Akuzat për evazion, a gjobiti Monika Kryemadhi bizneset e ndërtimit?

19 July 2022, 17:21Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Akuzat për evazion, a gjobiti Monika Kryemadhi bizneset e ndërtimit?
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi

Politikanët janë akuzuar shpesh se nga foltorja e Kuvendit dhe kolltuku i partisë e foltoreve të tjera publike përdorin pozicionin dhe faktin që ndiqen nga publiku për gjobëvënie ndaj bizneseve.

Një akuzë të tillë i ngriti në një seance parlamentare tetorin e kaluar Edi Rama ndaj Lulzim Bashës. I vënë në hall prej lëvizjes që kishte nisur Berisha në bazë, Basha nisi të përmendë me radhë emrat e oligarkëve nga foltorja e Kuvendit, kur Rama e akuzoi se po e bënte këtë për t’u vendosur gjoba.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe me denoncimet e këtyre ditëve të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kur doli para mediave në 4 korrik për të denoncuar skemën e evazionit fiskal në vlera prej miliona eurosh, Kryemadhi tha ndër të tjera se do t’u vinte në dispozicion mediave dhe do të bënte publike të gjitha kompanitë që kanë shkelur ligjin duke kryer vepër penale.

Por, më shumë se dy javë më vonë, ajo që shqiptarët dinë nga këto kompani është vetëm pjesa se çfarë tha Monika Kryemadhi. Ajo foli edhe për kompani ndërtimi të përfshira në këtë skemë evazioni fiskal.

“Kompanitë e ndërtimit që kanë fituar koncesionet e ndërtimit dhe të rrugëve janë ato që kanë marrë 99.99% të tenderave publikë, pjesa kryesore janë kompani që kanë fituar të gjitha punët publike, ku i kanë shërbyer këto fatura për të rritur në mënyrë fiktive shpenzimet po përveç kësaj shërben dhe shërben pasi marrin dhe 20% e TVSH-së. Përveçse marrin para nga buxheti i shtetit këto kompani i rrëmbejnë buxhetit të shtetit dhe 20% e TVSH-së”, deklaroi kryetarja e LSI-së dy javë më parë.

Kaq ishte denoncimi i Kryemadhit. Në deklaratat e mëvonshme ajo pothuajse ka heshtur dhe ka hedhur akuzat për evazion fiskal vetëm nga inceneratorët. Se çfarë u bë me kompanitë e ndërtimit dhe kompanitë e tjera që tha se janë të përfshira në evazionin fiskal prej 189 mln eurosh, këtë vetëm kryetarja e LSI-së e di.

E nisur nga kjo heshtje e Kryemadhit, me të drejtë mund të ngrihen dyshimet nëse kryetarja e LSI-së pasi shantazhoi me përmendje emrash, u vuri gjoba këtyre bizneseve dhe tashmë bën sikur i ka harruar.

Gjithçka është në kuadrin e dyshimeve të drejta, ndërsa populli thotë ‘ku ka zë s’është pa gjë’.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video