Institucionet shtetërorë po përgatiten për vendosjen e tarifës së kalimit në Tunelin e Llogarasë, që shkurton distancën nga Orikumi në Palasë. Megjithëse e gjithë vepra kushtoi rreth 230 milionë euro me TVSH, sërish Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akorduar një shumë prej 3.1 milionë euro.
Këto para’ do të shërbejnë për vendosjen e disa pajisjeve për të vjelë taksën prej 5 eurosh që është parashikuar të vendoset brenda një kohe të shkurtër. Tuneli u hap para verës 2024, teksa qendroi i hapur disa muaj. Mbyllja u justifikua me disa punë të pabëra.
Megjithatë, gjatë kësaj kohe brenda tunelit është bërë vendosja e disa tubacioneve të ujësjellësve, që çojnë ujë në resortet e Investitorëve Strategjikë.
VoxNews ka publikuar disa javë më parë dokumentet e këtyre procedurave, të cilat janë fituar nga kompania “Gjoka”, e cila ka qenë një nga firmat që ndërtoi tunelin.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën “mirëmbajtje e pajisjeve dhe operimi i tunelit të Llogarasë”, me një fonde 311.040.000 lekë, ose rreth 3.1 milionë euro.
Mësohet se bëhet fjalë për shërbime për menaxhim tunelesh, teksa këto para vijnë pas tenderit të madh, ku vlera shkoi në plot 230 milionë eurosh, me TVSH. Fitues të procedurës së ndërtimit ka qenë një bashkim operatorësh, të kryesuar nga firma turke “INTEKAR YAPI...” dhe shqiptarja “GJOKA”.
Punimet ishin parashikuar për 37 muaj, por vepra përfundoi para kohe për shkak se të gjitha energjitë e firmave shkoi në atë vepër, duke “harruar” edhe veprat e tjera si tuneli i Murrizit, i cili ka kaluar çdo afat dhe tashmë është premtuar hapja në 2025-ën.
Ky premtim është dhënë nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila gjithashtu ka deklaruar se kalimi në tunelin e Llogarasë do të kushtojë 5 euro për automjet. Pagesa do të nisë këtë vit, teksa i gjithë tuneli ka një gjatësi prej 5.9 kilometrash.
“Tuneli i Llogarasë do ketë një shpejtësi rreth 80 km në orë, është një vepër me pagesë, pasi do të ketë një mirëmbajtje me kosto të larta. Përllogaritet diku të 5 euro, por bëhet fjalë për vitin e ardhshëm, jo për këtë vit”, tha në vjeshtën e 2024-ës Balluku.
Fillimisht, qeveria tentoi që ndërtimin ta jepte me koncesion, ku ndërtimi do të bëhej me paratë e firmave private. Këto të fundit do t’u kthehej fitimi nga vendosja e tarifës. Por, por asnjë kompani nuk shfaqi interes dhe më pas punimet u financuan me paratë e buxhetit. Por, ende nuk ka informacion nëse shuma e mbledhur e taksës do të shkojë për mirëmbajtje apo do të kalojë në buxhet, që nga ndërtimi i kësaj vepre pësoi një “gropë të madhe”.
Duket se, i gjithë investimi është bërë për resortet e pasanikëve në bregdetin e Jugut, pasi me studimet e kryera vjelja e tarifës nuk mund të kthejë të gjithë koston e investimit.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.