
Qeveria shqiptare nuk ka drejtuar gishtin zyrtarisht askund për autorësinë e sulmeve kibernetike, që për ditë me radhë nxorrën jashtë funksionit shërbimet qeveritare. Por, jozyrtarisht dyshimet janë se pas këtyre sulmeve nuk qëndron ndonjë grup hakerash, por vende jomiqësore.
As emra vendesh nuk përmenden, por nisur nga precedentët e së shkuarës. Burime të Voxnews.al pohojnë se ekspertët IT të AKSHI-t dhe Microsoft besojnë se dy mund të jenë vendet e origjinës së sulmeve, Rusia dhe Irani.
Për metodologjinë e sulmit, ekspertët thonë se prej muajit shkurt, Ukraina dhe vende të tjera të BE dhe të NATO-s janë përballur dhe po përballen me sulme identike, kostoja e të cilave vlerësohet mbi 200 mijë euro. Kjo ka shtyrë dyshimet se pas këtyre sulmeve qëndron Rusia.
Nga ana tjetër, koha kur ndërmerren këto sulme, pak ditë pas urdhëarresteve të SPAK ndaj një grupi, që dyshohet rrjet spiunazhi iranian në Shqipëri ushqen dyshimet të tjera se pas sulmeve mund të jetë Irani. Irani është akuzuar për sulme të ngjashme në të shkuarën nga vende të BE, SHBA, Izraeli dhe disa vende arabe.
Megjithatë, dyshimet kryesore bien mbi Rusinë, nisur nga një deklaratë e fundit e Përfaqësuesit të Lartë të BE, Josep Borrell.
“Agresioni ushtarak i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër Ukrainës është shoqëruar me një rritje të konsiderueshme të aktiviteteve keqdashëse kibernetike, duke përfshirë një numër shqetësues hakerash dhe grupesh hakerash që synojnë pa dallim entitete thelbësore në nivel global. Kjo rritje e aktiviteteve keqdashëse kibernetike, në kontekstin e luftës kundër Ukrainës, krijon rreziqe të papranueshme të efekteve të përhapjes, keqinterpretimit dhe përshkallëzimit të mundshëm”, thotë Borrell.
Këto ditë, në qendër të sulmeve kibernetike kanë qenë edhe disa vende të BE-së dhe autoritetet e unionit besojnë se ato në mos organizohen, të paktën nxiten nga Rusia.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.