Për çdo ushtar gjerman të vrarë ose të plagosur të pushkatohen 10 shqiptarë...

8 Janar 2023, 20:20Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ushtare te Gjermanise naziste

Ashpërsia e ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore në të gjitha frontet është e njohur. Shpesh ajo nuk bënte dallime ndërmjet kundërshtarëve të armatosur dhe popullsisë civile, kur vinte puna për të bërë reprezalje apo për t’u hakmarrë në raste sulmesh ndaj ushtarëve gjermanë. Këtu nuk bënte përjashtim as Shqipëria.

Disa ditë pas pushtimit gjerman të Shqipërisë, më 17 shtator 1943, komandanti i divizionit I alpin gjerman, gjeneral von Stettner urdhëronte kapitenin Eyb në Korçë që për çdo ushtar gjerman të vrarë apo të plagosur nga sulmet e bandave duhej që në vendin e organizimit të sulmit të pushkatoheshin ose vareshin menjëherë 10 civilë. Po ashtu, në çdo kamion furnizimi duhet të merreshin me vete edhe 3-4 civilë vendas, të cilët duhet të pushkatoheshin menjëherë në rast sulmi të forcave partizane.

Divizioni I alpin me komandantin e tij, von Stettner nuk ishte i panjohur për shqiptarët. Ishte pikërisht ky divizion, i cili gjatë marshimit të tij nga Kapshtica drejt Kakavijës për në Janinë nëpërmjet rrugëkalimit Korçë-Ersekë-Përmet, në fillmgushtin 1943 kishte bërë masakrën e Borovës. Pas një sulmi të partizanëve në kodrat e Barmashit ndaj pararojës së këtij divizioni më 6 korrik 1943, gjermanët vranë dhe dogjën të gjallë në Borovë 107 civilë, prej tyre 64 gra dhe 43 burra, pa kursyer edhe fëmijët e vegjël. Viktima më e vogël ishte 4 muaj dhe më i vjetri 84 vjeç. Ushtarët gjermanë kalonin shtëpi më shtëpi dhe i vinin flakën gjithçkaje. Po ashtu, ata qëllonin çdo njeri që hasnin në rrugë. Në ato shtëpi, ku banorët mbyllën dyert, për të mos i lejuar ushtarët të hynin brenda gjermanët i vunë flakën shtëpisë duke e djegur atë së bashku me njerëzit.

Sikurse shohim në dokumentin më poshtë, urdhra të tillë për reprezalje e shkelje të ligjeve të luftës, komandantët gjermanë i lëshonin ne shkrim.

Ndër të tjera, ekziston edhe një urdhër i Komandantit të Përgjithshëm të Juglindjes, Gjeneralkolonelit Alexander Löhr, i datës 14 korrik 1943, i cili detyronte komandantët ushtarakë gjermanë të merrnin masa të rrepta në lidhje me ushtrimin e luftës: “[…] Në të gjitha masat ndëshkuese që janë të nevojshme të ndërmerren duhet të kihet parasysh: Lufta pa kompromis dhe masat ndëshkuese duhet që mundësisht të drejtohen vetëm kundër popullsisë që është e orientuar kundër nesh. […] por kujdesi i treguar nuk duhet të çojë deri aty, sa për shembull nëse në një vendbanim do të qëllohet mbi trupat gjermane nuk merret asnjë masë ndëshkuese, sepse nuk mund të identifikohet saktë personi që qëlloi. Në këto raste duhet të merren masa të shpejta ndëshkuese, si arrestime dhe pushkatime, akoma më mirë duke varur në publik personalitete të njohura të vendit […].“

Ndonëse propaganda gjermane e paraqiste Shqipërinë si një vend “neutral”, “i pavarur” dhe i drejtuar nga një “qeveri kombëtare”, ku Wehrmacht-i gjerman do të qëndronte përkohësisht për të organizuar mbrojtjen ndaj ndonjë zbarkimi të mundshëm të aleatëve anglo-amerikanë në bregdetin shqiptar, shohim se ajo nuk e veçoi atë nga urdhrat ndëshkimorë.

***

Divizioni I malor                          Vendkomanda e Div., 17.9.1943

Ic

                                                     Kapiten v. Eyb, Korçë

Gjeneral v. Stettner ka urdhëruar:

1.   Për çdo ushtar gjerman të vrarë apo të plagosur nga sulmet e bandave duhet që në vendin e organizimit të sulmit të pushkatohen ose varen 10 civilë.

2.   Në çdo kamion furnizimi duhet të merren me vete 3-4 civilë, të cilët duhet të pushkatohen menjëherë në rast sulmi.

Përvojat e mbledhura për këtë gjë duhet të raportohen në vazhdimësi te Ic i divizionit.

Për komandën e divizionit:

Oficeri i Parë i Shtabit

Në mungesë

nënshkrimi

Toger dhe Ic

Për çdo ushtar gjerman të vrarë ose të plagosur

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video