Në kohën kur mbrojmë Vjosën me zhurmë, Bashkim Ulaj shkatërron Valbonën në heshtje

14 Qershor 2022, 20:09Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në një kohë që shoqëria civile është investuar me zhurmë në mbrojtjen e Vjosës në jug të vendit, në veri po shkatërrohet në heshtje nga Bashkim Ulaj një prej perlave të Alpeve. Beton e hekur po hidhet në shtratin e Valbonës, pavarësisht se zona gëzon statusin e mbrojtjur ligjërisht dhe teorikisht qeveria i ka dhënë prioritet turizmit dhe agro-turizmit.

Siç shihet në dy video më poshtë të siguruara nga Voxnews.al, pritat e betonit dhe të kanalizimeve kanë shteruar rrjedhën normale të lumit, duke rrezikuar faunën dhe florën e kësaj zone.

Shkatërrimi i natyrës dhe sfida që Bashkim Ulaj u ka bërë autoriteteve në këtë zonë nuk është risi. Dy hidrocentrale të ndërtuara prej tij pa leje mjedisore dhe ndërtimi janë ende në këmbë, megjithë vendimin e Gjykatës së Lartë që urdhëroi pezullimin e tyre.

Përveç kësaj, ndaj Bashkim Ulajt janë hedhur akuza se ka kërcënuar, paditur e shantazhuar banorët vendas dhe shtetasen amerikane Cathrine Bohne të Shoqatës Toka për shkak të kundërshtimit të ndërtimit të HEC-eve në zonën e mbrojtur.


Shtetasja amerikane Cathrine Bohne dhe ish-nënkryetari i Bashkisë së Tropojës, Kasmet Ponari, themelues të shoqatës “Toka” pohuan këtë gjatë një interviste televizive pak kohë më parë.

“Mua më kanë thënë personalisht: “Çfarë ke ti? Ti nuk je prej Valbone”. Gjëra të tilla në tentime për konflikte. Jo vetëm formë presioni, por edhe kërcënim. Unë kam bërë kallëzim dhe denoncim dhe një herë u bë mediatike”, tha Ponari.

Ai thotë se pikërisht kundërshtimi i HEC-eve në Valbonë ka qenë edhe arsyeja se përse e kanë shkarkuar nga detyra e nënkryetarit të Bashkisë së Tropojës. Ndërkohë, shtetësja amerikane, Cathrine Bohne u shpreh se fakti që ka pasaportën amerikane e ka mbrojtur disi nga kërcënimet e drejtpërdrejta, por deklaron se është paditur në gjykatë për prishje imazhi.

“Janë pak më të kujdesshëm ndaj meje, sepse kam pasaportë amerikane. Më kanë ngritur një paadi për dëmtim imazhi dhe kanë kërkuar dy milionë lek prej meje, sepse ka shkruar keq në Facebook dhe kam folur për mediat”, deklaronte ajo.


Shtetasja amerikane, që ka bërë Tropojën shtëpi të saj prej vitit 2009 thotë se gjatë të gjithë kësaj përplasje dhe kohe ka kuptuar se problemi është te mosfunksionimi i shtetit.

“Ne jemi në një pikë që HEC ka përfunduar. Sot është problem mjedisor, por ai ekziston, sepse shteti nuk funksionon, sistemi nuk funksionon. Kur HEC nuk kishte leje ndërtimi kemi bërë një denoncim për krim penal, sepse njëri u arrestua se po ndërtonte një stan pa leje. Por, prokurori i Tropojës ka dashur dy vite për të hetuar. Se ça kishte për të hetuar, që ka leje apo jo, kaq! Unë më vonë kam mësuar se ligji nuk lejon hetimet pas 3 muajsh”, deklaron Bohne.

Ata denoncojnë se edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë që u dha të drejtë shoqatës “Toka” po përballen me zvarritjet e zyrës përmbarimore shtetërore për të ekzekutuar vendimin. Sipas tyre, përmbarimi i shmanget detyrave që ka me arsyetime nga më të çuditshmet. Në një rast krejt absurd dhe joligjor u ka thënë se gjykata e Tropojës kishte marrë një vendim që kishte rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit.

Në një rast tjetër i ka këshilluar që për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë të paguajnë një përmbarues privat për të kryer të njëjtën detyrë.

HEC-et në Valbonë kanë përfunduar, çfarë “pezulloi” Gjykata e Lartë?

Vendimi i Gjykatës së Lartë për të pezulluar punimet te dy hidrocentralet e ndërtuar në Lumin e Valbonës është ilustrimi më i mirë i postulatit se “drejtësia e vonuar, është drejtësi e munguar”.

Absurdi është se Gjykata e Lartë urdhëroi pezullimin e punës për ndërtimin e HEC-it të Dragobisë dhe HEC-it të Ceremit, ndërkohë që puna për ndërtimin e këtyre dy HEC-eve ka përfunduar. Në raportin e Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2020, të dy hidrocentralet bëjnë pjesë në listën e HEC-eve që kanë lidhur marrëveshje për t’u lidhur me rrjetin brenda vitit 2021 dhe për të shitur energjinë. Në total, sipas ERE-s, dy HEC-et kanë një kapacitet prodhues prej 22 MegaËatt.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, shoqata “Toka”, që ngriti padinë fillestare kundër ndërtimit të këtyre HEC-eve mirëpret vendimin e gjykatës dhe pret zbatimin e tij.

“Një vendim i ngjashëm i bërë në 2018 nga gjykata e Apelit u injorua nga kompania dhe pronari i tyre Gener-2 bazuar në një padi kundër bërë në gjykatën e rrethit Tropojë të cilën Ministria e Drejtësisë në atë kohë e quajti “plotësisht e paligjshme”. Ministria megjithatë nuk ndërmori hapa të mëtejshëm për të siguruar që vendimi i gjykatës për ndalimin e ndërtimit të zbatohej”, thotë kjo shoqatë.

Padia kundër HEC-eve mori udhë në vitin 2017 dhe u deshën plot 5 vite që drejtësia të funksiononte në këtë rast. Kompanitë që fituan të drejtën e ndërtimit të HEC-ve akuzohen se kanë falsifikuar procesverbalet e konsultimit me qytetarët.

Banorët e 27 fshatrave të Tropojës dhe shoqatat pretendojnë se firmat janë falsifikuar dhe se në listën e firmëtarëve kishte persona të vdekur tre vjet para përpilimit të procesverbaleve dhe emra personash që as ishin në dijeni të konsultimeve.

“Dragobia Energy” është shoqëri koncesionare e themeluar për zbatimin e kontratës së hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Ajo është 100% në pronësi të “Gener 2” shpk. Gjithsej leje për ndërtimin e HEC në Luginën e Valbonës, dy në Lumin Valbonës dhe një në Lumin Cerem, me një fuqi të instaluar në total 47 Megawat, ku projektet nisën të zbatoheshin pa leje ndërtimi.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video