Bashkim Ulaj nisi këtë të shtunë të korrë frytet e koncesionit më bujar të dhënë ndonjëherë nga qeveritë shqiptare në tre dekada e gjysmë tranzicion. Zanafilla e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar, edhe pse me gjatësi vetëm 21 kilometra është e shtrirë në 7-8 vite kohë dhe në të përfshihen të gjitha pushtetet, përfshirë këtu gjyqësorin.
Gjyqësori është përfshirë përmes një vendimi të dhënë në vitin 2021, ku Gjykata e Apelit shfuqizon një vendim të Ministrisë së Infrastrukturës që kishte anuluar kontratën koncesionare. Apeli detyron ministrinë që të kalojë për miratim kontratën në mbledhje qeverie...dhe ashtu u bë një vit më vonë, pasi Qeveria jo vetëm që nuk e rrëzoi kontratën, por as nuk e ankimoi atë në Gjykatën e Lartë.
Megjithatë, më shumë se një përplasje mes Gener 2 dhe qeverisë, Gjykata e Apelit është përdorur si mekanizëm për të shmangur përgjegjësinë e mundshme ligjore për një koncesion të akuzuar që në gjenezë si korruptiv.
Zanafilla e koncesionit dhe ‘DH Albania’
Në vitin 2017, Qeveria nisi diskutimet për ndërtimin e rrugës Milot-Kashar, si pjesë e programit 1 miliardë euro të shpalosur nga Kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2017. Diskutimet fragmentarizuan segmentin, duke e ndarë më vete pjesën nga Kashari deri në Thumanë, me gjatësi prej 21 kilometrash.
Në varësi të përmasave të rrugës, numrit të korsive dhe gjurmës ku do të kalonte, qeveria përllogariste në atë kohë ndërtimin e rrugës me paratë e buxhetit me kosto që shkonin në rastin më të mirë 66 milionë euro dhe në rastin më të keq në 161 milionë euro.
Pak muaj më vonë ideja e ndërtimit të rrugës me paratë e buxhetit u braktis dhe nisi të përforcohet dhënia e saj me koncesion sipas skemës Partneritet Publik-Privat. Pranverën e 2018-s në Ministrinë e Financave depozitohet propozimi i pakërkuar nga Gener 2 për ndërtimin e rrugës me PPP. Në të njëjtën periudhë u hap gara, ku bashkë me Gener 2 konkurruan edhe tre kompani të tjera.
Në korrik 2018, Ministria e Infrastrukturës njofton skualifikimin e tre ofertave të tjera dhe shpalljen fituese të ofertës së Gener 2, që propozoi ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës për 226 milionë euro. Tre ofertat e tjera u skualifikuan me arsyetimin se ishin më të larta se vlera maksimale e projektit, që në atë kohë Ministria e Infrastrukturës e përllogarit në 245 milionë euro.
Pas mbylljes së garës, Gener 2 themelon kompaninë koncesionare G2 Infra. Kompanitë nisin bisedimet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për hartimin e kontratës, projektit dhe nisjes së punimeve.
Por, bisedimet dhe kalimi i kontratës për miratim në qeveri u ndërprenë shpejt. Vjeshtën e vitit 2018 shpërtheu skandali i DH Albania, kompania që fitoi 30 milionë euro në Unazën e Madhe me dokumente të falsifikuara.
DH Albania u shpall fituese për ndërtimin e nyjes në ish sheshin Shqiponja dhe të pak qindra metrave në aksin nga Pallati me Shigjeta deri te ish sheshi Shqiponja. Në Shqipëri, kjo kompani prezantohej zyrtarisht si degë e kompanisë ‘Dunëell Haberman’, e regjistruar në Delauere të SHBA.
Përfaqësues i kësaj kompanie në Tiranë, sipas të dhënave që u pasqyruan në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve rezultoi 26-vjeçari Avdjol Dobi. Një muaj pasi fitoi tenderin në Unazën e Madhe, Dobi zhvendos zyrat e DH Albania te ‘ABA Business Center’, në pronësi të Bashkim Ulajt.
Dyshimet se pas përpjekjes për të përfituar 30 milionë euro me dokumentacion të falsifikuar qëndronte Bashkim Ulaj u përforcuan pas zbulimit nga Zëri i Amerikës se Avdjol Dobi ka lidhje familjare me Bashkim Ulajn dhe se bilancet e depozituara në QKB të DH Albania janë përkthyer nga një punonjëse e Gener 2, që në atë kohë nuk ishte pjesë e përkthyesve zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë.
Por, skandali i DH Albania vetëm sa vonoi koncesionin e Thumanë-Kashar. Në maj të vitit 2022, duke përdorur si alibi vendimin e gjykatës së apelit, që shfuqizoi vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për anulimin e koncesionit, Qeveria i dha Bashkim Ulajt koncesionin e jetës.
Tarifat e majme dhe garancia nga Qeveria
Pagesat në koncesion janë rregulluar në kontratë për një afat 35 vjeçar me rritje progresive. Sipas kontratës së lidhur, kosto e kalimit në rrugë shkon nga 2.5 euro për automjetet e vogla, deri në 12 euro për kamionët dhe mjetet e tjera të tonazhit të rëndë.
Përveç kësaj, fitimet e Gener 2 janë blinduar edhe nga një fond prej 28 milionë eurosh që zotohet të vendosë në dispozicion Qeveria në 8 vitet e para të koncesionit në rast se qarkullimi në rrugë është poshtë parashikimeve të kontratës.
Kjo do të thotë se nëse në vitin e parë, Gener 2 nuk do të realizojë të ardhurat e parashikuara në kontratë, Qeveria do të kompensojë kompaninë me paratë e taksapaguesve, deri kur të kapet ky nivel.
Në total Gener 2 pritet të arkëtojë 1.3 miliardë euro në 35 vitet e këtij koncesioni. Shifra përkthehet në mesatarisht 37 milionë euro në vit të ardhura nga tarifat e kalimit në këtë aks. Për të kuptuar më mirë fitimin e Gener 2 vetëm në këtë aks, mjafton ta krahasojmë atë me fitimin e Gener 2 në total, ku për vitin 2023, sipas pasqyrave financiare që vetë kompania ka depozituar në QKB është vetëm 3 milionë euro.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.