
“Dua t’ju kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu mes nesh që nuk kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë të detyrës për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve më mirë. Dua t’ju kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në punë vetëm për të më shoqëruar mua, apo që shkojnë në organizatat e partisë vetëm për të bërë një fotografi prezence. Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që ju del zëri vetëm kur trokasin në zyrat e shtetit për punët e tyre, apo edhe për ata deputet që kanë zbritur në sallë nga tryeza e qeverisë, duken në foltoren e Kuvendit njëherë në hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga Hëna”.
Kjo ishte një pjesë e shkurtër e fjalës së kryesocialistit Edi Rama që shigjetonte deputetët, siç i quajti ai, përtacë të Partisë Socialiste. Rama nuk përmendi emra deputetësh për të cilët kishte vërejtje, por përmendi emrin e Vullnet Sinajt si deputeti model.
Sinaj është deputet i Qarkut të Vlorës, ndërsa Voxnews.al zbardh edhe emrat e të paktën tre deputetëve socialistë të po këtij qarku që Kryesocialisti shpalli ‘non grata’ nga punimet e Kongresit të Partisë Socialiste.
Bëhet fjalë për deputetët Pranvera Resulaj, Anduel Tahiri dhe Ilir Metaj. Asnjëri prej tyre nuk ishte në sallën e Pallatit të Kongreseve të dielën. Më shumë se sa zgjedhje e tyre për të munguar, arsyeja kanë qenë kritikat e Ramës.
Burimet pohojnë se Rama ka shfaqur pakënaqësi ndaj tre deputetëve për mungesë angazhimi në takime periodike me bazën, mosangazhim në rrjetet sociale si dhe për përçarjen e degës së partisë në Vlorë. Vërejtjet ndaj tyre, siç pohojnë burimet, janë shprehur edhe më parë në mbledhjet e grupit parlamentar socialist, apo strukturave të tjera drejtuese të partisë, në rang qendror dhe rang vendor.
Sipas burimeve, tre deputetët fajësohen nga Edi Rama kush më pak dhe kush më shumë për përçarjen e degës së Partisë Socialiste në Vlorë dhe për ndërhyrje te institucionet e tjera vendore dhe qendrore në proceset e punësimeve të reja.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.