Kadri Cakrani i Ballit Kombëtar dhe ekzekutimet pa gjyq

16 Janar 2023, 22:16Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kadri Cakrani

Gjatë vitit 1944 lufta ndaj pushtuesve gjermanë kishte hyrë në një fazë shumë intensive. Sa më shumë shtoheshin goditjet ndaj pushtuesve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, aq më shumë shtoheshin edhe reprezaljet e pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë.

Në dokumentin e mëposhtëm të nxjerrë nga arkivat, i cili botohet për herë të parë, kryeministri Rexhep Mitrovica i ankohet Këshillit të Lartë për vrasjet pa asnjë gjyq dhe asnjë formalitet që kryente Komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani.

Sipas njoftimeve që kryeministri Mitrovica kishte marrë në rrugë të ndryshme nga xhandarmëria, Kadri Cakrani kishte ekzekutuar në Berat dhe Kavajë, pa gjyqe e formalitete ligjore, partizanë që i kishte kapur Balli Kombëtar.

Kryeministri Mitrovica i kërkon Këshillit të Lartë “që të ndërhyjë ku duhet për mospërsëritjen e veprimeve të këtilla”, çka ndoshta nënkupton gjermanët. Nëse Cakrani e njihte autoritetin e qeverisë, kryeministri nuk kishte pse ti drejtohej Këshillit të Lartë për të marrë masa. Që Cakrani nuk e njihte edhe autoritetin e drejtuesve të Ballit Kombëtar është po ashtu një fakt i njohur, kur vinte puna për të tilla gjëra.

Sikurse shohim, vrasjet pa gjyq e formalitete të kundërshtarit ishte një fenomen që aplikohej mjaft mirë edhe nga drejtuesit dhe forcat e Ballit Kombëtar.

Për më shumë shohim dokumentin e mëposhtëm:

***

Koncept 23 Res.

Kryesija e Këshillit të Minstrave

Tiranë, më 23/VI/944

P.T.

KRYESIS SË KËSHILLIT TË NALTË

TIRANË

Nga njoftime të ndryshme qi na kanë mbritun nga ana e Gjindarmerisë, informohemi se nga ana e z. Kadri Cakranit në Berat dhe në Kavajë janë ekzekutue persona, pjesëtarë të çetave komuniste, të kapun prej anëtarëve të Ballit Kombëtar pa asnji formalitet, pa u gjykuar nga nji trup gjykues ligjerisht i formuem prej gjyqtarëve të emnuem me dekret edhe pa u dekretuem prej Këshillit të Naltë dënimi me vdekje.

Nji veprim i tillë asht kundër çdo parimi juridik për të cilin Qeverija lut atë P.T. Këshillë që me autoritetin e vet të ndërhyjë ku duhet për mospërsëritjen e veprimeve të këtilla.

KRYEMINISTRI

R. Mitrovica

Kadri Cakrani i Ballit Kombëtar dhe ekzekutimet pa gjyq

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video