në këto tendera.
Duket se, drejtorët e institucioneve që prodhojnë, transmetojnë dhe tregtojnë energjinë, i përshtasin dokumentet si ti duan Shapllo dhe Orgocka. GSA-ja renditet kompania më e madhe që blen energjinë nga KESH dhe më pas ia shet OSHEE-së. Por, ajo shet dhe bën biznes me OSHEE-në për matësat e energjisë elektrike. Madje, e njëjta firmë bën edhe mbikëqyrjen e procesit. Nëse një firmë private i bën të gjitha këto, për çfarë shërbejnë zyrat shtetërore? Apo për të bërë dokumente dhe për të shpërndarë paratë sipas interesit të tyre.
Dokumenti i mësipërm, i siguruar nga VoxNews, është njoftimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, i cili në muajin korrik 2025, ka shpallur fituese firmën GSA në procedurën e lartë për mallra.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “blerje matësa lidhje të re, likuidim anomalish, verifikime sisteme matje me kërkesë klienti dhe/ose planë OSSH, në sistem matje, përfshirë aksesorët e nevojshëm”. Kohëzgjatja e kontratës ishte 120 ditë, ndërkohë që fondi ishte 3,786,409 euro pa TVSH.
“Me anë të kësaj ju informojmë se shoqëria ‘GSA’, bëri një ofertë prej 367 milionë lekësh” thuhet në dokument. Pra, nuk ka pasur asnjë firmë tjetër në garë, teksa GSA-ja mori të gjithë fondin e akorduar për këtë tender.
Njoftimi i fituesit është firmosur nga Darling Hoxha, i cili është drejtor i Drejtorisë Rajonale të OSSH-së në Tiranë. Vetë Darlingu është një vartës i Bledian Dalipit, drejtor i OSSH-së dhe Enea Karakaçit, administrator i kompanisë OSHEE group.
VoxNews shfletoi dokumentet shoqëruese të tenderit të sipërcituar, me një vlerë prej rreth 3.8 milionë euro. Ka dyshime se dokumentet e OSSH-së i janë përshtatur më së miri matësave që ka GSA apo edhe të pajisjeve të tjera.
Vetë drejtori i OSSH-së Blendian Dalipi ka firmosur në fund të specifikimeve teknike, si për t’u thënë të gjithë varësve në qytetet e Shqipërisë se “jepjani tenderat GSA-së”. Ai thotë se është e detyrueshme që furnizuesi të sigurojë certifikatat e fabrikës ISO 9001, raportet e testeve, duhet të ketë disa funksione. Disa specifikime shumë teknike kanë “përjashtuar” gjithë të tjerët.
Krahas matësave, Dalipi ka shkruar një mori kërkesash edhe për bokset ku vendosen matësat në banesat. Sërish të dhënat çuditërisht i përshtaten më së miri GSA-së.
Ai shkruan se pajisja e ofruar duhet të jetë konform standarteve SSH, EN, IEC, ndërkohë kanë edhe specifikime për tensionin, frekuencën, numrin e fazave, sistemin e tokëzimit.
E njëjta kompani që kishte matësat e bokset, përmbush edhe kriterin e vulave që vendosen në matësa. “Punët e ngjashme” kanë zbrapsur një mori firmash të tjera nga këto procedura, ndërkohë që Dalipi shkruan një mori karakteristikash për vulat, ngjyrë blu, numrin, trupin, të jenë me gdhendje laser etj, etj.
Të gjitha kërkesat duket se iu përshtaten më së miri firmës që edhe fitoi tenderin e majmë. Por, e njëjta firmë, sipas hulumtimeve që ka bërë VoxNews, ka fituar edhe 8 kontrata të tjera brenda 3 vitesh nga institucione që transmetojnë, shpërndajnë dhe tregtojnë energjinë elektrike. Shuma totalë që kanë përfituar oligarkët është plot 10 milionë euro!
Një skemë e pastër, ku GSA-ja veçse sa mbush arkat, duke i renditur dy pronarët e saj në 10 më të pasurit në Shqipëri. Në vitin 2024, OSSH i ka dhënë një tjetër tender të majmë kësaj firme. Procedura me objekt “blerje matësa lidhje të re, likujdim anomalish, verifikime sisteme matje me kërkesë klienti dhe/ose plane OSSH, në sistem matje, përfshirë aksesorët e nevojshëm” u fitua lehtësisht nga Shapllo dhe Orgocka.
Vlera e tenderit ishte 274 milionë lekë, ndërkohë që këto para jepeshin për vetëm 90 ditë (3 muaj). “Njoftojmë se ofertuesi i mëposhtëm ka marrë pjesë në këtë procedurë; shoqëria ‘GSA’, me vlerë 270 milionë lekë” shkruhet në dokumente. GSA-ja e uli ofertën me vetëm 40 mijë euro, teksa futi në xhep plot 2.7 milionë euro.
Sërish, s’pati asnjë konkurrent?! Arsyeja? “Punët e ngjashme” dhe “certifikimet” e pajisjeve. Por, nëse do t’i japësh vit pas viti kësaj firme miliona euro, përse e fut kushtin e punëve të ngjashme. Në këtë mënyrë ul konkurrencën dhe përjashton edhe firmat e huaja.
Ndërkohë, edhe në vitin 2023 firma GSA ka fituar lehtësisht një tender nga OSSH Durrës. Objekti i procedurës ishte “blerje matësa dhe aksesorë të sistemit të matjes” me vlerë 195 milionë lekë.
GSA-ja ofroi 191 milionë lekë. Një tjetër firmë “EV Engineering”, mori pjesë vetëm formalisht pasi nuk bëri asnjë ofertë. Një “lojë” që është ndjekur në të kaluarën ku zarfet hapeshin vetëm nëse kishte më shumë se 1 firmë në garë.
VoxNews shfletoi edhe tenderët e vitit 2022, ku sërish GSA-ja është favorizuar dukshëm nga OSSH. Dyshimet janë se dy oligarkët kanë bërë një qark të shkurtër deri sipër në qeveri, teksa favoret janë në disa vite.
Në atë vit, OSSH Durrës hapi një tender me objekt “blerje matësa 1 dhe 3 fazorë” me fond limit rreth 150 milionë lekë, ose rreth 1.5 milionë euro. GSA bëri një ofertë me vlerë 141 milionë lekë, ndërkohë në garë ishte edhe LIGUS me ofertë 149 milionë dhe “Aci Engineering” me vlerë 832 milionë lekë, një ofertë shumë herë më e lartë sesa fondi limit.
Ndërkohë, edhe oferta e kompanisë “LIGUS” u skualifikua për shkak se operatori nuk kishte paraqitur mostrat e kërkuara dhe nuk plotësonte kushtin “për furnizimet e ngjashme”. Megjithëse kishte 3 firmë në “garë”, sërish dy të tjerat u skualifikuan, një skemë dukshëm favorizuese për GSA-në, siç ka ndodhur rëndom gjatë gjithë kohës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.