Koncesioni i Sterilizimit në vitin e fundit; arrestime, gjyqe, fitime dhe xhiro vjetore 18 milionë euro nga shteti!

20 Korrik 2025, 18:03Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Beqaj/ Edi Rama

Në fund të këtij viti, do të përfundojë një nga kontratat më problematike të ndërmarra nga qeveria shqiptare, koncesioni i sterilizimit.

Mësohej se fillimisht koncesioni ishte parashikuar në vlerën e 100 milionë eurove, për të financuar sterilizimin e pajisjeve dhe sallave kirurgjikale në të gjitha spitalet e Shqipërisë, ato Universitarë, Rajonalë apo edhe Lokalë.

Por, nga viti në vit, kostoja është shtuar, madje në vlera tepër të mëdha, ku xhiroja vjetore e qeverisë për firmën “Sani Servicë” arrin deri në 18 milionë euro në vit.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, shifra e sipërpërmendur është xhiruar vetëm në vitin 2024, ndërkohë që përgjatë këtyre 9 viteve, kostoja është rritur dhe mund të kap shifrën e 150 deri në 160 milionë euro.

Dhe, ku ka para’ ka edhe abuzim, pasi një pjesë e mirë e zyrtarëve që vlerësuan ofertat e sterilizimit në Ministrinë e Shëndetësisë apo edhe biznesmenë janë në burg dhe u hetuan nga SPAK-u.

Koncesioni është finalizuar në muajin dhjetor 2015, ku ministria e Shëndetësisë firmosi një kontratë 10-vjeçare me kompaninë “Sani Service”.

Ndërkohë, në gush të vitit 2023, SPAK-u lëshoi 8 urdhër arreste për zyrtarë të lartë dhe pronarët e koncesionit, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, korrupsion pasiv dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në gara.

Madje, hetimet zbuluan se mungonte nga arkiva edhe kontrata origjinale e koncesionit. Nga hetimet rezultoi se studimi i fizibilitetit ishte kryer me të dhëna të rreme.

Mësohet se firma përfituese e koncesionit “Sani Service” zotërohet nga 4 ortakë, “Servizi Italia” me 30 %, “Tecnosanimed” dhe “TRD” me 15 % si dhe “Investital” me 40 % të kuotave.

Firma “Investital” është e regjistruar në Kosovë me pronar Ilir Rrapaj, i cili është në arrest nga SPAK-u, sëbashki me ish zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Madje, për Sterilizimin ka masë sigurie (detyrim paraqitje) edhe ish-minsitri Ilir Beqaj.

Koncesioni i Sterilizimit në vitin e fundit; arrestime, gjyqe, fitime dhe
Faksimile: Në vitin 2024, kompania koncesionare xhiroi 18 milionë euro, 3.2 milionë më shumë sesa në vitin 2023

Redaksia e VoxNews ka hulumtuar bilance dhe dokumente të paraqitura nga firma koncesionare organeve shtetërore.

Në vitin 2023, firma “Sani Service” me SPAK-un nëpërkëmbë xhiroi një vlerë prej 14,8 milionë euro.

Ndërkohë, në vitin 2024 kur hetimet po vijonin dhe kishte edhe masa sigurie, shteti i xhiroi kësaj firme koncesionare plot 18 milionë euro. Plot, 3.2 milionë më shumë sesa një vit më parë.

Ngutja e organeve shtetërore për t’a paguar mund të përkthehet se “kokat” që vendosën koncesionin në 2015-ën mund të mos jenë goditur.

Nga momenti i finalizimit të hetimit e deri më sot, shteti i ka paguar kësaj firme rreth 33 milionë euro. Ose sa 1\3 e vlerës së përgjithshme të koncesionit të miratuar.

Duket se kostot janë fryrë dhe janë lidhur marrëvesje ndoshta nën rrogoz mes ministrisë dhe firmës, për të vijuar edhe koncesionin.

Sëpata ra vetëm në disa “peshq të vegjël”, ndërkohë që paratë vijojnë të vërshojnë lumë.

Ka dyshime se firmat italiane që operojnë në këtë koncesion kanë fryrë stafin dhe kanë shtuar pajisje, teksa e gjitha në kurriz të taksapaguesve shqiptare.

Padyshim që ky është një rast i pastër korrupsioni, i cili megjithëse u godit, sërish s’e ka ndaluar rubinetin e parave.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga firma në QKB, shteti adminsitron vetëm një pjesë të aksioneve (40 % të Ilir Rrapajt), ndërkohë që pjesa tjetër vijon të shkojë te firmat e tjera.

Koncesioni i Sterilizimit në vitin e fundit; arrestime, gjyqe, fitime dhe
Faksimile: Firma doli me një fitim në vitin 2024 prej 760 mijë eurosh

Në dokumentet e publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, firma koncesionare shkruan se “shoqëria është e shpërndarë në 29 qendra spitalore në të gjithë territorin”.

Ajo operon ndërhyrje me kompleksitet të ulët, me kompleksitet të mesëm, të lartë dhe paketime me avull.

“Shoqëria ‘Sani Service’ gjatë vitit 2024, ka ofruar shërbimin e saj në të 29 qendrat spitalore për një total prej 65,266 ndërhyrjesh dhe 100,743 paketime me avull. Gjatë vitit 2024, shoqëria ka faturuar një total prej 1,830,928,249 lekë nga aktiviteti i saj, i detajuar sipas Drjetorive Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, thuhet në këto dokumente.

Sipas saj, ecuria e shërbimit të ofruar nga shoqëria koncensiore është ngushtësisht e lidhur me politikat e programimit të zbatuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjë që ndikon në numrin e ndërhyrjeve mujore të programuara në secilën nga qendrat spitalore.

Pra, e thënë më thjeshtë, firma koncesionare justifikohet se shuma e lartë që arkëton është “falë” ministrisë dhe politikave të saj.

Në bilance, “Sani Service” shkruan se në vitin 2024, “në bazë të akteve rezulton se rezultati ushtrimor - FITIM - pas tatimit të vitit 2024 është 67,591,156 lekë”.

“Ortakët propozojnë që fitimi të mos shpërndahet dhe të përdoret për rezerva ligjore dhe për investime”, thuhet në dokumente.

Duket se kjo është një “hile” e paraqitur nga firma, pasi të xhirosh 18 milionë euro dhe të fitosh vetëm 675 mijë euro, vetëm firmat në vendin tonë e kryejnë.

Madje, arrijnë që të paguajnë 270 punëtorët dhe një seri konsulencash të tjera.

Ka dyshime se koncesionari ka fryrë ksotot që të mos paguajë detyrime të tjera në shtet, por të veprojë njëjtë si firmat e tjera që vijojnë vetëm të rrjepin nëntokën shqiptare apo taksat e banorëve të varfër të Shqipërisë.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video