Fjalimi i parë në radio i Stalinit drejtuar popullit sovjetik pas sulmit gjerman më 22 qershor 1941

4 Janar 2023, 17:09Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Josif Visarionoviç Stalin

Më 22 Qershor 1941 Gjermania naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik. Stalini më 3 Korrik, si kryetar i të sapoformuarit Komitet i Mbrojtjes Kombëtare, ju drejtua publikut nëpërmjet radios me një ton alarmues dhe sugsesiv, i cili reflektonte seriozitetin e situatës dramatike në front. Përveç njoftimit për humbjen e Ushtrisë së Kuqe, fjalimi i tij kishte tre funksione kryesore: legjitimimin e politikës së regjimit të tij para sulmit gjerman, dhënien e informacionit për sulmin e suksesshëm të armikut në territorin e Bashkimit Sovjetik dhe mobilizimin e popullsisë sovjetike dhe vendeve e tjera në luftë kundër pushtuesit gjerman. Në të njëjtën kohë, Stalini paraqitej si udhëheqës i padiskutueshëm, sundimi i të cilit nuk tronditej nga pushtimit gjerman. Ndërkohë, qytetarët e Bashkimit Sovjetik  u informuan nga goja e Kryetarit të Shtetit dhe Partisë për herë të parë në mënyrë të plotë mbi gjendjen aktuale mbi rrezikun ekzistencial, pra që bëhej fjalë për “luftë a vdekje”.

Fjalimi i parë në radio i Stalinit drejtuar popullit sovjetik pas

***

Furia e Blitzkrieg-ut gjerman kundër Bashkimit Sovjetik, në të gdhirë të 22 Qershorit 1941, e organizuar përgjatë tërë gjatësinë së kufirit të shtetit sovjetik me drejtime kryesore  Leningrad, Moskë dhe Ukrainë e gjeti ushtrinë sovjetikë të pa përgatitur. Direktiva e parë e Komisariatit Popullor të Mbrojtjes për organizimin e mbrojtjes drejtuar trupave të ruajtjes kufitare me qëllim kalimin në gatishmëri, u lëshua më 22 qershor 1941 në orën 0.30. Për shumë njësi urdhri erdhi me tepër vonesë. Përmbajtja e direktivës ishte irrituese: trupat nuk duhet të reagonin ndaj provokimeve dhe nuk duhej të hapej zjarr edhe në qoftë se armiku do të hynte në territorin e Bashkimit Sovjetik. Kur sulmi i forcave gjermane tashmë sipas planit i shtrirë në gjerësi të plotë, vazhdoi prej detit Barents deri në Detin e Zi, trupat sovjetike u tërhoqën duke regjistruar humbje të rënda dhe vetëm pas shtatë orësh do të pasonte një direktivë e dytë. Në këtë direktivë theksohej se udhëheqësit politikë sovjetikë dhe ushtarakë e vlerësonin situatën si një provokacion dhe nuk e quante të pamundur faktin se konfrontimi i madh ushtarak ndërmjet Gjermanisë dhe BS kishte filluar. Urdhërohej që trupat sovjetike të godisnin dhe asgjësonin armikun në ato rajone ku ishte prekur integriteti territorial sovjetik. Për kalimin në gjendje lufte dhe një mobilizim të përgjithshëm ende nuk bëhej fjalë. Ndërkohë që nisma ishte plotësisht në duart e gjermanëve, në mbrëmjen e 22 Qershorit 1941 doli direktiva e tretë, e cila në përputhje me strategjinë ushtarake sovjetike urdhëroi kalimin në kundër-ofensivë në të gjitha frontet për të dëbuar armikun nga territori i BS.

Ndërkohë Luftwaffe-ja gjermane dominonte hapësirën ajrore sovjetike. Trupat sovjetike kryenin luftime të ashpra mbrojtëse, biles gjendeshin në tërheqje. Bombardimet gjermane zhvilloheshin në një thellësi prej 400 kilometrash duke shpërndarë forcat sovjetike, duke shkatërruar sistemin e komunikimit dhe vështirësuar afrimin e trupave të tjera në front. Për arsye se trupat sovjetike filluan veprimet luftarake në kohë të ndryshme e kishin të pamundur të krijonin një front të përbashkët. Si rezultat, tanket gjermane dhe njësitë e motorizuara gjermane sulmuan forcat sovjetike pjesërisht nga krahët dhe shpina. Për shkak të rezultatit negativ të betejave në kufi për Ushtrinë e Kuqe, humbjeve të rënda në njerëz dhe materiale, si dhe mungesës së rezervave të mjaftueshme të armëve dhe municioneve, gjermanët arritën të rrëmbejnë në duart e tyre brenda disa ditësh iniciativën strategjike. Deri në dhjetor 1941, kohë kur sulmi gjerman ndaloi në përparimin e tij brenda territorit gjerman ishin vrarë 4 milionë ushtarë sovjetikë dhe ishin zënë 3.9 milionë të burgosur lufte.

Për të shpjeguar humbjen e Ushtrisë së Kuqe, Stalini në përshkrimin e sulmit gjerman përdori atributet “i papritur" dhe "i pabesë". Atributi i parë  interpretohet si një vlerësim subjektiv i Stalinit, i cili dyshonte se Hitleri do të ndërmerrte një sulm kundër kundër Bashkimit Sovjetik para se të përfundonte luftën kundër Britanisë. Atributi i dytë i referohej paktit të mossulmit, por gjithsesi në mënyrë indirekte duhet thëne se Stalini i besonte qeverisë nacionalsocialiste. Avantazhi që Wehrmacht-i gjerman dhe aleatët e tij kishin pasur në fushën e luftimit, u argumentua nga Stalini duke e reduktuar atë vetëm mbi strategjinë ofensive si edhe elementin suprizë që kishte mbartur me vete ky sulm.  Stalini deklaroi se Ushtria e Kuqe nuk kishte qenë e mobilizuar dhe si fillim i ishte dashur të lëvizte drejt kufirit. Stalini nuk tregoi që Ushtria e Kuqe kishte filluar në mënyrë të fshehtë mobilizimin e pjesshëm, sepse ky fakt do të kishte vënë në dyshim tezën e paraqitur nga ai mbi efektin suprizë që pati fushata luftarake Barabarossa.

Fjalimi

Stalini nuk e kufizoi veten vetëm në përshëndetjen e zakonshme "shokë", por shtoi edhe "qytetarë", "vëllezër dhe motra" si edhe "luftëtarëve të ushtrisë dhe marinës sonë." Në këtë mënyrë ai  i pranoi hapur këto  grupime sociale dhe etnike, që ai nuk i konsideronte besnikë të sistemit. Po të njëjtin qëllim kishte edhe përdorimi i fjalës “mëmëdhe” në vend të “Bashkimi Sovjetik”, që duhej të mbrohej. Koncepti i atdheut përfshinte të gjithë qytetarët e Bashkimit Sovjetik, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Ai bëri thirrje për familjen, rrënjët gjeografike dhe identitetin kulturor. Oferta e identifikimit, e bërë nga Stalini me fjalor të zgjedhur, këndvështrimi i tij, duket se ishte i nevojshëm pas spastrimeve të kryera që kishin prekur të gjitha shtresat e shoqërisë sovjetike. Pasojat e kësaj politike dolën në pah me fillimin e luftës. Dezertimet u shfaqën në fazën e parë të luftës në numër të konsiderueshëm. Në një pjesë të zonave të reja të aneksuara, trupat gjermane u pritën me lule. Bashkëpunimi dhe rezistenca anti-sovjetike u kthye në një një dukuri masive, çka detyroi regjimin sovjetik që në datën 29 qershor 1941 të nxirrte një direktivë, sipas së cilës të gjithë "personat që përhapnin gënjeshtra dhe panik në pupull, dezertorët, spiunët dhe sabotatorët” të ekzekutoheshin pa mëshirë. Me sa duket udhëheqja sovjetike ishte aq e shqetësuar nga kjo dukuri saqë Stalini e përsëriti disa herë këtë dukuri gjatë fjalës së tij.

Së dyti, banorët e të gjitha republikave sovjetike duhet të mobilizoheshin duke pasur një imazh të qartë të armikut. Stalini përdori në fjalim për të përshkruar regjimin nacionalsocialist, përsëri termin fashizëm, term që nuk e kishte përdorur në kontekstin e bashkëpunimit gjermano-sovjetik. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste nuk ngurroi të përdorte edhe superlativa  përçmuese për të diskredituar Hitlerin dhe von Ribbentrop-in, duke i krahasuar ata si “kanibalë”. Akoma jo të gjithë banorët e rajoneve perëndimore të Bashkimit Sovjetik e kishin të qartë se gjermanët nuk kishin ardhur si çlirimtarë (siç ata e kishin stilizuar veten duke ndërmarrë edhe disa hapa për të krijuar këtë përshtypje), por se kryenin një luftë raciste dhe imperialiste kundër Bashkimit Sovjetik. Si objektiva të armikut, Stalini përmendte restaurimin e regjimit carist në BS, si edhe shtypjen kombëtare dhe shfrytëzimin ekonomik.

Së treti, mobilizimi duhej bërë në të gjitha nivelet për shkak të natyrës specifike të armikut dhe qëllimeve të tij luftarake. I gjithë populli duhej të ngrihej në këmbë dhe të luftonte "deri në pikën e fundit të gjakut" dhe "për çdo pëllëmbë tokë." Në mënyrë që kjo kërkesë të mbështetej nga populli, Stalini përdori huazimet historike mbi patriotizmin sovjetik dhe  solli përsëri në kujtesën kombëtare fushatat e dështuara të Napoleonit, rezistencën ruse në Luftën e Parë Botërore dhe trashëgiminë e Leninit si edhe karakteristikat e një bolsheviku të drejtë, i cili drejtohet nga trimëria, guximi dhe burrëria. Edhe miti stalinist i ushtrisë së pamposhtur socialiste sovjetike u përdor për të rritur moralin luftarak. Si një mjet shtesë për t'u angazhuar në një "luftë patriotike për mëmëdheun", Stalini bëri thirrje për të aplikuar taktikën e tokës së djegur dhe të luftës partizane. Kjo mundi të organizohej në mënyrë efektive nga Partia Komuniste vetëm kur popullsia sovjetike e zonave të pushtuara nga armiku pati eksperiencat e para negative me politikën e pushtimit nazist.

Së katërti, pasoi një mobilizim i kryer edhe me një hapje politike të jashtme të politikës sovjetike ndaj Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara.

Vetëndërgjegjësimi i Stalinit duhet të jetë rritur, kur kryeministri britanik Churchill në mbrëmjen e 22 qershorit 1941 premtoi publikisht ndihmë ndaj Bashkimit Sovjetik, i ndjekur dy ditë më vonë edhe nga presidenti amerikan, Franklin D. Roosevelt. Në fjalimin e Stalinit, Bashkimi Sovjetik përshkruhej si një fuqi që me objektivin e saj mbështeste luftën e gjitha kombeve të Europës kundër Gjermanisë, si një luftë anti-fashiste për liri. Kjo detyrë e ndihmonte atë që përkundrejt "aleatëve besnikë" të vendeve të Europës dhe Amerikës për të krijuar një "front të bashkuar" në emër të lirive demokratike. Kështu, Stalini kishte hedhur idenë e krijimit të Frontit Popullor, ide që shoqërnte politikën sovjetike të sigurisë kolektive prej vitit 1930.

Stalini mbajti një fjalim të ndërtuar në mënyrë elektike. Marksizëm-leninizmi u përdor gjatë fjalimit, por shumë më tepër i përzier me elemente të patriotizmit sovjetik. U përdorën shtrembërimet e politikës staliniste dhe planëzimi nacionalsocialist i hapësirave jetike në lindje, alternimi i emocioneve me realitetin, për të arritur qëllimin e dëshiruar, një mobilizim të plotë të popullit sovjetik si edhe të kombeve të tjera kundër Gjermanisë. Parë në aspektin politik ky fjalimi ishte novator sepse ishte hapi i parë i thirrjes për "Luftën e Madhe Patriotike" të Bashkimit Sovjetik duke I kaluar dimensionet e Ushtrisë së Kuqe. Përveç kësaj, u kalua faza e mirëkuptimit të politikës së jashtme sovjetike me Gjermaninë dhe u përgatit terreni për koalicionin Anti-Hitler.

 Në historiografi ky fjalim interpretohet në këndvështrime të ndryshme. Sikurse fillimisht historiografia zyrtare sovjetike i bëri të vetat këto argumente të Stalinit, në periudhën e Hrushovit u bë një revizionim i historisë që kundërshtonte gjithë këto argumunte të dhëna nga Stalini. Në veçanti u kritikua teza e Stalinit që nënshkrimi i traktatit me Gjermaninë kishte si synim fitim e kohës për tu përgatitur për luftë. “Revizionistët” argumentonin, se përfitimi i Gjermanisë nga nënshkrimi i traktatit ishte politikisht, ushtarakisht, ekonomikisht dhe territorialisht shumë më i madh se përfitimi i Bashkimit Sovjetik. Në këtë kontekst u kritikuan ashpër spastrimet e Stalinit në Ushtrinë e Kuqe si edhe roli drejtues i Stalinit. 

Prej vitit 1964 deri në kohën e Perestroikës, Partia Komuniste e BS eliminoi nën petkun e favorizimit të historiografisë patriotike marrjen e gjithë pozicioneve kritike ndaj rolit të Stalinit. Këto kritika mund të bëheshin vetëm në fshehtësi ose jashtë Bashkimit Sovjetik, ku trajtoheshin kryesisht shkaqet e humbjeve të Ushtrisë së Kuqe në muajt e para të luftës.

Historiografia post-sovjetike karakterizohet nga një mosmarrëveshje midis historianëve për qëllimet e luftës së regjimit të Stalinit. Sidomos pas publikimit të një dokumenti sovjetik mbi një goditje parandaluese ndaj Gjermanisë, hartuar në Maj 1941 nga Shtabi i Përgjithshëm sovjetik, ka studiues të cilët e shohin këtë fakt si një plan i Stalinit për të kaluar nën zotërim gjithë Europën Perëndimore. Sidoqoftë kjo tezë nuk është vërtetuar deri tani mjaftueshëm nga burimet arkivore. Lidhur me këtë problem është diskutuar edhe çështja e fajësisë. Është shumë e diskutueshme se deri në çfarë mase Stalini ishte një viktimë e Hitlerit. Kohët e fundit qëndron në qendër të polemikave karakteri i zgjerimeve territoriale të Bashkimit Sovjetik para 22 Qershor 1941, pra përfitimet politike të zgjerimit territorial sovjetik të viteve 1939-1940. Ka historianë që mendojnë se zgjerimi Bashkimit Sovjetik minoi sigurinë e Bashkimit Sovjetik. Vlen për tu përmendur debati shumëvjeçar, më tepër i kryer në rrethet historiko-shkencore gjermane, se politika ekspansioniste e Stalinit nuk ka kontribuar ndjeshëm në vendimet e Hitlerit për të pushtuar BS.

Në përgjithësi, në kohët e fundit në studimet mbi politikën nacionalsocialiste ndaj Rusisë është trajtuar bindshëm disfunksionaliteti i politikës staliniste të jashtme, të brendshme dhe ushtarake për sigurinë e Bashkimit Sovjetik.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video