Ekskluzive / Letra e plotë e Ramiz Alisë drejtuar Ismail Kadaresë më 1990: Mos harro atë ç’ka bërë shoku Enver për ty

12 Dhjetor 2022, 09:23Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ramiz Alia dhe Ismail Kadare

Pranvera e vitit 1990 u karakterizua nga një sërë ngjarjesh e zhvillimesh, të cilat tregonin dukshëm se regjimit komunist në Shqipëri i kishte ardhur fundi. Përveç treguesve të brendshëm, filluar prej dhunës, e degjenerimit të ekonomisë së vendit, po kaq të rëndësishme ishin edhe mesazhet që vinin nga jashtë vendit, e kryesisht nga vendet e ish-Bllokut Lindor, ku tashmë proceset demokratike kishin filluar.

Njëherazi, kjo periudhë shënon edhe kohën e diskutimeve më të gjata e më të ashpra, qoftë në brenda Byrosë Politike, por edhe mes intelektualësh, për çështje të demokratizimit të jetës së vendit.

Në këtë kuadër, në Maj 1990 Ismail Kadare e Ramiz Alia shkëmbejnë letra me njëri-tjetrin, ku diskutojnë për çështje të rëndësishme të zhvillimeve politike në vend. Nëse letra e Ismail Kadaresë, që ai i dërgonte Ramiz Alisë më 3 maj 1990 është botuar në mënyrë të plotë, përgjigjja e Alisë, e cila daton më 21 maj, pra pothuajse tri javë më vonë, nuk është publikuar në formën e saj të plotë në shtyp, por gjithmonë duke e cituar në mënyrë të selektuar dhe duke e interpretuar atë.

Ajo që bie në sy në letër është se ajo krijon përshtypjen e një letre mes miqsh, ku Kadareja konsiderohet si një njeri i Partisë, ku herë kritikohet për qëndrimet e tija, më tutje ledhatohet, më pas fshikullohet e instruktohet për qëndrimet që duhet të mbante, por edhe i kujtohen shërbimet që ai i kishte bërë vendit e Partisë, si edhe përfitimet e privilegjet që kish pasur: “Vepra jote i është kushtuar mbrojtjes së atdheut, lirisë, pavarësisë së tij, luftës heroike të Partisë sonë e të shokut Enver Hoxha për të ruajtur sovranitetin tonë (kujtoj “Gjeneralin...”, “Kështjellën”, “Dimrin e madh”, “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Koncert...” – të falënderoj për botimin frëngjisht që më dërgove – etj. etj.). Kjo të nderon, jo vetëm si shkrimtar, por mbi të gjitha si luftëtar, si patriot, si komunist. Veprën tënde e do populli dhe e ka vlerësuar gjithnjë Partia,” i shkruante atij Alia. Po ashtu, ndër të tjera, Ramiz Alia nuk ngurronte ti kujtonte Kadaresë të mos harronte “as atë ç’ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favor tënd”.

Më poshtë, po japim të plotë këtë letër, origjinali i së cilës ndodhet në fondin e Ramiz Alisë, në AQSH, me qëllim që lexuesi të gjykojë vetë mesazhin e këtij dokumenti historik.

 

***

I dashur Ismail,

Mora letrën tënde të datës 3 maj 1990. I zënë me punë nuk pata mundësi të të shkruaja më shpejt. Jo se ti prisje përgjigje, po se unë kisha disa gjëra për të thënë. Unë kam folur gjithnjë hapur me ty. Edhe tani kështu do të flas.

Letra nuk më la përshtypje të mirë, jo për paragrafët e “zymtë”, por për shpërthimin inatçi ndaj atyre forcave, që ti i quan konservatore dhe për lavdet superlative në adresën time. Të kuptohemi: unë nuk marr në mbrojtje asnjë forcë regresive, nga çdo anë që të paraqitet, ashtu si nuk i dal zot asnjë shkeljeje të ligjshmërisë nga punonjës të ndryshëm të policisë e të çdo organi shtetëror. Këto janë të dënueshme dhe shteti ynë nuk ka hezituar as heziton në çdo kohë t’i dënojë. Për rastet që më shkruan, kam ngarkuar të hetohet. Por nga këto raste të përqendrohet tërë meraku yt vetëm te “konservatorët”, duke harruar fare anën tjetër, reaksionin e huaj dhe atë të brendshëm, që përpiqet të na shtyjë drejt mohimit të lirisë e të pavarësisë si popull dhe të vetvetes si komunistë, e them hapur, më shqetësoi. Ndërsa konkluzionin se “një frymë e përgjithshme kundër inteligjencës është duke u përpunuar në Ministrinë e Brendshme”, e quaj të gabuar, bile tendencioz.

Përsa u përket lavdeve në adresën time, mos harro një gjë shoku Ismail, se çdo gjë që bëjmë lidhet me Partinë, me forcën e mençurinë e saj. Partia na mësoi, ajo na frymëzoi, ajo na dha guximin të mos trembemi nga asnjë furtunë. Unë e çmoj vlerësimin e popullit (kam marrë shumë letra e telegrame, kolektive e personale), si dhe vlerësimin tënd, por personalisht nuk bëra ndonjë gjë të veçantë as në Plenumin e 9-të të KQ të Partisë, as në të 10-tin. Unë, siç e ka detyrë çdo udhëheqës, përmblodha në një fjalim mendimet që më kishin shprehur komunistët, punëtorët, rinia, intelektualët, specialistë të ndryshëm, fshatarët. Nuk e them këtë për modesti false. Por shpreh një të vërtetë që u kristalizua mbledhje pas mbledhjesh me shokët e Partisë, me njerëz të kategorive të ndryshme.

U ndala në këtë çështje jo për t’u treguar “parimor”, por sepse më tërhoqi vëmendjen fakti që në letrën tënde me mbi 3 mijë fjalë nuk ndesha asnjëherë fjalën Parti. Bile edhe kur përmend Plenumet e 9-të e të 10-të, as në këtë rast nuk specifikohen që janë të KQ të Partisë. Kjo gjë më ra në sy edhe në intervistën që para disa kohësh i dhe “Zërit të rinisë”. Mundet të jetë përpjekje për të mos qenë formal, mundet të jetë thjesht harresë! Por në këtë kohë, kur reaksioni (jo konservator) sugjeron mohimin e Partisë Komuniste, kaq sa në këtë presion po ndryshohen edhe emrat e Partive dhe emërtimet e republikave, as harresa, as kujdesi për të mos qenë formal nuk i shërben luftës sonë për mbrojtjen e pavarësisë, nuk i shërben as procesit të revolucionarizimit të jetës e demokratizimit të gjithanshëm të saj. Pa Partinë, pa socializmin, s’mund të ketë Shqipëri të lirë sovrane. Pra as demokraci për popullin.

Lexova këto ditë me shumë vëmendje intervistat që mjaft shokë tanë u dhanë korrespondentëve të huaj. Pyetjet e të huajve orientoheshin vetëm te liria e shprehjes, e botimit, te ekzistenca ose jo e përçarjes në udhëheqje, te vazhdimësia apo shkëputja nga trashëgimia e Enver Hoxhës etj. Etj. Synimi i tyre është i qartë. Por në përgjigjet e shokëve tanë (që në tërësi ishin korrekte), sipas mendimit tim, në raste të tilla, më shprehimisht duhet të afirmohet rruga jonë socialiste, më qartë duhet të evidentohet vija e qëndrimi i Partisë, pa fshehur ekzistencën e saj. Mund të duken formale, por në këtë kohë, jo.

  Në Shqipëri, ashtu si Lufta Nacionalçlirimtare u udhëhoq e u fitua nën udhëheqjen e Partisë, edhe proceset e zhvillimit të mëtejshëm e të gjithanshëm të vendit mund të bëhen vetëm nën udhëheqjen e saj. Kjo është e vetmja garanci që çdo gjë të shkojë në të mirë të atdheut, të popullit, të socializmit. Kjo është e vetmja garanci që proceset e ndryshme, ata të përparimit ekonomik e të kulturës, të përmirësimit të jetesës së masave, të lidhjeve me botën, të emancipimit të gjithanshëm të shoqërisë e të njeriut etj. të zhvillohen mbarë.

Partia punon që të integrohet në proceset progresive të kohës. Këtu është fjala si për transformimet në fushën e ekonomisë, ashtu edhe të atyre në jetën shoqërore, në rritjen e rolit e të personalitetit të njeriut shqiptar. Po në ç’rrugë duhet bërë kjo gjë? Sipas diktatit e të modeleve të botës aspo sipas kushteve tona, duke ruajtur sovranitetin, origjinalitetin e traditat tona kombëtare?

Besoj se çdo njeri me mend, çdo patriot e komunist është për rrugën e dytë. Kështu kemi vepruar gjithnjë. Vetë lufta jonë, transformimet socialiste, politika agrare, ajo arsimore e kulturore etj. kanë vulën shqiptare. Kjo përbën veçantinë tonë.

Sot reaksioni, nga Perëndimi e Lindja, përpiqet të diktojë rrugët e veta, bile t’i shtrojë këto si kushte të domosdoshme për t’u pranuar në komunitetin ndërkombëtar. Edhe tregun e lire, pra zhvillimin e pronës private e hapjen e dyerve për investime e koncensione të kapitalit të huaj, edhe pluralizmin partiak, pra krijimin e partive antisocialiste që do të çonin në ndarjen e kombit (tjetër është pluralizmi i mendimeve, zhvillimi e inkurajimi i debatit të lirë etj.), kështu më radhë, i servirin si modele universale. Po ku çojnë këto? Për ne, një vend i vogël, i rrethuar nga vende jo dashamirëse, vihet në rrezik jo vetëm socializmi, por edhe liria e pavarësia e atdheut.

E kam të qartë se ti i njeh mirë këto gjëra, veçse në letrën që më dërgon e injoron fare këtë rrezik, presionet e jashtme, të cilat nuk kërcënojnë një individ apo disa individë, por kërkojnë t’ja vënë litarin në grykë gjithë popullit shqiptar, të përmbysin pushtetin e fituar me gjak, të sjellin sundimin e të huajve.

Vepra jote i është kushtuar mbrojtjes së atdheut, lirisë, pavarësisë së tij, luftës heroike të Partisë sonë e të shokut Enver Hoxha për të ruajtur sovranitetin tonë (kujtoj “Gjeneralin...”, “Kështjellën”, “Dimrin e madh”, “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Koncert...” – të falënderoj për botimin frëngjisht që më dërgove – etj. etj.). Kjo të nderon, jo vetëm si shkrimtar, por mbi të gjitha si luftëtar, si patriot, si komunist. Veprën tënde e do populli dhe e ka vlerësuar gjithnjë Partia. Mos harro as atë ç’ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favor tënd. Bile në se të shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci” kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia vazhdimisht ka treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam si shkrimtar të madh, po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë e të popullit.

Nuk e kuptova polemikën tënde me Arshi Pipën nëpërmjet “Zërit të Amerikës”. Ishte e dobët dhe nga pozita mbrojtëse. Ashtu siç bën tërë reaksioni ndërkombëtar ndaj Partisë dhe Shqipërisë, provokatori A. Pipa në intervistën e vet kërkonte që ti  të distancohesh nga Enver Hoxha, të mohosh veprën tënde, militantizmin tënd. Ai i thoshte “Zërit të Amerikës” se I. Kadareja tani flet mirë për demokraci e të drejta të njeriut, kritikon të metat në këtë fushë, por kjo tashmë s’mjafton. A. Pipa shtron çështjen që të mohohet e kaluara, sistemi socialist, rendi shoqëror të cilin me veprën tënde e ke mbrojtur. Pra ai nuk bën kritikë letrare, nuk e ka hallin se ti paske kritikuar regjimin ose ekzaltuar kultin. Si rrjedhim edhe mbrojtja jote sipas mendimit tim, duhet të ishte në planin politik. A. Pipa nuk merr përgjigjen e duhur duke thënë se ai dikur të paska “kallëzuar” ose “denoncuar”, ose libri yt “është vepër letrare” dhe s’ka të bëjë as me kritikën ndaj regjimit, as me ekzaltimin e kultit. Është shumë thjeshtë, pa nerv.

Sigurisht vepra jote është letërsi artistike, por ajo transmeton një mesazh të caktuar: luftën heroike të popullit, të Partisë, të Enver Hoxhës për të mbrojtur lirinë e popullit, pavarësinë e atdheut, idetë e socializmit. Pa këtë mesazh të qartë, vepra s’do të kishte vlerën që ka. Pikërisht ky mesazh, ky himn popullit e socializmit nuk i pëlqen Arshi Pipës. Dhe ti, sipas mendimit tim, duke mbrojtur këtë mesazh militant duhet të kundërshtoje atë këlysh të reaksionit armik të Shqipërisë socialiste. Lufta për demokratizimin e jetës së vendit dhe lufta heroike e Partisë sonë dhe e Enver Hoxhës për të mbrojtur lirinë, pavarësinë e idetë socialiste, nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

Sot, shoku Ismail, kur çështja e pavarësisë së atdheut dhe e socializmit është vënë në shenjë nga forca të ndryshme reaksionare më rrezikshëm se asnjëherë tjetër në historinë tonë të re, populli e Partia kërkojnë shumë militantizëm, më shumë vendosmëri nga të gjithë, nga punëtorët e intelektualët, nga të rinjtë e veteranët. Duhet të zmbrapsim sulmet e armiqve duke i përdorur të gjitha armët. Duhet të bashkohemi rreth Partisë dhe të mbështesim masat revolucionarizuese që merr ajo, qoftë në fushën e ekonomisë, qoftë në demokratizimin e jetës.

Askush i vetëm, asnjë forcë, cilado qoftë ajo, nuk mund të bëjë asgjë pa Partinë, jashtë rrymës së vrullshme të saj. Partia ecën në rrugë të drejtë, i hedh hapat me mençuri e siguri. Këto masa, nga fusha e ekonomisë e të kulturës, të jetës shoqërore e asaj shtetërore, duhen zbatuar. Për këtë duhet ngritur entuziazmi i masave popullore, të cilat duhet të shohin një front të bashkuar luftëtarësh e jo “zonjushash naziqe”, siç thua ti. (Dhe sot ka mjaft “zonjusha të këtilla, që kanë mësuar, bile keq, fjalën “demokraci” e “të drejta universale të njeriut” dhe i lakojnë sipas oreksit).

Duke luftuar në zbatimin e masave për demokratizimin e jetës së vendit, pa dyshim kemi shumë për të bërë. Njëkohësisht do të na duhet të luftojmë edhe kundër atyre forcave që e pengojnë këtë proces. Dhe këto janë të ndryshme: nga e djathta e nga e majta, konservatorë e dogmatikë, liberalë e oportunistë, të paaftë e mediokër, karrieristë e burokratë, të degjeneruar e antisocialistë. Por kjo luftë duhet e do të bëhet vetëm e bashkuar e jo në mënyrë individuale, me një punë të gjerë masive, duke vënë në lëvizje masat popullore nëpërmjet organizatave të Partisë, organizatave të masave, shtypit e televizionit etj. pa u ndalur në rrugën tonë të revolucionarizimit të jetës së vendit e të Partisë, nëpërmjet demokratizimit e thellimit të vijës së masave, duhet të jemi shumë vigjilentë e të punojmë me mend për të mbrojtur lirinë e atdheut tonë socialist. Shqipëria kurrë nuk duhet të kthehet në Rumani, as në Poloni, as në Bullgari e Jugosllavi. Ky do të ishte mallkim i brezave, mallkim i kombit.

Të shkrova hapur, sepse e di që edhe ty të pëlqen që gjërat të thuhen pa doreza. Por kam edhe një arsye tjetër: dëshiroj që kushdo, populli e intelektualët tanë, si dhe opinioni publik jashtë te Ismail Kadareja të mos shohin një njeri që herë bën një kritikë për sigurimin ose sistemin gjyqësor e herë për dogmatikët e mediokrët në fushën e arteve, por të shohin një shkrimtar komunist që në këto kohë të vështira lufton bashkë me Partinë për mbrojtjen e lirisë së atdheut dhe zhvillimin e socializmit në Shqipëri. për askënd nuk duhen lënë ekuivoke.

 

Shumë të fala

Ramiz Alia

Tiranë, më 21 maj 1990

***

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Video