Mënyra e taksimit për lejet e ndërtimit dhe të taksës së ndikimit në infrastrukturë është thuajse e njëjtë në Bashkinë e Kamzës dhe atë të Tiranës. Ajo që ndryshon është shuma që duhet të paguajnë ndërtuesit, që në bashkinë e kryeqytetit është dy herë më e lartë.
Kjo duket se është arsyeja madhor se përse Samir Mane ka lobuar në Qeveri dhe i ka dhënë vetes kompetencat e një vendimmarrësi duke ndryshuar hartën territoriale dhe përmes një vendimi të dyshimtë ligjor i ka hequr një pjesë të territorit Bashkisë së Tiranës, për t’ja kaluar Bashkisë së Kamzës.
Bëhet fjalë për truallin ku Mane po ndërton kompleksin rezidencial “Univers City Residence”. Sipas ndarjes territoriale me ligjin e 2015-s dhe një vendimi të Këshillit të Ministrave të dhjetorit të po atij viti, ky truall ishte pjesë e Bashkisë së Tiranës dhe e njësisë administrative Kashar, pra nën juridiksionin territorial të Bashkisë së Tiranës.
Pavarësisht ligjit në fuqi të 2015-s, që ndan territorin në 61 bashki dhe VKM-së me numër 1078 e datës 23 dhjetor 2015, harta e Bashkisë së Kamzës është zgjeruar si xhep në truallin e Samir Manes me shkresën numër 5126/3, datë 21 nëntor 2020 që i ka dorëzuar Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
Arsyeja e këtij ndryshimi duket të jetë taksat. Të dyja bashkitë aplikojnë vlera të njëjta për lejet e ndërtimit, në 1 për qind të kostos së investimit. Por, diferencën e bën taksa e ndikimit në infrastrukturë, që llogaritet në vlerën e shitjes për çdo metër/katrorë sipërfaqe shfrytëzimi, e ku Bashkia e Tiranës e aplikon në vlera dy herë më të larta se ajo e Kamzës. Sipas një vendimi të dhjetorit 2019-të të Këshillit Bashkiak të Kamzës, taksa e ndikimit në infrastrukturë në këtë bashki është 4 për qind.

Ndërkohë, në Bashkinë e Tiranës, sipas vendimit Nr. 158, datë 26.12.2019 të Këshillit Bashkiak, leja e ndërtimit gjithashtu është 1 për qind e vlerës së investimit, por ajo që bën dallimin është taksa e ndikimit në infrastrukturë. Sipas pikës 2 të nenit 23 të vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kjo taksë është 8 për qind e çmimit të shitjes për metër/katror.
Baza e taksës së ndikimit në infrastrukturë, si për Kamzën, ashtu edhe për Tiranën është vlera në lek për metër katror e çmimit të shitjes së ndërtimeve për qëllime banimi, apo të njësive të tregtimit dhe shërbimit. Çmimi i shitjes për metër/katror bazohet në çmimet referuese të vlerës së tregut, sipas përcaktimeve të nxjerra me akt të Këshillit të Ministrave.
Akti i fundit i përcaktimit të çmimeve të referencës nga Qeveria është i 2019-s, ku për zonën e Kasharit është rreth 500 euro për metër/katrorë, ndërsa në Kamëz rreth 450 euro për metër/katrorë për sipërfaqe shfrytëzimi.
Siç shihet nga këto shifra, çmimi i referencës për metër/katrorë nuk ka aq diferencë sa të investojë Samir Manen që lobojë në qeveri dhe në mënyrë të paligjshme të ndryshojë hartën administrative të vendit dhe për efekt përllogaritjeje po e marrim sikur është 500 euro si në Bashkinë e Kamzës, ashtu edhe në atë të Tiranës për këtë zonë.
Në këtë rast lapsi që ka ndryshuar koordinatat ndarëse mes dy bashkive i ka kursyer disa miliona të mira Samir Manes falë shmangies së taksës prej 8 për qind të ndikimit në infrastrukturë që do të duhej të paguante nëse do të ishte pjesë e Tiranës.
Si shembull, për një metër katrorë që do të shfrytëzojë në “Univers City Residence”, Samir Mane do të paguajë 4 për qind të çmimit të referencës për çdo metër të shfrytëzueshëm në Bashkinë e Kamzës, ose rreth 20 euro taksë ndikimi në infrastrukturë.
Por, nëse ndërtimi do të ishte në Bashkinë e Tiranës, taksa do të ishte dy herë më e lartë, pra 40 euro për çdo metër, gjithmonë duke marrë parasysh se çmimi i referencës është i njëjtë, pra prej 500 eurosh për metër/katrorë, megjithëse në Kamëz është më i ulët se kaq. Pra, për çdo metër/katrorë ndërtim e shfrytëzim që i hoqi Bashkisë së Tiranës, Samir Mane i është shmangur shtetit me 20 euro taksa përmes kësaj manovre antiligjore.
Totali? Një shifër e saktë në këtë fazë që është ndërtimi i rezidencave është i vështirë për t’u përllogaritur, por mund të bëhet një përllogaritje e përafërt në bazë të të dhënave të projektit. Sipas këtyre të dhënave, në total do të jenë rreth 20 godina banimi me 7, 8 dhe 9 kate dhe një katë nëntokë.
Sipërfaqja totale ndërtim nuk jepet te të dhënat publike të projektit, por jepet sipërfaqja totale e parkingjeve nëntokësore, sipas të cilave ajo është rreth 90 mijë metër/katrorë. Nëse e pjestojmë këtë shifër me 20, numri minimal i godinave që pritet të ndërtohen, sipas projektit, një kat do të ketë një sipërfaqe rreth 4500 metër/katrorë. Këtë shifër e shumëzojmë me mesataren e kateve të godinave, pra 8. Rezultati: një godinë do të ketë rreth 36 mijë metër/katrorë sipërfaqe banimi në total.
Në Bashkinë e Kamzës, Samir Mane do të paguajë rreth 720 mijë euro si taksë ndikimi në infrastrukturë për çdo godinë që do të ngrejë në këtë zonë. Nëse kjo taksë do të mblidhej nga Bashkia e Tiranës, shifra do të ishte dy herë më e lartë, pra rreth 1.44 mln euro për çdo godinë të ndërtuar.
Nga projekti i prezantuar e që ka nisur të reklamohet prej muajsh tashmë, kuptohet që numri i godinave do të jetë të paktën 20 të tilla. Në total, me nivelet aktuale të taksës së ndikimit në infrastrukturë Samir Mane do të paguajë rreth 14 mln euro te Bashkia e Kamzës dhe nëse taksa do të paguhej te Bashkia e Tiranës, taksa do të ishte dyfish, pra rreth 28 mln euro. Pra, me një laps mbi hartën administrative, Samir Mane kurseu 14 mln euro.
Nëse kjo aferë nuk është për SPAK...atëherë nuk dimë se për çfarë tjetër shërben Prokuroria e Posaçme.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.