Ekskluzive: Dokumentet ku Ahmetaj firmos për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit që Kryemadhi e mohon

6 Korrik 2022, 19:11Investigim SHKRUAR NGA ENDRIT HABILAJ
Zevendëskryeministri Arben Ahmetaj

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka folur sërish në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Në një emision televiziv të martën, ajo ka përsëritur se përgjegjës është Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj.

Ajo që vihet re është që Kryemadhi kujdeset në mënyrë të veçantë që të heqë Arben Ahmetajn nga të gjitha përgjegjësitë.

Në emisionin “Open”, gazetarja Klodiana Lala e pyeti Kryemadhin nëse posedon fakte konkrete dhe dokumente që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, sekretarin e Kryeministrisë Engjëll Agaçi apo edhe vetë kryeministrin Edi Rama në këtë skemë.

Kryetarja e LSI ‘zbuloi’ se ka prova që kryeministri përfshihet në firmosjen e inceneratorëve të Tiranës dhe të Fierit, ndërsa ka akuzuar sekretarin e Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, që me ndërhyrjen e tij direkte ka çuar përpara në shkelje të ligjit skemën e mashtrimit me inceneratorin e Elbasanit.

“Për Arben Ahmetaj nuk ka firmë as në Elbasan dhe as Fier. Nuk e di se cili është implikimi i tij në inceneratorin e Tiranës,” thotë Kryemadhi.

Në të vërtetë ky është një mashtrim, që nuk vjen nga padia, por nga fakti se Arben Ahmetaj dhe Ilir Meta janë bashkëpunëtorë në goditjen e Ramës për çështjen e inceneratorëve.

Disa javë më parë Voxnews.al ka siguruar ekskluzivisht një dokument ku Arben Ahmetaj është shprehur parimisht dakord për dhënien me koncesion të inceneratorit të Elbasanit, përmes një shkrese që i ka dërguar Ministrisë së Mjedisit më 14 nëntor 2014.

Ekskluzive: Dokumentet ku Ahmetaj firmos për inceneratorët e Elbasanit
Shkresa e firmosur nga Ahmetaj

Shkresa që Arben Ahmetaj i ka dërguar Lefter Kokës është bërë në cilësinë e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, post që e mbante në atë kohë në kabinetin “Rama 1”, kur ministër i Financave ishte Shkëlqim Cani.

“Në lidhje me shkresën tuaj...për dhënien me koncesion/ppp të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë elektrike me procedurën përzgjedhëse me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, që i jepet shoqërisë “Alb-Tek” Shpk, shprehemi parimisht dakord”, shkruan Ahmetaj në përgjigjen që i kthen Lefter Kokës.

Por kjo është vetëm një prej shkresave pasi Vox News ka siguruar edhe një tjetër shkresë për inceneratorin e Fierit.

Bëhet fjalë për një shkresë të datës 8 gusht 2016 kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Financave.

Në përgjigje të një shkrese të Lefter Kokës, ministri i Financave në atë kohë, Arben Ahmetaj, jep miratim edhe për mbështetjen financiare për inceneratorin e Fierit.

Ekskluzive: Dokumentet ku Ahmetaj firmos për inceneratorët e Elbasanit
Shkresa per inceneratorin e Fierit

Këto janë vetëm dy nga shkresat e shumta që Arben Ahmetaj ka firmosur për inceneratorët. Ajo që e bën ndryshe nga ish-kolegu i tij Lefter Koka, është se Ahmetaj ka qenë bashkëpunëtor me Metën dhe Kryemadhin në këtë denoncim për të dëmtuar qeverinë dhe nuk ka shkuar në burg pasi dyshja presidenciale nuk e ka denoncuar. 

Kjo marrëveshje e heshtur mes tyre ka bërë që Ahmetaj të jetë ndër personat e padëshiruar nga kryeministri Rama.

Thuajse të gjitha daljet e tyre sëbashku janë eliminuar, duke bërë që Rama dhe për punë që lidhen direkt me rindërtimin të ketë në krah ministren Balluku apo Ibrahimaj.

Shkresat më lart nuk provojnë vetëm implikimin e Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve, por dhe selektivitetin e partisë së Metës për të goditur ish-bashkëpunëtorët, të cilët e braktisën dhe kaluan te Partia Socialiste.

Por gjithashtu provojnë dhe mungesën e profesionalizmin të SPAK që bën hetime vetëm nga deklaratat e LSI dhe nuk thellohet për të pasur një hetim të plotë dhe për të nxjerrë të gjithë përgjegjësit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video