Shënim: Nga e marta, Altin Dumani do të jetë drejtuesi i ri i SPAK-ut, që si detyrë të parë do të ketë të përmirësojë imazhin e goditur të strukturës nga drejtimi i Arben Krajës dhe më pas të rikthejë besimin e qytetarëve te prokuroria e posaçme në veçanti dhe reforma në drejtësi në tërësi.
Dumani tha se mes prioriteve kishte miratimin e një rregulloreje të funksionimit të brendshëm të SPAK-ut. Kjo deklaratë e tij ndoshta nuk mori vëmendjen e duhur, por ajo tregon se sa kaotik ka qenë drejtimi i Arben Krajës në krye të strukturës më të mirëpaguar dhe të armatosur deri në grykë me kompetenca për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Por, ky nuk është as shembulli dhe as mundësia që Altin Dumani të provojë se në krye të SPAK do të jetë e kundërta e Arben Krajës. Shembulli më perfekt për të është Arben Ahmetaj dhe kallëzimi i dorëzuar nga gazetari Adriatik Doçi ndaj dy prokurorëve, Ened Nakuçi dhe Klodian Braho.
Ligji shprehimisht përcakton se për dosjen e inceneratorit të Elbasanit dy prokurorët në fjalë janë zotër të saj. Por, po shprehimisht i jep kompetenca drejtuesit të SPAK-ut që t’u kërkojë llogari, pa hyrë në thelbin e dosjes.
Duke shfrytëzuar këtë parashikim të nenit 15 të ligjit të funksionimit të SPAK, Altin Dumani ka në dorë që të vendosë para përgjegjësisë ligjore dy prokurorët e akuzuar për fshehje provash. Së pari, duke kërkuar sqarime se pse nuk është marrë Arben Ahmetaj mes të pandehurve në këtë dosje, duke nisur nga provat e bëra publike, ku ai ka përfituar në të paktën gjashtë raste pagesa nga Klodian Zoto?
Së dyti, të organizojë dhe drejtojë shortin dhe të sigurohet që kallëzimi i Adriatik Doçit do të shqyrtohet në mënyrë të shteruar, të paanshme dhe të pavarur dhe pse jo, të marrë të pandehur dy prokurorët për fshehjen e provave, pengimin e së vërtetës dhe hetimin me dy standarde të dosjes.
Së treti, Dumani tha para KLP-së se për të emrat nuk kanë rëndësi cilët janë. Për të kanë rëndësi provat. Për ta ilustruar, tregoi një fragment bisede në zyrë me një nga oficerët e Byrosë Kombëtare.
‘Erdhi oficeri dhe më tha një emër të njohur në një dosje. I thashe, për mua s’kanë rëndësi emrat, kanë rëndësi provat. Unë pres që nesër, nëse do të jem në listën e personave që kam shkelur ligjin, oficeri të vijë dhe të më arrestojë edhe mua’, deklaroi drejtuesi i sapozgjedhur i SPAK-ut.
Në rastin e kallëzimit ndaj dy prokurorëve provat janë aty dhe bashkë me to edhe emrat, duke nisur nga dy prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi dhe duke përfunduar me Arben Ahmetajn.
Ky është testi i së vërtetës për Altin Dumanin, testi që do të provojë nëse SPAK-ut me dirigjimin e tij do të luajë një tjetër muzikë, apo do të vazhdojë të këndojë me notat e standardet e dyfishta hetimore të ndjekura nën drejtimin e Arben Krajës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.