Porti, aeroporti dhe bizneset e Fushë Krujës/ 'Trekëndëshi i djallit', që po vret "çunat problematikë"

19 July 2022, 11:07Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Porti, aeroporti dhe bizneset e Fushë Krujës/
Porti, aeroporti dhe bizneset e Fushë Krujës

Tre persona u ekzekutuan në mbikalimin e Fushë Krujës gjatë një atentati të mirëorganizuar, ku mbetën të vdekur 30 vjeçari Diklen Vata dhe 22-vjeçari Brilant Martinaj si dhe shoku i tyre Besmir Hoxha, të tre nga Kurbini, po udhëtonin me një mjet Volkswagen Passat nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit ku u qëlluan me breshëri automatiku.

Mediat kanë shkruar se ndaj tyre u derdhën rreth 60 plumba nga 3 persona që i dolën mjetit të viktimave përballë, ndërsa një i katërt drejtonte makinën e autorëve.

Viktimat e ishin me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, pjesëtarë të grupit kriminal të Ervis Martinajt.

Brilant Martinaj, 23 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, ishte me precedent kriminal i dyshuar për veprën penale 'Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim' dhe 'armëmbajtja pa leje'.

Porti, aeroporti dhe bizneset e Fushë Krujës/

Diklen Vata, 30 vjeç, njihej si person me precedent penal, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinajt dhe ishte pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt.

Porti, aeroporti dhe bizneset e Fushë Krujës/

Besmir Hoxha, 34 vjeç, nga Fushë-Kuqe, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinajt dhe ishte pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt.

Porti, aeroporti dhe bizneset e Fushë Krujës/

Artan Hoxha ditën e djeshme tha se ngjarja me 3 viktima në Fushë Krujë nuk është një ngjarje e momentin apo e ndonjë sherri të thjeshtë, por një përplasje e ashpër e organizatave kriminale që prej vitesh po fitojnë territor dhe po vendosin pushtetin e tyre në zonat ku operojnë.

Duke u ndaluar tek kjo ngjarje tronditëse, gazetari Artan Hoxha tha se Tirana – Durrësi dhe Fushë Kruja, janë kthyer si “Trekëndëshi i Bermudës” me ngjarje të shumta kriminale.

“Kemi një zonë, që e quaj, trekëndëshi i Bermudës. Tiranë- Durrës- Fushë Krujë. Ka portin, Aeroportin dhe bizneset me të mëdha të vendit. Këtu është gjithë jeta ekonomiko politike dhe shoqërore. Aty zhvillohet dhe janë në shpinë të kësaj zone” tha Hoxha.

Gazetari Artan Hoxha u shpreh se tashmë vrasësit nuk e kanë problem të kryejnë punën e tyre në çdo orë dhe në çdo vend.

Sipas Hoxhës në zonën nga Lezha dhe në drejtim të Fushë Krujës po kryhet një luftë e ashpër mesa organizatave kriminale. Sipas gazetarit masakra e djeshme ishte një sinjal se tashmë nuk ka më asnjë tolerim.

“Nuk do të ketë më kursim dhe tolerim. Fakti që njëri ka dalë jashtë dhe autorët u kthyen, dëshmon për ashpërsinë e betejës që po zhvillohet në atë zonë.” tha Artan Hoxha.

Ai shtoi më tej se po goditen më së shumti personat që nuk ruhen pavarësisht se emrat e tyre janë të lakuar në disa ngjarje kriminale.

Policia ka ofruar 30 milionë lekë shpërblim për këdo që do të ofrojë informacion të vlefshëm për zbardhjen e vrasjes së trefishtë.

Emri i Brilant Martinajt, qarkulloi në korridoret e policisë, por pa u provuar nëse kishte apo jo vërtet gisht në këtë ngjarje pas eliminimit të Xhelal Reçit.

Vrasja e Xhelal Reçit:

Ai u qëllua me armë zjarri teksa ishte duke larë ambientin përpara “Grand Moda”, në çastin kur vrasësit afrohen me makinë dhe prej aty zbresin dy persona. Njëri afrohet më shumë, duke e qëlluar me armë zjarri. Ky atentat u regjistrua në lagjen numër 3 të qytetit të Laçit.

Ndërkohë, që sipas çështjes ende nën hetim, në vendngjarje policia administroi në atë kohë një fishek model 56 dhe një predhë, si ato të fishekëve që qitet nga arma tip pitoletë.

Dhjetë minuta, pas atentatit ndaj ish-policit që njihet si krushk i Endrit Dokles, një tjetër ish-eksponent I krimit në Shqipëri (i dënuar dhe më pas i liruar), policia  u njoftua për një mjet tip “Toyota” që i ishte vënë flaka dhe që më pas nga hetimet u kuptua se ishte denoncuar si i vjedhur një shtetaseje me inicialet A.B., nga fshati Mbrostar, Fier.

Në kartelat e policisë, fillimisht u raportua se i ndjeri dhe i biri, B.R., kishin pasur më herët një konflikt që kishte precipituar në plagosje ndaj shtetasit R.R.

Por sakaq, policia mblodhi të dhëna përmes të cilave shtoi në historikun e viktimës, se i biri i ish-policit, kishte plagosur me armë zjarri djalin e Faik Martinajt nga Fushë Kuqja.

I ndjeri, nga ana e tij kishte kallëzuar në gushti 2020 pranë Policisë së Lezhës se ishte ndjekur nga disa persona dhe është kanosur, por në 11 nëntor 2020, sipas burimeve të Gazetasi.al, ish-polici dorëzoi një kallëzim edhe ndaj ish-policisë, pasi nuk ishte marrë parasysh ankesa e tij.

Por prokuroria e mbylli çështjen, duke deklaruar se nuk rezultoi e provuar që viktima të kishte bërë denoncim për incidentin dhe ndaj në mënyrë skandaloze u vendos në atë kohë mosfillimi i çështjes. Pas vrasjes së ish-policit, mes dhjetëra shtëpive të kontrolluara, ishte edhe ajo e Faik Martinajt, si dhe e Ervis Martinajt.

Sipas policisë, në atë kohë pati një shtetas të dyshuar nga Lazarati që ishte shfaqur në Laç, por që nuk u gjet asnjë e dhënë që do ta implikonte atë, duke qenë se ai kishte ardhur në këtë qytet për të drekuar me një të njohur.

Por një nga emrat që u përmend në atë kohë, është pikërisht edhe Brilant Martinaj, i cili sakaq nuk ishte risi, pasi një tjetër atentat ende nën hetim i mori jetën një efektivi dhe ku sërish roli i policisë mbetet i dyshimtë për mënyrën se si i kreu veprimet hetimore.

Vrasja e Xhulio Prelës

Ai u vra në moshën 26-vjeçare. Ai ishte punonjës i policisë së Shkodrës, por përpara se të emërohej në këtë pozicion si pjesë e FNSH-së, në mënyrë të pasqaruar dhe të pa hetuar, polici Xhulio Prela u lëviz nga detyra nga qyteti i Lezhës, ku dhe kishte pasur një incident për shkak të shoqërimeve të kryera në këtë zonë.

Nga zbardhja e itinerarit, policia deklaroi në atë kohë se viktima udhëtoi në mesnatë për të pritur kushëririn e tij, Pjetër Gavoçi, i cili po vinte nga Anglia dhe ishte me banim në Stjakë.

Polici udhëtoi drejt fshatit të të afërmit për ta lënë atë në shtëpi dhe rrugës së kthimit ai u qëllua me armë zjarri në rrugën inter-urbane Milot-Lezhë, në vendin e quajtur Gajush.

Sipas hetimit të treguar Gazetasi.al, në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja dhe siç tregojnë kamerat e sigurisë, Xhuliano devijoi nga rruga dhe pranë tij ndalon një makinë tjetër, ku prej andej shfaqet një person i paidentifikuar me një mjet ndriçues në dorë, duke e qëlluar policin me armë.

Vrasësit largohen me shpejtësi në drejtim të Lezhës dhe pas sekuestrimit të dhjetëra kamerave të sigurisë, policia arrin të gjejë një sekuencë filmike në zonën e Grykë Lumit.

Veprimet hetimore, vërtetuan se makina i përkiste një banori nga fshati Cudhi, i cili e kishte lënë makinën për ta rregulluar në servisin e një personi nga Kruja, shkruan gazeta SI.

Megjithatë, më pas banori këmbënguli se e kishte shitur mjetin dhe po ashtu edhe blerësi i dytë ia shiti një personi që kishte ndërruar jetë nga Covidi dhe që gjithashtu e kishte lënë në një servis.

Përveç Redion Hysës, që akuzohet për vrasjen e Xhuliano Prelës dhe Nikoll Sherrnikut nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit, emri i tretë që u hetua ishte pikërisht Brilant Martinaj. Por hetimi ndaj tij u pushua dhe nuk pati asnjë ballafaqim hetimor në gjykatë për këtë krim.

Pikërisht, këto dy dosje e bëjnë dyshuese policinë, e cila edhe në ekzekutimin e trefishtë ka dyshime se sërish nuk i vlerësoi siç duhet provat në vendngjarje.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video