Shqipëria dështon edhe në Arbitrazh, gjoba 44 mln euroshe për rrugën Tiranë-Elbasan merr formë të prerë

20 Qershor 2022, 19:44Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shembja e rrugës Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit

Shqipëria dështoi që të përmbysë një vendim të shtatorit 2020 të Arbitrazhit të Parisit dhe është urdhëruar që t'i paguajë konsorciumit të ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan mbi 44 milionë dollarë fatura dhe taksa të papaguara, plus 1 milion dollarë shpenzime gjyqësore.

Vendimi u mor nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris në fund të gushtit fillim të shtatorit 2020. Shqipëria e kundërshtoi përmes Avokaturës së Shtetit, por pa sukses.

Autostrada Tiranë-Elbasan filloi ndërtimin në fund të vitit 2012, e financuar me një kredi prej 220 milionë dollarësh nga Banka Islamike për Zhvillim. Ndërtuesi ishte një konsorcium greko-kuvajtian i përbërë nga Copri Construction Enterprises ËLL e Kuvajtit dhe kompania greke, Actor SPA.

Një mosmarrëveshje mes konsorciumit të ndërtimit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar lindi në vitin 2015, kur ndërtuesi ka paraqitur dy kërkesa për pagesën e kostove shtesë të ndërtimit dhe zgjatjen e afatit të ndërtimit, përkatësisht për Segmentin III (Tiranë deri në hyrje të tunelit), për shkak të rrëshkitjes së dheut në Ibë dhe segmentin I, (nga dalja e tunelit për në Elbasan) të autostradës, edhe këtu për shkak të rrëshkitjes së dheut në dalje të tunelit.

Kostot shtesë të kërkuara nga ndërtuesi ishin afërsisht 31.2 milion dollarë për Segmentin I dhe afërsisht 14 milion dollarë për Segmentin III. Sipas kontratës, këto kërkesa u vlerësuan nga inxhinieri i pavarur i projektit - kompania libaneze Spectrum Engineering Consultants SARL., që i vlerësoi përkatësisht 25.2 milion dollarë dhe rreth 11.7 milion dollarë.

Qeveria shqiptare nuk ishte dakord me vlerësimin e inxhinierit të pavarur që pretendonte një kosto më të ulët, por as ndërtuesi nuk ishte dakord me vlerësimin duke insistuar në koston e paraqitur prej tij. Për rrjedhojë, palët duhej t'i nënshtroheshin procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Për shkak se organi i parashikuar në kontratë për zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve, nuk u krijua Bordi i Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, palët ranë dakord të krijonin për çdo rast mosmarrëveshje një bord të posaçëm të quajtur Bordi për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve.

Ky bord duhet të përbëhet nga tre anëtarë, një përfaqësues nga secila palë dhe një kryetar i zgjedhur me konsensus nga dy përfaqësues.

Për të mundësuar këtë zgjidhje të rënë dakord ndërmjet palëve, kontrata fillestare duhej të ndryshohej në një marrëveshje ndërmjet palëve. Shtesa u nënshkrua në korrik 2017 nga përfaqësues të konsorciumit Copri e Aktor dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar në atë kohë, Dashamir Xhika.

Për dy pretendimet e pakoordinuara për dëmshpërblim, u ngrit një bord i posaçëm për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve, në shtator dhe tetor 2017. Bordi e gjeti të drejtë vlerësimin e inxhinierit duke konfirmuar vlerën e kostove të papaguara të qeverisë për ndërtuesin për çdo segment rrugor.

Sipas ndryshimit të kontratës, nëse asnjëra palë nuk e kundërshton vendimin e bordit brenda një afati të caktuar, ai bëhet i detyrueshëm. Autoriteti Rrugor nuk e kundërshtoi vendimin brenda afatit dhe për rrjedhojë u bë i detyrueshëm deri në dhjetor 2017 pagesa e ndërtuesve.

Autoriteti refuzoi të bënte pagesën, ccka detyroi ndërtuesin t'i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris. Përveç pagesës së detyrimit për koston e punimeve, ndërtuesi ka kërkuar edhe pagesën e TVSH-së për këto punime.

Nga ana e saj, qeveria e kundërshtoi padinë e ndërtuesit me disa argumente teknike, duke pretenduar tre pika:

Së pari, ndryshimet e bëra në kontratën për ngritjen e bordit miqësor janë bërë në mënyrë të parregullt ligjore dhe në kundërshtim me vetë kontratën, për rrjedhojë janë të pavlefshme dhe për pasojë vendimet e bordit janë të pavlefshme.

Së dyti, duke qenë se ndërtuesi është i regjistruar si shoqëri aksionare në Tiranë dhe ndryshimet në kontratë janë ndryshime administrative, vlefshmëria e këtyre ndryshimeve është juridiksion i sistemit gjyqësor administrativ administrativ shqiptar dhe jo i arbitrazhit ndërkombëtar.

Së treti, edhe qeveria kundërshtoi pagesën e TVSH-së me arsyetimin se punimet e financuara nga kredia janë të përjashtuara nga TVSH-ja.

Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Arbitrazhit vendosi të pranojë pretendimin e ndërtuesit duke urdhëruar qeverinë të paguajë: një kosto shtesë e papaguar për ndërtuesin në vlerën e vendosur nga inxhinieri mbikëqyrës i pavarur prej rreth 36.9 milion dollarë - 25.2 milion dollarë dhe 11.7 milion dollarë, përkatësisht, për Segmentin I dhe Segmentin III.

Pagesa e TVSH-së për koston e mësipërme rreth 7.4 milionë dollarë. Kostoja e arbitrazhit kushton rreth 593 mijë dollarë. Kostoja e paditësit, palës fituese, në shumën 162 mijë dollarë. Në total, qeveria duhet të paguajë rreth 45.1 milion dollarë - 44.3 milion dollarë kosto të papaguara plus TVSH-në dhe rreth 761,000 dollarë kosto të procesit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video