Mbi rrethanat e vrasjes së antifashistit Ismail Karapici

5 Dhjetor 2022, 17:15Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Marenglen Kasmi

Ismail Karapici lindi në qytetin e Tiranës, më 14 dhjetor 1922. Në vitin 1935, me bursë shtetërore filloi studimet në Kolegjin Ushtarak të njohur “Nunziatella”, në qytetin e Napolit e më pas i vazhdoi ato në Akademinë Ushtarake të Artilerisë dhe Xhenios, në Torino. Kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, Karapici së bashku me shokë të tjerë studentë ushtarakë nga Shqipëria, vendosën të hakmerreshin në një formë “origjinale” shqiptare, t’i bënin atentat Mussolini-t. Atentati do të kryhej në Torino, kur Mussolini të vizitonte qytetin e Torinos, çka ishte e planifikuar. Ky atentat mbeti në tentativë sepse u zbulua. Pas hetimesh të shumta, karabinieria italiane zbardhi planin e atentatit dhe arriti në përfundimin se organizator i këtij atentati ishte Ismail Karapici, i cili po ashtu e pranoi këtë gjë. U dhanë gjashtëmbëdhjetë dënime me dëbim nga Italia dhe pesë me burgim. Katërmbëdhjetë prej dënimeve u përkisnin studentëve ushtarakë shqiptarë të Akademisë Ushtarake të Torinos. Dënimi më i rëndë ju dha Ismail Karapicit, me pesë vjet burgim. Kur Aleatët hynë në Itali në Korrik 1943 liruan të gjithë të burgosurit politikë nga burgu. Mes tyre ishte edhe Karapici, i cili u kthye në Shqipëri dhe ju bashkua misionit ushtarak aleat në Shqipëri. Në fillim të vitit 1944 Karapici do të vritej në rrethana të paqarta.

***

Për vdekjen, neë fakt vrasjen e Ismail Karapicit, kemi dy burime te rëndësishme. Burimi i pare është oficeri i Misionit Britanik ne Shqipëri gjate luftës Anthony Quale, i cili e ka përshkruar ngjarjen në librin e tij “Eight Hours from England” botuar në vitin 1945 dhe i dyti, gazetari amerikan Peter Lucas, ne botimin e tij për veprimtarinë e OSS amerikane ne Shqipëri gjatë L.II.B, tashme i njohur për lexuesin shqiptar.

Sipas dëshmive të shkruara nga Anthony Quayle, i cili ishte i vetmi që e dëgjoi dhe përshkroi këtë ngjarje drejtpërdrejt nga njoftimet e bashkëpunëtorëve të tij pas ndodhisë, Karapici u vra në pabesi. Siç shkruan anglezi në librin e tij, sipas analizave dhe thënieve të vendasve, vrasja kishte ndodhur për shkaqe, në dukje, me motivin e vjedhjes së disa dhjetrave monedhave të arta dhe dokumenteve informative që Karapici kishte pasur me vete ne çastin e nisjes. Për vrasjen e tij, gjithmonë sipas atyre që dëshmuan gjetjen e trupit, dyshimet binin mbi shoqëruesin vendas të Karapicit. Për më keq, vrasja ishte kryer pas shpinës dhe trupi i të vrarit ishte zhveshur dhe lënë ashtu në shtegun e malit. Por, si të mos mjaftonte me kaq, trupi i të vrarit, përveçse me tre plumba, ishte goditur disa herë edhe me thikë në trup, sic dukej për t’u siguruar që kishte vdekur.

Kurse Peter Lucas i bën një shpjegim disi ndryshe vrasjes së personazhit tonë. Ai e ndërton shpjegimin e vrasjes nisur dhe mbi rrëfimin e vetë shoqëruesit të I. Karapicit. Dhe, sipas këtij shoqëruesi, të dy kishin rënë në një pritë të befasishme dhe, në këtë situatë, Karapici kishte reaguar duke u kundërpërgjigjur me zjarr, ne përpjekje për të shpëtuar, por ishte goditur dhe mbeti i vrarë. Kurse shoqëruesi ia kishte dalë të fshihej pas shkëmbinjve deri sa zbriti në fshat ku kishte njoftuar për ngjarjen. Por, ai nuk dha asnjë shpjegim se si, pse dhe nga kush u vra Karapici! Cili ishte i interesuar për këtë vrasje? Megjithëse shoqëruesi, nga ana e tij nuk e pranonte vrasjen e Karapicit dhe se nuk e dinte kush ishin vrasësit e tij, akuza dhe damka për këtë vrasje i mbeti pikërisht atij, i cili edhe u kap një muaj më pas, gjatë një aksioni dhe u gjykua nga Brigada e Pestë Sulmuese, duke e dënuar me vdekje. Por, per shkaqe te panjohura ai nuk u ekzekutua! Madje, sipas thënieve të një prej anëtarëve të misionit amerikan, vrasjen e Karapicit e kishin porositur komunistët sepse nuk e duronin faktin që ai punonte me amerikanët, ndonëse këta të fundit e mbështetnin Luftën dhe Lëvizjen Antifashiste Shqiptare!

Sidoqoftë, ashtu siç thotë pas një analize të ftohtë dhe realiste, amerikani Lucas më i lidhur me Karapicin, “...tërheqja e rojeve (të fshatit Dukat) dhe vrasja e Ismail Karapicit kishin për qëllim të më paralajmëronin lidhur me afrimin tim me partizanët. Në rast se puna ishte kështu, atëherë unë nuk do te bëja asnjë përpjekje për të fshehur ndihmën time për Brigadën e Pestë”. Kjo Brigadë, në këtë kohë, vepronte në qarkun e Vlorës, pikërisht pranë zonës së Dukatit, ku ndodhej  baza e Aleatëve.

Kësisoj, ishte vrarë në muajt e parë të vitit 1944, I. Karapici, studenti për oficer në Akademinë Ushtarake të Artilerisë dhe Xhenios të Torinos, në Itali, ideatori i atentatit të parealizuar kundër Musolinit, njeriu që kishte vuajtur afro pesë vite në burgun fashist të Barit, prej nga e liruan Aleatët amerikanë të Koalicionit te Madh Antifashist Botëror gjatë mësymjes në Itali. Ai ishte bashkëpuntori informativ, tejet aktiv, i Misionit OSS amerikan në zonën e Vlorës, në Shqipëri. Ky pionier i antifashizmit shqiptar ishte vrarë, sipas të dhënave zyrtare të kohës, në një moshë fare të re, vetëm njëzetedy ose njëzetetrevjecare!

Vlerësimet e anglezit A.Kuajle, të misionarëve amerikanë, që punuan së bashku me të për të ndihmuar pareshtur Luftën Antifashiste, sidomos luftëtarët e Ushtrisë NÇ Shqiptare, ishin të larta dhe të miratuara pa asnjë dyshim. Disa prej këtyre vlersimeve u cituan më herët në këtë shkrim lidhur me zgjuarsinë, përkushtimin, besnikërinë dhe sidomos për aftësitë profesionale prej informatori të sprovuar. Për të mos përsëritur ato cka u theksuan nga koleget pak me pare, po sjellin në këtë rast një vlerësim të studiuesit të njohur italian të historisë ushtarake, Pietro Kroçianit, i cili është shprehur lidhur me rastin Karapici: “Ismail Karapici ishte një figurë shumë interesante. Nuk e kuptoj se si ka mundësi që nuk u bë hero Kombëtar në Shqipëri!” Dhe, në të vërtetë, përtej aktit të vrasjes së këtij shqiptari antifashist është e çuditshme që veprimtaria e tij mbeti tabu! Trajtimi, vlerësimi dhe njohja e tij si antifashist i orëve të para, madje brenda në strofullën e fashizmit, qysh në pushtimin e Shqipërisë janë ekstremisht të pajustifikueshme, si para dhe pas viteve Nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, aq më shumë në ditët e sotme!

Askush nuk di të shpjegojë arsyet përse nuk është shkruar asnjëherë dhe nga askush thellësisht për këtë figurë sa të vecantë, spontane dhe kaq interesante, me histori intriguese, për një student të ri ushtarak shqiptar, i cili i u kundërvu hapur fashizmit nën frymën e dashurisë për atdheun dhe popullin e tij të pushtuar pa asnjë justifikim! Po ashtu është I pashpjegueshëm fakti që, për një akt kaq vetëmohues sa ai i ndërmarrë prej djaloshit shqiptar nuk ka asnjë faqe, asnjë artikull aq më pak ndonjë libër të shkruar në shqip, përveç disa faqeve në librin e publikuar prej historinait ushatarak, prof. Proletar Hasani.

Përtej kësaj heshtje të stërzgjatur, natyrisht që ka një shpjegim krejt të qartë, i cili shtrihet ne dy kohë, e para që nga viti 1945 deri më 1990 dhe tjetri, që pas vitit 1990 deri më sot. Por ndërsa në peridhën e parë, shpjegimi gjendet, me siguri, në faktin se ai, duke shërbyer në përbërje të Misionit ushtarak Amerikan në Shqipëri gjatë viteve të LANCSH, konsiderohej si “agjent” apo informator i anglo-amerikanëve! Po për një çerek shekulli pas vitit 1990, përse nuk u rishikua dhe rivlerësua figura dhe veprimtaria e tij antifashiste dhe në dobi të Luftës Antifashiste të popullit shqiptarëve dhe asaj të aleatëve antifashistë amerikanë në Shqipëri?! Kjo harresë ndaj personazhit tonë, por edhe e shumë personazheve të tjerë me kontribute të çmuara për luftën, nuk ka lidhje me asgjë tjetër, veçse me fenomenin e revizionizmit të historisë pas viteve 1990, ku artikulohet, madje edhe nga historiane, hera-herës direkt e më së shumti indirekt se, vlerë përbën bashkëpunimi me pushtuesin dhe jo lufta kundër tij!

Së fundmi, I. Karapici nuk është një personazh artistik i krijuar nga fantazia e ndonjë shkrimtari. Përkundrazi, ai është një personazh real dhe historik, i dokumentuar, për shkak të veprimtarisë së tij të hershme dhe të pasur antifashiste dhe luftarake kundër pushtuesve fashistë dhe në interes të lirisë dhe çlirimit të popullit shqiptar, në një periudhe tejet të vështirë për fatin e tij.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video