‘Hidh gurin, fshih dorën’, precedenti rrezikshëm që vendosi Komisioni ‘Shalsi’ me dëgjesën Drejtores së Buxhetit në MF, Mimoza Dhëmbi

23 Korrik 2024, 16:15Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Eduard Shalsi / Mimoza Dhëmbi

Në një prezantim të gjatë dhe me fjalë të zgjedhura me kujdes, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi njoftoi një pikë jashtë rendit të ditës në mbledhjen e kësaj të marte. Bëhej fjalë për një seancë dëgjimore, por as me titullarë institucionesh, as me përfaqësues që duhej të flisnin para deputetëve në emër të institucioneve.

Seanca dëgjimore ishte thirrur me Drejtoren e Buxhetit dhe Borxhit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi në të njëjtin orar që në komision duhet të raportonte Kontrolli i Lartë i Shtetit. Arsyetimi zyrtar që dha Eduard Shalsi para kolegëve, në mungesë të bazës ligjore ku të mbështetej kjo seancë, ishte se deputetët ishin të shqetësuar nga gjetjet e një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku kërkohej shkarkimi nga detyra i Mimoza Dhëmbit.

Seanca dëgjimore ishte aq e papritur edhe për vetë deputetët socialistë, që patën vështirësi në gjetjen e argumenteve se pse duhej dëgjuar në Kuvend një zyrtare e Ministrisë së Financave për një çështje personale, që ligjërisht zgjidhet përmes gjykatave të vendit.

Megjithatë, dy prej tyre guxuan. Milva Ekonomi foli se si në trajnimet që kanë bërë në një organizëm ndërkombëtar të parlamenteve kanë mësuar edhe praktikat kur Kuvendi thërret për sqarime për halle personale zyrtarë shtetërorë, ndërsa Erion Braçe iu përvesh Kontrollit të Lartë të Shtetit, që sipas tij, duhej të përfshinte në raport edhe përgjegjësinë politike, pra titullarin e institucionit.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është as të analizojë gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe as profesionalizimin e Mimoza Dhëmbit, me një karrierë të gjatë prej më shumë se 3 dekadash në Ministrinë e Financave, ku ka pritur e përcjellë mbi 10 ministra.

Qëllimi i shkrimit është të denoncojë praktikën aspak të zakontë të ndjekur nga Komisioni i Ekonomisë dhe Kuvendi, sepse sado Eduard Shalsi u mundua me gjuhën e kujdesshme të shpjegonte se si seanca dëgjimore i shërbente publikut e qytetarëve, qëllimi i vetëm i saj ishte ‘çnjollosja’ e emrit të Mimoza Dhëmbit nga ‘njolla’ e vendosur në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Pse? Ka disa arsye, por më poshtë po rëndisim dy kryesoret.

Së pari, Kuvendi është njohur me raportin e KLSH-së që në vjeshtë të vitit të kaluar, madje edhe e ka miratuar përmes rezolutës me rekomandimet përkatëse drejtuar këtij institucioni.

Së dyti, Kontrolli i Lartë i Shtetit është organ i pavarur. Gjetjet në raportet e tij, (në rastet kur vetë KLSh nuk kallëzon në prokurori) mund të kundërshtohen në gjykatat administrative nga zyrtarët për të cilët KLSH rekomandon masa, si në rastin e Mimoza Dhëmbit, për të cilën kërkohet shkarkimi.

Për këtë arsye, dëgjesa e Mimoza Dhëmbit në Komisionin e Ekonomisë vendosi një precedent ekstraligjor dhe për më tepër të rrezikshëm për marrëdhëniet mes organeve të pavarura të shtetit. Sipas shembullit të saj, çdo punonjës me statusin e nëpunësit civil, duke nisur që nga punonjësi më i ulët që gëzon këtë status në bashkinë më të vogël të vendit, e deri te aparati qendror në Kryeministri, për të cilin KLSH mund të kërkojë shkarkimin nga detyra, i lind e drejta që të dëgjohet para Komisionit të Ekonomisë.

Kjo e sigurt që nuk ka për të ndodhur, pasi siç e tha vetë kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi para dëgjesës me Mimoza Dhëmbin, komisioni ka pasur orare të zgjatura pune këto ditët e fundit të sesionit, ku ka shqyrtuar një mori projektligjesh e vendimesh. Megjithatë, ‘raskapitja’ me punën zyrtare të shqyrtimit të ligjeve nuk pengoi të njëjtin komision që të kryente një detyrë ekstraligjore…ku qëllimi ishte vënia e Kuvendit kundër KLSh-së përmes taktikës ‘hidh gurin e fshih dorën’.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video