
Kuvendi i Shqipërisë nuk heq dorë nga Inteligjenca Artificiale, teksa ka shpallur tenderin e sistemit dhe të mirëmbajtjes. Janë dy procedura me vlerë mbi 1 milionë euro, për implementimin e sistemit audio-video. Procedurat u anuluan dy herë me radhë për mungesë oferte, madje u shpallën edhe nga ish-kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla. Por, edhe procedura e parë e kryetares aktuale Elisa Spiropali u anulua, teksa kjo është hera e tretë e vërtetë.
Ajo që vihet re në këto procedura është vlera e shtuar e tenderëve, ku kësaj here ka shkuar në mbi 1 milionë euro, pasi vetëm mirëmbajtja kap vlerën e 200 mijë eurove. Një shumë e majme për një shërbim që e kanë bërë deri më tani punonjësit e Kuvendit. Por, nëse akordon një shumë të tillë a është ulur numri i punonjësve? Normalisht që jo, pasi nga viti në vit dhe me ndryshimin e kryetarëve, numri vetëm sa është shtuar.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur tenderin me objekt “blerje e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio- video të Kuvendit, bazuar në Inteligjencën Artificiale dhe shërbim mirëmbajtje 48 muaj”. Vlera e tenderit është plot 75 milionë lekë, teksa bëhet fjalë për “paketa softëare dhe sisteme informacioni”.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tjetër procedurë, me objekt “shërbim mirëmbajtje i sistemit audio-video 24 muaj”. Vlera kësaj radhe është rreth 20 milionë lekë, teksa bën fjalë për “pajisje audio-vizuale”. Çuditërisht, në tenderin e parë është edhe mirëmbajtja. Por, në procedurën e dytë është vetëm mirëmbajtja!
Por, këto s’janë të vetmet shpenzime të Kuvendit, i cili ka planifikuar edhe tenderin “shërbim mirëmbajtje e sistemit elektronik të votimit" me një afat 24 muaj. Fondi limit i kësaj procedure është 16 milionë lekë.
Disa javë më parë, VoxNews publikoi informacionin për dështimin e tenderit për të futur Inteligjencën Artificiale në Kuvend. Arsyeja e anulimit ka qenë për shkak se në procedurë nuk mori pjesë asnjë firmë.
Por, për çfarë duhet Inteligjenca Artificiale brenda Kuvendit?! Për t’i zëvendësuar ligjvënësit? Për të bërë modifikimet e projektligjeve që vijnë nga institucionet? Kuvendi shkruan në dokumente se objekti i procedurës ka qenë për të analizuar audiot dhe videot! Hartuesit e dokumenteve të tenderit të Kuvendit shkruajnë se kanë tentuar që të blejnë një sistem të transkriptimit të të dhënave audio-video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kjo e bazuar në Inteligjencën Artificiale dhe shërbim mirëmbajtje për 48 muaj.
Por, nëse do të merret Inteligjenca Artificiale me transkriptimin e audiove-videove, po qindra punonjës të Parlamentit çfarë do të bëjnë? Në dokumente shkruhet se arsyet e anulimit të kësaj procedure ka qenë se “në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”.
Në atë kohë VoxNews shkroi pas anulimit se “kjo s’do të thotë që Spiropali apo zyrtarët e tjerë të Kuvendit nuk do e hedhin sërish në tenderim. Ndoshta edhe për t’i rritur vlerën, pasi nëse dështon tentativa e parë, rritet vlera e fondit limit. Një skemë e përdorur rëndom nga institucionet e tjera, që tashmë mund të prekë edhe Parlamentin”.
Në fakt ashtu ndodhi, pasi procedurës iu shtuan edhe 200 mijë euro mirëmbajtje!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.