Prapaskenat e zgjedhjes së Dumanit në krye të SPAK: KLP përsëriti votimin për t’u siguruar

16 Dhjetor 2022, 19:28Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjatë mbledhjes së sotme ku u zgjodh kreu i ri i SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi sot Altin Dumanin si shef të ri të SPAK-ut që mori pesë vota. Dumani është përfolur si i preferuari i ambasadës amerikane. Gjatë votimit është vënë re edhe një detaj pikant. Duket se as vetë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, nuk e besoi fillimisht rezultatin. Dhe u detyrua ta përsëriste dhe një herë votimin, ku u rikonfirmuan 5 votat për Altin Dumanin në krye të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Votimi i KLP-së tërhoqi vëmendjen edhe për faktin se 5 anëtarët që votuan Dumanit në krye të SPAK-ut, katër janë prokurorë, ndërsa Arta Mandro është pedagoge e Juridikut.

Ndërkaq, Edvin Kondili, mori votat e anëtarëve të KLP-së që vinin nga radhët shoqërisë civile. Ndërsa Adnan Xholi mori votën e Sokol Stojanit, përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme.

Intervistat e kandidatëve zgjatën mbi 5 orë. Në momentet e fundit, intervista e Edvin Kondilit, në dyert e KLP-së mbërriti ambasadorja amerikane, Yuri Kim, që është përfolur prej ditësh në media se ka pasur një përplasje me kryeministrin Edi Rama pikërisht për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.

Por Yuri Kim tha se “e rëndësishme për këtë tranzicion është integriteti i procesit. Nuk jam një person që i bën gjërat e buta. Unë them atë që nënkuptoj dhe nënkuptoj atë që them dhe përfaqësoj politikën e SHBA-ve”.

Kryediplomatja amerikane në Tiranë kërkoi si detyrë të vetme nga drejtuesi i ri i SPAK-ut që pronar të kishte vetëm ligjin.

Video