SPAK me dy shpejtësi - Një për qytetarët, një për zyrtarët. Koncesioni që po ‘sterilizon’ arkën e shtetit

23 March 2022, 18:18Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
SPAK me dy shpejtësi - Një për qytetarët, një për
Kreu i SPAK, Arben Kraja

SPAK dhe Gjykata e Posaçme të krijuara pas reformës në drejtësi të 2015-n e nisën punën në 2020 duke dënuar një qytetar me akuzën korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Rasti u shndërrua në meme në rrjet, pasi i dënuari akuzohej se ishte përpjekur që t’i ofronte një mijë lek një efektivi të policisë rrugore në përpjekje për të shmangur gjobën.

Megjithatë, në këtë rast SPAK dhe GJKKO zbatuan vetëm parashikimet e ligjit në atë kohë, që vetëm disa muaj më vonë do ta hiqte korrupsionin e rëndomtë, pra atë me vlera të vogla monetare nga juridiksioni i strukturave të posaçme, qëllimi i të cilave është një tjetër.

Ligji u zbatua dhe me shpejtësi ‘rrufe’ u kryen hetimet, u çua dosja në gjykatë dhe qytetari u dënua me 120 orë punë në komunitet.

Fill pas këtij rasti dhe shndërrimit në meme, SPAK kërkoi nga Kuvendi që të ndërhyhej në ligj dhe të vendosej një kufi minimal për shumat monetare për akuzat e korrupsionit, të cilat duhet të ishin nën juridiksionin e kësaj strukture. Kufiri minimal u vendos 50 mijë lek.

Por, SPAK duket se vepron me dy korsi shpejtësie; njëra për qytetarët dhe tjetra për të zyrtarët, ish-zyrtarët dhe të pushtetshmit. Të tillë persona ka dyshime se janë të përfshirë në dosjen e dorëzuar nga Nisma Thurje, që në 2019-n, në ditën e parë të nisjes së punës së SPAK, për koncesionin e sterilizimit të mjeteve spitalore.

Në këtë aferë, sipas padisë së dorëzuar nga Nisma Thurje kërkoi nisjen e hetimit penal ndaj zyrtarëve të përfshirë në dhënien e këtij koncesioni me akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion pasiv duke përdorur pushtetin publik për përfitime private.

Hetimet për këtë dosje janë ende në fazë paraprake, ashtu siç u klasifikuan që në ditën e parë që Nisma Thurje dorëzoi padinë. Nga gjitha moria e akuzave që pretendohej në padi, vetëm ajo e shkeljes së barazisë në tendera parashikon përgjegjësi penale për funksionarët e përfshirë në këtë koncesion, nëse provohet se është korruptiv.

Por, çfarë ka ndodhur? Mosavancimi i hetimeve në fazën tjetër ka aktivizuar nenin 66 të Kodit Penal, që flet për parashkrimin e veprës penale, ose e thënë më thjesht ndalimin e marrjes si të pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera të zyrtarëve, pasi ka kaluar afati dyvjeçar, prej momentit kur është ngritur padia.

Koncesioni që po ‘sterilizon’ arkën e shtetit

Kontrata për këtë PPP u firmos në dhjetor 2014 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë, ndërsa sipas një raporti të KLSH, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lek të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

Për më tepër, kontrata parashikon çdo vit rritjen e kostos së shërbimit dhe nga rreth 70 mln euro që u parashikua kur u tha në dhjetor të 2015-s, ajo u rrit në rreth 135 mln euro në vitin 2020 dhe shifra mund të kërcejë në mbi 170 mln euro deri në përfundim të koncesionit, që është maji i 2025-s.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video