Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, po vijon denoncimin e zaptimit të hapësirave publike nga biznese dhe qytetarë.
Kësaj herë, Braçe denoncoi zaptimin e trotuarit në mes të ish-Bllokut, ku prej 3 vitesh po ndërtohet kulla “The One”, me pronar vëllezërit Efthimi, të cilët kanë marrë leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Por, jo për të zaptuar trotuaret, por për ndërtim, megjithëse edhe leja që ka hulumtuar redaksia e VoxNews, ka një koefiçent shumë të lartë ndërtimi, mbi 70 % të sipërfaqes.
Në atë vend po ndërtohet një kullë 10 katesh, me disa funksione, ndërkohë që video e publikuar nga Braçe tregon arrogancën e ndërtuesve me gjithkënd.
Zaptim i plotë i trotuarit, madje rrethimi shkon deri në zonën e asfaltit.
Për të mos përmendur edhe mënyrën e ndërtimit, ku një nga zonat më të qeta të Shqipërisë, po kthehet në një kantier të madh ndërtimi, ku vetëm vëllezërit Efthimi kanë marrë disa leje dhe kanë projektuar disa të tjera.
Duket se “lufta” e qeverisë, qeveritarëve apo ministrave, me zaptimin e hapësirën publike i shërben më shumë këtyre ndërtyesve.
Nga njëra anë lirohen me të drejtë hapësirat me teneqe dhe llamarina dhe nga ana tjetër jepen leje për ndërtime kullash, edhe te zona të gjelbërta, siç është edhe ky rast që po trajton VoxNews.
Në fotot e gjendjes para se të fillonte pallati i Efthimëve, zona dukej mjaft e qetë dhe atje ishte një lokal 3 katësh, në harmoni të plotë me zonën dhe natyrën. Kishte lulishte, trotuar e gjithçka tjetër që i shërben komunitetit.
Ndërkohë, gjendja pas lejes së muajit mars 2022 është krejtësisht tjetër, beton, zaptime, tulla, llaç e zhumë.
Madje, ndërtimi është shumëfishuar, duke marrë me vete edhe trotuarin apo pjesën e betonit

Në datën 19 korrik, deputeti Erion Braçe, publikoi në vijim të punës së përditshme të tij një tjetër zaptim i hapësirës publike.
Ai shkoi në zonën e tij elektorale, ku prej muajit shtator 2025, do t’i përfaqësoj edhe në Parlament, për të denoncuar zaptimin e trotuarit nga një kullë.
“LIROJE OR TI, LIIIIIIROOOOOJEEEEEEE! NUK ESHTE E JOTJA! Mu në mes të Bllokut, urdhëroni - trotuar i zënë, rrugë e zënë, madje dhe pëmë të rrethuara. Kjo është arroganca dhe dhuna e parashumëve ndaj çdo infrastrukture e hapësirë publike. KËTA DUAN TË BËJNË VEÇ PARA, PA E VRARë MENDJEN HIÇ NËSE RRON I NDRYSHMI NGA KËTA APO JO! Ndaj them që rregullin në këtë qytet e prishin të fortët, kurrë të dobtit!
TANI INUV-i, POLICIA BASHKIAKE, INUK DO VIJË NDONJËHERË NË KËTO KANTIERE APO JO? Pa to, çdo gjë është me sikur, JO E VËRTETË!!” shkruan deputeti Braçe, teksa ka publikuar edhe një video të zaptimit tepër flagrant.

Por, kush janë të fortët që duan vetëm të bëjnë para dhe zaptojnë hapësira publike?! VoxNews ka mësuar se kompleksi quhet “The One” residencë dhe po ndërtohet në kryqëzimin e rrugëve “Vaso Pasha” dhe “Brigada VIII”, aty ku ishte më parë lokal ‘Tribeca”.
Bëhet fjalë në zonën më të lakmuar të ish-Bllokut, teksa leja është dhënë në vitgin 2022. Firmat ndërtuese janë “Texas Development” dhe “Daton”, të zotëruar nga vëllezërit Alban, Andi dhe Olsi Efthimi (Eftimi), si dhe Arjan (Orion) Cenalla.

Mësohet se vëllezërit Efthimi zotërojnë gjithashtu studion “Atelier 4”, e cila ka projektuar “The One” dhe të paktën tre kulla të tjera në ish-Bllok: 9-katëshi te “Rruga Moskat” dhe dy 11-katësha te rruga “Nikolla Tupe” dhe “Sami Frashëri”.

VoxNews ka shfletuar vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, të datës 16 mars 2022, për miratimin e “lejes së ndërtimit për objektin godinë banimi dhe shërbimi 8, 9 dhe 10 kat me 4 kate nëntokë”.
Mësohet se vendimi është me numër 20, teksa analizon edhe gjendjen egzistuese të truallit.
“Zona përfshin zhvillimin e parcelave private. Në lindje të parcelës ndodhet Rruga ‘Vaso Pasha’, në veri kufizohet nga rruga ‘Brigada 8’ dhe në perëndim ndodhet një objekt banimi dhe shërbimesh 12 kate, ndërsa në jug nga një objekt tjetër 7-8 kate. Trualli për shfrytëzim ka një sipërfaqe prej 1284 m². Aksesi i këmbësorëve në objekt do të jetë nga dy drejtime, nga rruga ‘BRIGADA 8’ dhe nga rruga ‘Vaso Pasha’ duke vijuar përgjatë anës jugore. Në katin përdhe krijohet një pasazh kalimi veri-jug” thuhet në këtë vendim.
Sipas saj, kati përdhe ka funksion ambjente shërbimi të cilat aksesohen nga pjesa e jashtme.
Pjesa tjetër e pronës shfrytëzohet si ambjent rekreativ për banorët. Në vendim duket se ka një orientim të këmbësorëve, si zvogëlimi i hapësirës publike madje edhe e trotuarit.
“Objekti është konceptuar si një lojë volumesh të prera diagonalisht duke krijuar shkallëzime në vertikalitet. Gjurma e zënë nga struktura merr 70.6% të territorit për zhvillim me një sipërfaqe prej 907 m² dhe me sipërfaqe ndërtimi 8423 m²” shkruhet në vendim.
Pra, nga një zonë me hëpësirë të bollshme u kthye në një masiv të stërmadh betoni dhe zaptim të të gjithë lulishtes.
Por, nëse do që të lirosh ambientet publike, përse i zapton me leje të mëdha. Me komplekse dhe me dhjetëra apartamente.

Zona e ish-Bllokut është një nga më të shtrenjat për metër katrorë. Mësohet se në kullë do të jenë mbi 50 apartament, ku do të ketë edhe 4 + 1, apo edhe dyqane dhe zyra.
Në letër shkruhet se zona përfshin zhvillimin e parcelave private.
“Struktura do të ndërtohet duke respektuar edhe distancat sipas kritereve përcaktuese të PDV. Gjatë përpilimit të projektit janë zbatuar të gjitha masat e nevojshme për të zbutur ndikimin e strukturave të ndërtimit në ambientin rrethues, në mënyrë që të lejohet integrimi me zonën përreth, duke pasur parasysh dhe mbjelljen e pemëve, krijimin e një hapësire të jashtme të sistemuar e të mobiluar” shkruhet në vendim.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.