Rikonstruksioni i Rinasit nga ‘Kastrati’ shkon sa ndërtimi i një aeroporti të ri, dyshime për fryrje kostosh

24 March 2022, 19:08Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rikonstruksioni i Rinasit nga ‘Kastrati’ shkon sa ndërtimi i

Krahasimi i kostos së ndërtimit të Aeroportit të Vlorës me koston e zgjerimit të terminalit të pasagjerëve dhe të pistës së Aeroportit të Tiranës ngre dyshime se në rastin e dytë, kompania “Kastrati” ka fryrë shumat për të justifikuar zgjatjen e koncesionit nga 22 në 35 vite.

Në shifra, Aeroporti i Vlorës, sipas projektit të prezantuar një vit më parë do t’u kushtojë taksapaguesve rreth 130 mln euro. Në këtë shifër përfshihet ndërtimi i pistës, i terminalit të pasagjerëve dhe i gjithë infrastrukturës tjetër të nevojshme për operimin e tij.

Sipas projektit, me këtë vlerë Aeroporti i Vlorës do të jetë në gjendje që të realizojë fluturime direkte drejt SHBA dhe vendeve të tjera më të largëta. Për këto udhëtime kërkohen pista të caktuara, më të gjata dhe standarde sigurie më të larta dhe të cilat nuk i ofron dot sot Aeroporti i Rinasit.

Por çfarë ndodh? Për të shndërruar aeroportin e Rinasit një aeroport për fluturime transoqeanike do të duhen rreth 100 mln euro. Pra, Kastrati do të shpenzojë këtë shifër vetëm për zgjatje piste dhe zgjerim terminali për pasagjerët, leja për të cilat u dha pak ditë më parë nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Investimi do të kryhet nga paratë e “Kastratit”, por dyshimet që ngrihen lidhen me shifrën dhe diferencën e madhe mes dy aeroporteve. Pra, në Vlorë ku do të ndërtohet një aeroport krejtësisht nga e para, kostoja përllogaritet rreth 30 mln euro më shumë se rikonstruksioni që kompania “Kastrati” thotë se do t’i kushtojë zgjerimi dhe modernizimi i Rinasit.

Dyshimet për fryrjen e kostove mund të lidhen me dy arsye. Së pari, “Kastrati” e ka përdorur për të justifikuar zgjatjen e kontratës koncesionare me 13 vite dhe së dyti për të mbajtur në nivele të larta çmimet e biletave dhe të shërbimeve të tjera në këtë Aeroport, pavarësisht se në krahasim me koncesionarin e mëparshëm, çmimet kanë pësuar një rënie.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video