Reagimi i fshehur i Sokol Sadushit: Nëse ekziston dokumenti i Vokshit si agjent shërbimesh, atëhere duhet arkivuar sepse kanë kaluar afatet

9 Nëntor 2025, 22:01Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryetari i GJL, Sokol Sadushi

Pasditen e së dielës, disa media publikuan një shkrim me qëllim shpjegimin e “mungesës së dokumentit” që lidh kandidatin për Gjykatën Kushtetuese Asim Vokshi me shërbimet sekrete. Shkrimi kishte dorë juristi dhe me gjasë është është një reagim i fshehur i vetë kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Sipas këtij reagimi të maskuar, që nuk mban firmë zyrtare dhe as deklaratë publike, Sadushi tenton të relativizojë denoncimin e bërë nga Top Channel, i cili transmetoi lajmin se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ishte informuar për përfshirjen e mundshme të Vokshit si informator apo agjent i shërbimeve sekrete, por ky informacion nuk iu përcoll trupës së Gjykatës së Lartë gjatë procesit të përzgjedhjes.

Në artikullin e shpërndarë nga mediat pranë tij, Sadushi sugjeron se edhe nëse një dokument i tillë ekziston, ai duhet konsideruar i pavlefshëm, pasi “kanë kaluar afatet ligjore” për ta përfshirë në procesin e garës për Gjykatën Kushtetuese.

Kjo gjuhë mbrojtëse, e artikuluar përmes kanaleve informale, konfirmon përpjekjen për ta mbyllur skandalin pa përgjegjësi institucionale, në vend që çështja të sqarohej me transparencë zyrtare nga KED apo Gjykata e Lartë.

Reagimi i fshehur i Sadushit vjen vetëm pak orë pas publikimit të lajmit të Top Channel, ku hodhi dritë mbi mënyrën se si informacionet sensitive për kandidatin Asim Vokshi, janë trajtuar në mënyrë selektive, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit të përzgjedhjes për një nga institucionet më të larta të drejtësisë në vend, atë të Gjykatës Kushtetuese.

E të mos mjaftonte ping-pongu dhe shkelja ligjore që Sadushi ka kryer për emërimin e Asim Vokshit, tashmë me dorë të fshehur i del në mbrojtje një tjetër fakti kompromentues, atë të fshehjes së dokumentit të KED.

Ky episod shton edhe një herë dyshimet për politizimin e drejtësisë, kapjen e saj dhe abuzimin flagrant, që çon në thellimin krizës së besimit të publikut te institucionet që duhet të garantojnë drejtësinë dhe transparencën.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video