Një mesazh nga një numër telefoni shqiptar ka mbërritur në adresat e mijëra abonentëve të Raiffeisen Bank.
Mesazhi synon që klientëve t'u merren të dhënat e llogarisë bankare dhe më pas t'u vidhen.
Por, pavarësisht se ka pasur tentativa edhe më parë për vjedhjen e të dhënave, shqetësuese është mos reagimi i bankës së nivelit të dytë.
Asnjë njoftim nuk është bërë publik nga ana e bankës, as informues e as denoncues. Në të tilla raste, kur mashtruesit përmendin një institucion, qoftë ky bankar, ka gjithmonë reagim.
Kjo me qëllim që klientët të mos mashtrohen dhe mos t'u vidhen të dhënat.
Nuk dihet se përse kjo heshtje, të paktën në publik, ndërkohë që në të tilla raste duhet orientim dhe më pas referim të rasteve te organet ligjzbatuese.
Të tilla situata sjellin pasiguri, ku të dhënat bankare janë shpeshherë në qendër të sulmeve.
Sidomos në këto kohëra, ku të gjithë i kanë në telefona dhe pagesat bëhen edhe online, pa një kartë fizikisht.

VoxNews ka mësuar se mesazhi ka mbërritur te numrat e telefonit të abonentëve të Raiffeisen Bank. Ka dyshime se sistemet e bankës mund të jenë pre e ndonjë sulmi kibernetik.
Dhe, duke marrë numrat dhe të dhënat e klientëve, hakerat u kanë nisur edhe mesazhin.
"Raiffeisen: Per te shmangur pezullimin e sherbimeve tuaja, ju lutemi konfirmoni identitetin tuaj para 21 korrikut nepermjet: https://raiffeisen-rinovoj.com", është përmbajtja e mesazhit.
Dhe, për ta bërë sa më të besueshëm që pas këtyre rreshtave fshihet banka, numri nga i cili kanë ardhur këto mesazhe është "069 846 1123".
Një skemë e sofistikuar, pasi numri është shqiptar, madje edhe teksti. Personat apo grupet që fshihen pas këtij mesazhi, synonin pikërisht klientët.
I adresojnë te një faqe interneti, ku pasi jepen të dhënat, atëherë e gjithë llogaria ishte pre e vjedhjes.
Në këtë rast kemi të bëjmë me mashtrime me pasoja të rënda, ndërkohë më e ccuditshme, të paktën në publik, ngelet mosreagimi i Raiffeisen Bank!
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.