Nëntor-dhjetor 1943/ Në ndjekje të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane - “Operacioni  gjerman 1828”

19 Dhjetor 2022, 18:09Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Foto ilustruese

79 vite më parë, në nëntor-dhjetor 1943, në zonën e Çermenikës, të Shëngjergjit e të Martaneshit, pushtuesit gjermanë organizuan një nga operacionet ushtarake më të mëdha, “Operacionin 1828”. 

Në urdhrin e komandës gjermane për përgatitjen e këtij operacioni shkruhet: “Raportime nga burime të ndryshme si edhe sulmet e kryera javën e fundit në rrugën Elbasan-Tiranë vërtetojnë se në rajonin Martanesh-Shëngjergj janë grumbulluar banda komuniste, të armatosura pjesërisht mirë, me një numër deri në 2000 burra. Me shumë gjasa në Martanesh ndodhet edhe vendkomanda e Shtabit Drejtues komunist. Mendojmë se qendrat kryesore të rezistencës janë Shëngjergji (barakat e italianëve), Biza e Shëngjergjit dhe Guri i Muzhaqit. [...] Raportimet për ndërtimin e barakave dhe furnizimin me ushqime dimërore shpien në përfundimin që drejtuesit komunistë të Shqipërisë e konsiderojnë këtë zonë si qendër kryesore drejtimi dhe qëndrese dhe synojnë ta mbajnë atë.

Po ashtu mund të konsiderohet si e sigurt edhe prezenca e trupave agjenturore angleze (shumë oficerë anglezë) si edhe forca të shpërndara nga div. ital. Firenze, të cilët u janë bashkuar bandave.”

Sa më sipër, referuar burimeve arkivore tona, në këtë zonë ndodheshin Brigada II partizane e sapoformuar, Brigada III, batalioni Dajti, batalioni Çermenika dhe ai i Martaneshit, me një efektiv prej rreth 1500 luftëtarësh. Sikurse thuhet edhe në burimet gjermane, në këtë zonë kishte qendrën Shtabi i Përgjithshëm me Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.

Komanda gjermane synonte që pasi të shkatërronte dy brigadat partizane dhe tre batalionet partizane të kapte dhe të asgjësonte Shtabin e Përgjithshëm (SHP). Duke realizuar këto synime, gjermanët parashikonin të arrinin disa objektiva të rëndësishëm strategjikë si, asgjësimi i udhëheqjes së ushtrisë partizane, shuarjen e lëvizjes antifashiste në Shqipërinë e Mesme, sigurimin e Tiranës nga sulme të mundshme, të veçonte forcat partizane në Veri nga forcat e tjera të ushtrisë partizane dhe sigurisht që t’i jepte kurajë forcave nacionaliste për të përmbushur misionin e tyre përkrah ushtrisë gjermane.

Strategjia e komandës gjermane ishte që nëpërmjet organizimit të operacioneve rrethuese e të shpejta të asgjësonte ushtrinë partizane, ose lëvizjen komuniste siç ata e quanin dhe pasi të pastroheshin këto zona operacionale, Balli Kombëtar me forcat e veta duhej të merrte këto zona në mbrojtje dhe të mos lejonte rikthimin e forcave partizane”. Kështu ishte menduar edhe për operacion 1828.

Vendimin për kryerjen e këtij operacioni komanda gjermane e kishte marrë që në ditët e para të nëntorit. Shtabi i Përgjithshëm kishte mundur të informohej për këtë operacion që gjermanët planifikonin. Ai i shkruante gjeneralit britanik Dejvis më 14 nëntor se “Shërbimi ynë i informacionit na njofton se gjermanët dhe elementët e Ballit Kombëtar përgatitin një sulm kundër qarkut të Elbasanit.”

Nëntor-dhjetor 1943/ Në ndjekje të Shtabit të
Harta e operacionit “1828”, përgatitur nga komanda gjermane

Terreni i ashpër malor i zonës Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh e detyroi komandën gjermane që para se të jepte goditjen përfundimtare të bënte rrethimin dhe ngushtimin operativ të forcave partizane, të cilat shtriheshin në një sipërfaqe rreth 1000 km².

Fillimisht gjermanët u munduan të veçonin forcat partizane nga njëra-tjetra duke bllokuar rrugët e lëvizjes dhe bënë po ashtu rrethimin e zonës operacionale.

Ushtria gjermane dhe forcat e Fiqiri Dines kishin mbyllur krahun e Dibrës. Më tej gjermanët dhe forcat e Ballit Kombëtar mbanin nën kontroll edhe krahinën e Librazhdit, (Çermenika e vogël ose Çermenika e zezë siç thirrej). Brenda 10 ditëve të para të dhjetorit gjermanët arritën të pushtonin edhe Bërzeshtën, Polisin, Shpatin, Dumrenë, krahinat afër Shkumbinit në jug të tij. Ndërkaq gjermanët bllokuan me dy batalione edhe rrugën Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Përrenjas. Një batalion gjerman special i divizionit të mirënjohur të zbulimit “Brandenburg” u përqendrua në Librazhd me detyrë të posaçme, të ndiqte dhe asgjësonte Shtabin e Përgjithshëm.

Sigurisht që në këto kushte Shtabi i Përgjithshëm mori disa masa për t’i dalë para këtij operacioni. Së pari u urdhërua shkatërrimi dhe minimi i xhadeve Tiranë-Priskë-Shëngjergj dhe Labinot-Fushë-Shëngjergj që çonin në thellësi të kësaj zone. Më tej u organizuan roje dhe shërbime zbulimi për lëvizjen e trupave gjermano-balliste. Po ashtu u fshehën edhe rezervat ushqimore dhe dy shtypshkronjat që disponoheshin.

Sigurisht që masat kryesore u morën për zhvendosjen e Komandës së Shtabit të Përgjithshëm nga Labinoti në Shmil dhe të Shtabit britanik nga Biza në Orenjë si edhe për goditjen e forcave gjermane që merrnin pjesë në operacion.

Komanda gjermane hodhi në këtë operacion gjashtë batalione këmbësorie, të përforcuar me pesë bateri artilerie dhe tri kompani xheniere, me efektiv rreth 6500 ushtarë. Ata ndihmoheshin edhe nga 1500 ballistë. Operacioni filloi me pesë grupe sulmi që mësynin nga drejtimet Dibër, Librazhd, Elbasan, Tiranë dhe Burrel.

Forcat gjermane që mësynin nga Librazhdi ndeshën në qëndresën e Batalionit të Çermenikës, në Zdrajsh. Partizanët me zjarr nga pozicionet dhe me kundërsulme e gozhduan kundërshtarin nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke mos lejuar që kolona gjermane t’u dilte në shpinë forcave partizane dhe të rrezikonte Shtabin e Përgjithshëm që ishte duke shkuar nëpër pyjet e Martaneshit nga Shmili në Orenjë, pra vetëm 4 km nga Zdrajshi. Në luftimet e kësaj dite u vranë edhe Shenjaze Juka dhe Bardhyl Popa.

Gjithsesi, duhet theksuar se forcat partizane nuk arritën të kishin sukses si luftimet që u zhvilluan nga drejtimi i Librazhdit. Gjermanët që mësynë nga Elbasani kishin zënë që natën rajonin Labinot-Fushë-Griqan. Ata duhej të çanin përpjetë rrugës automobilistike Labinot-Shëngjergj. Mbrojtjen e këtij drejtimi SHP ja kishte ngarkuar brigadës III. Ndonëse fillimisht një kompani e kësaj brigade sulmoi me sukses në Griqan herët në mëngjes, kur gjermanët ndodheshin ende në bazën e nisjes, pas një hutimi të parë dhe pas humbjesh të konsiderueshme, gjermanët e morën veten dhe u hodhën në mësymje, pas një përgatitje të fortë artilerie. Batalionet e brigadës III bënë një rezistencë të shkurtër dhe e lëshuan rrugën, në kundërshtim me urdhrin e dhënë nga SHP, për të mbrojtur me çdo kusht rrugën Labinot-Shëngjergj. Sipas urdhrit të SHP, në rast se mbrojtja do të ishte e pamundur, brigada duhej të tërhiqej me luftim nga ana e Çermenikës dhe Orenjës dhe jo në drejtim të kundërt, në perëndim, andej nga brigada u largua. Si pasojë, gjermanët arritën shumë shpejt të kapin Shëngjergjin dhe forcat balliste pushtuan Çermenikën.  Si pasojë, forcat partizane u copëtuan, u prish bashkëveprimi dhe u krijua rreziku i rrethimit të tyre taktik. Po ashtu, edhe SHP që ndodhej në Shmil u kërcënua seriozisht.

Më pas, për situatën e krijuar Enver Hoxha do të akuzonte Kadri Hoxhën për paaftësi dhe do ta bënte fajtor për situatën e krijuar në zonën e Elbasanit gjatë këtij operacioni me pretendimin se ai nuk e kishte kryer mirë detyrën si komandant i shtabit të qarkut të Elbasanit, nuk kishte mbledhur informata të sakta për kundërshtarin dhe për pasivitet, pra pa inciativë sulmuese.

Po ashtu, në natën e 11-12 dhjetorit, tri batalionet e brigadës II lëvizën në tri kolona nga Guri i Muzhaqit (Çermenika e Sipërme) drejt Jugut e Juglindjes për të spastruar Çermenikën e Vogël nga forcat e Ballit Kombëtar. Ky aksion nuk doli mirë, pasi informacionet rezultuan të gabuara. Në fshatrat Zdrajsh, Përvall, Zgozhd dhe në Dorëz-Rrapun, ku nuk mendohej se do të kishte ndonjë qëndresë, partizanët ranë nën zjarrin e papritur të forcave të mëdha balliste. Nuk vonoi të ndërhynte në ndihmë të ballistëve edhe batalioni gjerman që ishte përqendruar ne Librazhd. Brigada ra pothuajse në rrethim por gjithsesi ajo mundi të tërhiqej me luftim në rajonin e Shëngjergjit. Dëmet më të mëdha i pësoi batalioni i tretë, i cili humbi 30-35% të efektivit.

Sikurse theksuam më sipër, për këtë situatë u fajësua Kadri Hoxha dhe më pas edhe Hulusi Spahiu. Vite më vonë edhe Beqir Balluku dhe në fund fare Mehmet Shehu. Në fakt, kjo nuk ishte e drejtë. Nëse vlerësojmë sot në retrospektivë, e shohim se forcat partizane e kishin të pamundur përballimin e këtyre operacioneve rrethuese kaq të mirëorganizuara dhe të mirëarmatosura të ushtrisë gjermane. Raporti i forcave nuk ishte i favorshëm, sikurse edhe armatimi dhe përgatitja e partizanëve.

Pavarësisht qëndresë partizane, forcat gjermane arritën të shtrëngonin darën e rrethimit nga të pesë drejtimet e sulmit. SHP u zhvendos nga Shmili drejt Veriut në pyjet e Kaptinës së Martaneshit. Ata nuk kishin më lidhje me brigadën II dhe III, që ishin dy formacionet më të mëdha partizane në këtë zonë.

Në këtë situatë, në një marrshim që zgjati mbi njëzet ditë, SHP për të dalë nga rrethimi nisi lëvizjen nga Shmili i Çermenikës, në Mirakë, Polis, Fushë-Buell e Shushicë të Elbasanit, në Shelcan, në Trepenisht, Galigat, Nezhar dhe Seltë të Shpatit, në Stror, Kishtë, Bërsnik e Shënepremte të Vërçës. Më 5 mars doli në Opar të Korçës dhe më 9 mars arriti në Panarit të Korçës, në zonën e lirë.

Operacioni gjerman 1828 përfundoi zyrtarisht më 23 dhjetor. Trupat pjesëmarrëse në këtë operacion u urdhëruan të ktheheshin në bazat e tyre. Gjithsesi, komanda gjermane la në rajonin Shëngjergj-Martanesh një batalion me rreth 1000 ushtarë, të cilët duhej të ndihmonin ballistët që të vendoseshin dhe organizoheshin në këto krahina.

Sa i përket bashkëpunimit të BK me gjermanët, Komandanti i korparmatës malore 21 vlerësonte në mbyllje të operacionit 1828 se “trupat shqiptare nuk e mbajnë dot ende presionin e luftës. Regjimentet e këmbësorisë malore për arsye të pa besueshmërisë së tyre, ndërsa batalionet milice për shkak të mosplotësimit ende të personelit.

Popullsia shqiptare e përfaqësuar nga bandat nacionaliste merr pjesë në luftë kundër komunistëve. Këtë gjë e konfirmon më së miri bashkëpunimi i komandave vendore me drejtuesit nacionalistë rajonalë. Bandat nacionaliste ofrojnë shërbime zbulimi dhe sigurimi, na ndjekin pas gjatë sulmeve tona, hynë në rajonet e pastruara nga komunistët dhe bëjnë kërkime nëse kanë mbetur ende komunistë ose grupe komunistësh në këto rajone. Kusht për bashkëpunimin e tyre është furnizimi me armë, municion dhe veshmbathje si edhe dhënia e ndihmës nga trupat tona në situata kritike.

Në Shqipëri, suksesi më i madh është mbështetja e fortë që kemi nga bandat nacionaliste dhe pavarësisht furnizimeve me materiale, kjo është mënyra më pak e kushtueshme për të luftuar komunistët". 

Në një plan të parë dukej sikur strategjia gjermane kishte funksionuar, ndonëse ata nuk e realizuan qëllimin kryesor, asgjësimin e plotë të forcave partizane në këtë rajon si edhe kapjen e Shtabit të Përgjithshëm. Por, operacioni i dimrit, në kuadër të cilit u zhvillua edhe operacioni në rajonin Çermenikë-Martanesh-Shëngjergj e kishte goditur rëndë ushtrinë partizane. Krahinat e Shqipërisë se Mesme, nga fundi i muajit shkurt, me përjashtim te zonës së Pezës, ranë përkohësisht në kontrollin e pushtuesve. U rivendos administrata e qeverise së Tiranës, me prefektura e nënprefektura, u ngritën postat e xhandarmërisë së bashku me forcat e Ballit Kombëtar.

Në fakt, që lëvizja partizane u asgjësua e besoi vetëm Balli Kombëtar. Ai u lidh edhe më shumë me pushtuesit. Vetë gjermanët, vlerësonin që gjatë operacionit të dimrit se ndonëse lëvizja partizane ka marrë një goditje të rëndë, me largimin e dimrit të egër dhe ardhjen e pranverës lëvizja partizane do të gjallërohej përsëri. Historia tregoi se kështu do të ndodhte. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video