Fotot e projektit/ 390 mijë euro për instalacionin “Tirana Mooons” në mes të sheshit “Nënë Tereza”!

6 Janar 2025, 19:02Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tirana Mooons

Një tjetër ndryshim do të ndodhë me sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku pas shatërvanit dhe qilimit gjigand, radha i vjen një instalacioni. Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për ndërtimin e instalacionit të quajtur “Tirana Mooons”, teksa vlera e të gjithë ndërtimit kap shifrën e mbi 390 mijë euro.

Kjo vepër do të vendoset në mes të sheshit, teksa një nga firmat projektuese ishte ajo që hartoi parkun “Eden”, të vendosur në mes të Kryeministrisë, për të cilin Fondi Shqiptar i Zhvillimit harxhoi një shumë prej 3.6 milionë eurosh.

VoxNews ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, ku vepra do të vendoset në mes të sheshit, teksa do të “mbulohet” edhe nga disa pemë. Ndërkohë, në brendësi do të ketë disa struktura druri, në formën e hënës.

 

Fotot e projektit/ 390 mijë euro për instalacionin “Tirana
Faksimile: Shpallja e tenderit nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e instalacionit “Tirana Mooons”

 

Sipas dokumenteve, fondi prej 390 mijë eurosh është dhënë nga Bashkia e Tiranës sipas vendimit të Këshillit Bashkiak në muajin tetor 2024. Mësohet se afati për ndërtimin do të jetë 6 muaj, ndërkohë që procedura e tenderit do të bëhet në datë 21 janar 2025.

Në dokumentet shoqëruese shkruhet se struktura modulare “hënë” është një pavijon sferik i bërë kryesisht prej druri dhe pëlhure.

“Struktura përbëhet nga një kornizë elegante rrethore e bërë nga trarët unazorë prej druri. Këto trarë formojnë një skelet sferik që mbështet pjesën tjetër të strukturës. Kurbat kryqëzohen, duke dhënë përshtypjen e një seksioni kube ose sfere. Ky dizajn është njëkohësisht modern dhe gjeometrik, duke e bërë atë vizualisht të këndshëm duke ruajtur estetikën natyrale” thuhet në dokumente.

Fotot e projektit/ 390 mijë euro për instalacionin “Tirana
Projekti që do të vendoset në mes të sheshit “Nënë Tereza”

Fotot e projektit/ 390 mijë euro për instalacionin “TiranaFotot e projektit/ 390 mijë euro për instalacionin “TiranaFotot e projektit/ 390 mijë euro për instalacionin “TiranaFotot e projektit/ 390 mijë euro për instalacionin “TiranaFotot e projektit/ 390 mijë euro për instalacionin “Tirana

Në dokumente shoqëruese, shkruhet se dyshemeja do të bëhet me dërrasa druri, të vendosur me një platformë të ndarë në dy gjysma simetrike. “Tenda e ngjashme me kupolën duket se është bërë nga një material pëlhure. Kjo mund të sigurojë hije duke lejuar që drita të kalojë, duke krijuar një hapësirë të rehatshme dhe të ajrosur poshtë. Moduli i ‘hënës’ është i përbërë nga elemente të cilët vendosen mbi njëri-tjetrin ne tre faza montimi dhe konceptimi. Fillimisht ne fazen 1 moduli përbëhet nga 5 unaza druri te laminuar me teknikë kryq të cilat bashkohen me nyje unazore me njëra tjetrën dhe me bazamentin e betonit me ane te unazave me përshtatje” shkruhet në dokumente.

Një nga firmat që ka bërë projektin është “Studio Precht”, e cila ka bërë edhe parkun “Eden” të vendosur në mes të kryeministrisë. Ndërkohë, firma tjetër “UDV ARCHITECTS” ka bërë disa projekte ndërtimi, të pallatit te ish-ekspozita apo edhe konviktet në Kamëz.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video